Nuk bën muzikë për famë

Ka shtrirë angazhimin artistik nëpër mbrëmje të ndryshme lıve. Por, Mjellma Berisha ka treguar se angazhimi ı saj artistik nëpër këto mbrëmje muzikore nuk është synimi i vetëm i saj. Tash së fundmi këngëtarja nga Kosova e cila shkëlqeu ne skenën e spektaklit më të ndjekur në Shqipëri, ka treguar për Tribuna se është duke punuar në këngën e saj të parë të cilën do ta sjellë së shpejti në treg.
Është bërë e njohur për publikun përmes spektaklit ‘Voice of Albania’, ku pas vetes arriti të marrë një mori fansash që përkrahën dhe pëlqyen paraqitjen e saj. Është kjo këngëtarja Mjellma Berisha e cila për Tribuna ka shpalosur shumëçka rreth karrierës, raportit me fansat e jetën së saj private..
Tribuna: Mjellma, të flasim fillimisht për angazhimet e juaja artistike…në çka jeni fokusuar më shumë për sa i përket këngës këtë kohë?
Mjellma: Angazhime kam mjaft sa i përket këngës. Muzika ime është e fokusuar më shumë në stil modern, përfshirë zhanret rock, pop, funk, soul etj, dhe ndjehem shumë mirë.
Tribuna: Jeni më shumë aktive nëpër mbrëmje të ndryshme muzikore. Pse po ndodhë një gjë e tillë?
Mjellma: Për një kohë të gjatë unë jam aktive nëpër mbrëmje të ndryshme muzikore, por që kohën e fundit edhe janë hapur më shumë lokale ku mund të performojmë live. Normalisht që edhe me kalimin e kohës si dhe eksperiencat dhe paraqitjet e ndryshme që i kisha kohën e fundit në spektaklin “The Voice of Albania” e bën që unë të jem edhe më shumë aktive.
Tribuna: Ishte “The voice” spektakli i cili nxori në shesh talentin tuaj si këngëtare, apo ju keni kënduar edhe më përpara?
Mjellma: Kam filluar shumë më parë të këndoj dhe të kem eksperienca të ndryshme muzikore. Por ja që në ‘The Voice’ unë pata mundësinë të shprehem edhe më shumë së më parë. Vet spektakli të nxjerrë në pah të gjitha vlerat të cilat i posedon konkurrenti, ku unë e dëshmova këtë duke shkuar deri në finale e madhe.
Tribuna: Aktualisht jeni duke punuar rreth ndonjë kënge, apo krijimi artistik?
Mjellma: Po, momentalisht jam duke punuar në projektin tim të parë muzikorë. Jam duke e realizuar një këngë e cila do të jetë shumë ndryshe nga ato çka jemi mësuar të dëgjojmë deri tani në vendin tonë.
Tribuna: Si e vlerësoni eksperiencën në “The voice”?
Mjellma: Voice ishte si një lloj shkolle e muzikës. I mëson të gjitha që kanë të bëjnë me skenën, prapa skenën, e shumë e shumë gjëra të tjera.
Tribuna: Si ka ndryshuar jeta juaj pas spektaklit?
Mjellma: Këtij spektakli i jam shumë mirënjohëse sepse në radhë të parë ma dha mundësinë që t’i shfaq vlerat e mia vokale tek publiku. Në anën tjetër arrita të mbledh shumë fansa pas vetes. Ka ndryshuar në mënyrë shumë pozitive dhe të favorshme për mua. Por, që personaliteti im mbetet gjithmonë i njëjtë, një Mjellme modeste.
Tribuna: Po raportet me ‘jurinë’ e “The voice?
Mjellma: Unë jam një tip që dëshiroj t’i kem raportet me të gjithë mirë. Por që në vendin tonë është e pamundur. Në rastin e jurisë së ‘Voice’, ku përveç trajneres sime Miriam Canit, që kisha një raport shumë të afërt dhe të mrekullueshëm me të, nuk ka munguar edhe raporti me pjesëtarët tjerë të jurisë, si Alma, Eltoni dhe Sidriti, ju jam shumë mirënjohëse për të gjitha ato komente dhe fjalë që m’i kanë dhënë gjatë spektaklit, të cilat për mua kanë një peshë shumë të madhe.
Tribuna: Përveç muzikës, keni edhe ndonjë angazhim të dytë…studioni, punoni?
Mjellma: Krahas muzikës, unë edhe punoj në Kompaninë e Sigurimeve “Illyria”, kam studiuar për Menaxhmet dhe Informatike dhe tani sapo i kam përfunduar studimet. Është shumë e vështirë dhe e lodhshme t’i bësh të gjitha të njëjtën kohë, por deri tani po arrij t’i aranzhoj shumë mirë të gjitha.
Nuk pëlqen të flasë për jetën private
Tribuna: Ku dhe me kë jetoni?
Mjellma: Jetoj në Prishtinë me motrën time Rriten.
Tribuna: Tashmë keni prekur edhe famën. Si e vlerësoni këtë pjesë që po ju ndodh…të bukur apo të bezdisshme?
Mjellma: Në vendin tonë është e lehtë të arrihet fama, sepse njëherë po dole në televizion apo e bërë një këngë, menjëherë e bëjnë veten të famshëm ose këngëtarë. Por, që në fakt është shumë e kundërt, sepse po e bëre një këngë atëherë je artist i ri e jo i famshëm. Fama ka shumë kuptime, por tek ne pothuajse të gjithë e mbajnë veten të famshëm. Unë nuk bëj muzikë për famë. Por, ja që përderisa je prezent në media të ndryshme, atëherë deshe apo nuk deshe të njohin pak a shumë, sepse është profesion i tillë. Unë e bej sepse e dua muzikën dhe nuk mundem pa të. Nuk e kam bezdi këtë çka po më ndodhë, sepse jam shumë e vetëdijshme se ku jetoj. Por, në anën tjetër i ka edhe të bukurat e veta.
Tribuna: Krahas këngës dhe famës, ju tashmë pas vetës keni edhe fansa të shumtë… Besoj edhe meshkuj që tashmë ndjejnë një simpati për ju!?
Mjellma: Përveç fansave meshkuj (qesh) unë kam arrit të mbledh fansa të moshave të ndryshme, duke filluar nga më të vegjlit e deri tek mosha e vjetër. Kjo është shumë e rëndësishme për mua dhe më bën të lumtur.
Tribuna: Jeni e dashuruar apo single?
Mjellma: Nuk më pëlqen të shprehem për jetën private.
Tribuna: Si është lidhja juaj me daljet mbrëmjeve, lokalet e vonshme?
Mjellma: Të them të drejtën varet e gjitha se si ndjehem, nuk dal shpesh, i preferoj vendet më të qeta.
Tribuna: Po me udhëtimet jashtë vendit?
Mjellma: Nuk kam udhëtuar shumë.
Tribuna: Çfarë urreni më shumë dhe para kujt jeni dorëzuar?
Mjellma: Urrej shumë njerëzit e papërgjegjshëm, të pa sinqertë, padrejtësinë. Përveç Zotit nuk i dorëzohem askujt.
Tribuna: Kur besoni që kënga e re do të jetë para fansave?
Mjellma: Besoj që shumë shpejt kënga do jetë pranë fansave.
Tribuna: Diçka për fund?
Mjellma: Fillimisht ju falënderoj juve për intervistën dhe i përshëndes të gjithë lexuesit e gazetës tuaj. Ju dëshiroj punë të mbarë ./tribuna/