Nuk bëri punë as një lojtar më shumë
Gjilan – Drita dhe Istogu janë ndarë pa gola në një ndeshje kampionale që është zhvilluar pasditen e kësaj të diele në Gjilan. Deri në minutën 26, ndeshja kryesisht është zhvilluar në mesin e fushës, me një mbizotërim të lehtë të ekipit vendas, por pa raste të mira shënimi. Drita – Istogu 0:0.
Për vendasit, puna është lehtësuar së tepërmi në minutën 27, kur mysafirët mbetën me një lojtarë më pak në fushë, ngase Mulaj i mysafirëve u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Në minutën 39 vendasit kanë qëlluar shtyllën, kur Shillova që ka pranuar një top nga Kastrati, ia doli që me mjeshtri të kalojë mbrojtësin Bruçi dhe pa u hamendur gjuajti fuqishëm, por ishte pingulja ajo që shpëtoi Istogun. Në minutën e fundit të pjesës së parë Blendin Gashi është lënduar rëndë dhe me autoambulancë është dërguar në spital, kurse në minutat shtesë të pjesës së parë, Limani nga gjuajtja e lirë sprovoi portierin mysafir, i cili ishte në vend dhe dëboi topin.
Kur u prit që të shtohet presioni i ekipit vendas, një gjë e tillë nuk ndodhi, andaj pjesa e dytë ishte pa raste të mira shënimi. Megjithatë, rastin më të mirë vendasit e patën në minutën e fundit, kur Shaqiri, qëlloi nga 5-6 metra, por portieri mysafir u hodh duke shpëtuar gol të sigurt.
Lojtarët mysafirë, që pjesën më të madhe të lojës e luajtën me një lojtar më pak në fushë, kryesisht janë mbrojtur, duke patur si qëllim marrjen e një pike, gjë të cilën e kanë arritur.
Kryetrajneri vendas Sedat Pajaziti, nuk ka qenë i kënaqur me rezultatin e arritur dhe sidomos me mosefikasitetin e repartit sulmues, derisa kryetarjneri mysafir, Nazmi Rama, ka thënë se lojtarët e tij janë angazhuar dhe në bazë të rrethanave në lojë është i kënaqur me një pikë.
Drita – Istogu 0:0
Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 400. Gjyqtarë: Artan Tahiri – Safet Berisha – Imran Kabashi – Burim Jahmurati. Kartoni i verdhë: Kastrati, Haliti, Murati, Tosuni – Gashi. Kartoni i kuq pas dy të verdhëve: Mulaj.
Drita: Latifi, Kastrati, Haliti, Limani, Shillova, Tosuni, Murati, Osmani (Zejnullahu), Limani, Ajdari (Sejdiu), Gashi, Shaqiri. Trajner: Sedat Pajaziti.
Istogu: Hajrizaj, Morina, Kastrati, Krasniqi, K. Gashi, Shabanaj, Shabotiq (Jahaj), Mulaj, Bruçi, Arifi (Saliagiq), F. Gashi (Ademaj). Trajner: Nazmi Rama. /rajonipress/.


