Nuhi Nuhiu sulmon rëndë PDK, Lutfi Hazirin e Rexhep Kadriun
Gjilan – Nuhi Nuhiu ish drejtor për financa në qeverisjen e Qemajl Mustafës ka akuzuar rëndë PDK e Gjilanit. Ku është dega e PDK-së dhe ku është kryesia qendrore që po lejojnë të degradohen kuadrot e saja. Pse po hesht kryesia e PDK-së e cila si duket ka mbetur vetëm për të shkuar nëpër ngushëllime dhe urime për festa pyet Nuhiu. Për Lutfi Hazirin thotë se bëri gabime të mëdha sepse nuk e ndoqi rrugën e Qemajl Mustafës ku asnjë drejtor nuk kishte mbetur pa punë. Për Rexhep Kadriun thotë se është mesele në vete sepse me nënshkrimin e tij kemi mbetur në shtëpi edhe pse ishim pjesë e shërbimit civil. Nuhiu thotë se tani po pret vendimin e Gjykatës sepse ka shumë për të thënë e shkruar.
Është revoltuar ish drejtori për financa Nuhi Nuhiu i cili ishte pjesë e qeverisjes në kohën e Qemajl Mustafës. Nuhiu është nervozuar në heshtjen e krijuar nga ana e degës së PDK-së në Gjilan e cila siç thotë ai asnjëherë nuk reagoj dhe as që u mor me drejtorët e mbetur rrugëve. “Është për të ardhur keq që një kryesi e PDK-së nuk dinë apo nuk donë ta bëjë një reagim sado modest për gjendjen e rëndë që e kanë ish drejtorët të cilët me një fshesë nga ana e Lutfi Hazirit mbetën rrugëve” shprehet Nuhiu.
Nuhiu thotë se vendimi i Lutfi Hazirit që të mbetemi rrugëve asnjëherë nuk u kundërshtua nga dega e PDK-së në Gjilan edhe pse ishte kundërligjor.”Kjo degë e PDK-së ka mbetur vetëm për të shkuar në ngushëllime dhe urime për festa. A do koment kjo, ku është dega e PDK-së në Gjilan? Çka vepron dhe bënë kjo degë. Në vend se të angazhohet dhe ta ngrit zërin për këto parregullsi si në nivelin qendror të partisë, njashtu edhe në kuvendin e komunës, kundër vendimeve të Hazirit ata merren me çështje që as vet nuk e din”.
Nuhiu thotë se gjithçka ka filluar më 1 janar 2013 kur gjashtë drejtor komunal të PDK-së largohen nga Lutfi Haziri.”Lutfi Haziri mori një vendim të kundërligjshëm dhe të pabazuar. Ai nuk veproj sikur Qemajl Mustafa i cili nuk largoj asnjë kuadër nga puna e as nga pozita madje” shton Nuhiu i cili është i bindur se sikur dy drejtorët tjerë që e kanë fituar gjyqin, edhe ai do të dali triumfus dhe do të kthehet në vendin e punës.
Nuhiu është i “befasuar” se nënshkrimin për largimin nga puna e ka firmosur Rexhep Kadriu. “Ky njoftim famoz kishte dy autor, emrin e kryetarit Haziri, kurse nënshkrimi i nënkryetarit Kadriu. Tamam një tandem që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në mënyrë “perfekte” , ndërsa kryesia e PDK-së akoma është në gjumin dimëror” ka ironizuar Nuhiu.
Nuhiu thotë se Lutfi Haziri ishte i ngarkuar politikisht dhe vetëm e kreu amanetin e partisë së tij që fshesa të realizohet dhe që unë me të tjerët më 01.01.2014 u detyruam të shkojmë në shtëpi.
“Nuk jam brengosur fort për degradimin që po e bënë Lutfi Haziri e Rexhep Kadriu, po isha i zhgënjyer me PDK e Gjilanit dhe atë në qendër e cila nuk reagoj asnjëherë. Unë do të punojë dhe bëjë përpjekje të vazhdueshme që ta fitojë betejën gjyqësore e cila besoj se është në anën time dhe të kolegëve të tjerë të larguar. Kam shumë për të thënë e shkruar dhe shumë shpejt do i bëjë publike” tha Nuhiu./rajonipress/


