Hidromorava

Novela e luftës së njeriut për të jetuar

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Si shumë kosovarë të tjetër edhe Ardiani do të ikë nga vendi tij i zymtë dhe i pashpresë. Si miqtë e tij edhe ai kërkon të punojë profesionin në të cilin është shkolluar dhe jo atë që ia imponojnë rrethanat. Duke i ikur jetës së kthyer në aheng, ku gjithçka ndodh për të mbushur kënaqësitë e momentit, protagonisti i novelës “Çdo gjë është ftesë për dehje” i autorit Artan Mustafa, merr rrugën për në Evropë dhe më gjerë, siç kishin bërë në fillim të këtij viti shumë qytetarë të Kosovës.

Libri 200 faqesh është rrëfim në vetën e parë. Shkrimtari thotë se preferon të shkruajë në vetën e parë sepse është më i afërt me lexuesit. “Nuk i përçmoj apo nuk i nënvlerësoj format e tjera të të shprehurit, por kjo është thjesht për aspektin teknik”, ka treguar Mustafa për “Zërin” për novelën e tij të parë, që mes të tjerëve ka edhe këta kapituj “Sinqerisht, ju dëshirojmë fat herën e ardhshme!”, “Babiçek, Babiçek”, “Por, nuk ka më as vetëm një ëndërr amerikane…”, “Shtrenjtë në karl marx”, “Brigita”, “Sikur të ishte Anastasia gjë që fitohet me lojë shahu”, “Qeni i zgjuar, Jonasi”, “Shpërthim”. “Gjak”. “Panik” e “17”.

“Edhe vetë kur lexoj letërsi më pëlqen rrëfimi në vetën e parë, por në të njëjtën kohë kjo të jep një lloj kufizimi me shprehjen”, është shprehur Artan Mustafa, derisa ka shtuar se për të shpaguhet përdorimi i vetës së parë me afërsinë që ka ndaj lexuesit.

“Qindra autorë dhe shkrimtarë e kanë thënë që në letërsi nuk ka kufi midis jetës ose ekzistencës dhe fiksionit. As mendimi im nuk është i ndarë prej ekzistencës sonë, as ëndrrat tona, as ndjenjat tona, unë nuk shoh dallim midis të dyjave”, tregon autori i “Çdo gjë është ftesë për dehje”, ku realiteti është gërshetuar me fiksionin.

Artan Mustafa thotë se të shkruarit është ajo që jemi ne, mënyra si dashurojmë, si hamë, si pimë, si udhëtojmë, ëndrrat, dëshirat, leximi, udhëtimi, pra gjithë përvoja e njeriut.

“Unë kam pasur nevojë të shkruaj. Ky tekst ka pasur qejf të dalë njëjtë siç unë kam pasur dëshirë dhe e kam shtyrë përpara të dalë. Tash, ky tekst, po e bën jetën e vet, por unë jam shumë i interesuar që të jem dëshmitar se çfarë jete do të ketë”, ka thënë Mustafa duke shtuar se dëshirë e tij është që çdo lexues ta lexojë në mënyrën e tij.

ARKATANA

“Në pika të shkurtra domethënë para se gjithash jam i interesuar të trajtoj kontaktin tonë si kosovarë me botën”, është shprehur Mustafa, për novelën në të cilën shumë prej ngjarjeve zhvillohen në vendet Evropës që janë në afër Kosovës, kjo sepse kontakti me ta është më i afërt.

Një element tjetër që karakterizon librin, sipas autorit, është tema që prek ky kontakt i krijuar deri ku mund të çojë, çfarë mund të ofrojë, çfarë mund të marrë dhe japë njeriu.

Element i tretë, Artan Mustafa thotë se është informacioni që sillet për Evropën si estetikë dhe si mendim. “Krejt kjo mbështillet me një diskutim për lirinë njerëzore, jashtë problemeve të sigurisë. Domethënë çfarë ndodh me njeriun kur është i lirë dhe dëshiron të jetojë si do vetë”, është shprehur Mustafa, duke treguar se kur shkruan i merr parasysh tri kritere kryesore. “I pari është ai i estetikës, fjalitë, gjuha, poetika, filozofia, ndërtimi i ngjarjeve dhe të tjera. Pastaj është sinqeriteti, duhet të jetë një tregim i sinqertë, që i flet njeriut dhe që është i afërt. Elementi i tretë dhe më i rëndësishmi ndoshta është elementi i çlirimit, në kuptimin që ndoshta të çliron nga ndonjë kompleks ose ndonjë mentalitet”, ka thënë Artan Mustafa për librin që nis me përshkrimin e gjendjes së rëndë të njerëzve që jetojnë në Kosovë. “Është ajo gjendje që Kosova nuk të përmbushë në shumë aspekte dhe që e dëgjon nga shumë njerëz.

Pas tij është një tregim, i cili pak a shumë tregon për atë që mungon në Kosovë, diçka që kemi pritur të bëhet, që është dashur të bëhet e që nuk ndodh”, është shprehur autori i librit “Çdo gjë është ftesë për dehje”. Mustafa është i mendimit se si kosovarë, si shqiptarë, do të jetojmë në Evropë dhe ky kontakt fizik ekziston edhe kjo nevojë e integrimit ekziston dhe do të ketë integrim shumë më të madhe me kalimin e viteve, mirëpo nuk na pengon asgjë që të krijojmë një identitet shumë më të fortë. “Evropa është krijuar mbi parimin e diversitetit. Unë jam ithtar i asaj që ne të integrohemi, por duke pasur një identitet tonin”, shprehet ai, i cili në librin e tij flet për Evropën, për mediet, për lirinë.

“Në përgjithësi unë mendoj se shkrimi i mirë është një meny e plotë. Letërsia, politika, jeta, filozofi, të gjitha bashkë”, thotë Artan Mustafa për gazetën. “Letërsia është e lirë, ashtu siç është jeta e lirë”, shton ai, duke shpresuar që lexuesi, ndoshta edhe shumë miq të tij që shkruajnë prej kohësh, do të mundë të ndjejnë se është investuar punë në të. “Që nuk do ta shohin këtë publikim si thjesht arrogancë dhe ambicie të tepruar, por si një luftë e njeriut për të jetuar, për t’i krijuar vetës hapësirë jetese, për të ndjekur diçka që i pëlqen”, ka thënë Mustafa, për librin me recensentë, Artan Muhaxhiri dhe Ibrahim Berisha, me redaktor Sali Bashotën e botuar nga “Rozafa”. “Çdo gjë është ftesë për dehje” nga sot do të shitet bashkë me “Zërin” në Prishtinë, Ferizaj dhe Gjilan./zeri/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.