Nostalgjike: Çka deklarojnë dy ish kapitenët e Dritës dhe Gjilanit para derbit
Gjilan – Dy skuadrat Drita dhe Gjilani, vazhdimisht në radhët e veta kanë pasur futbollist cilësor të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyera në skuadrat e tyre. Dy ish kapitenët e Dritës dhe Gjilanit Xhemajl Zeqiri ish portieri i Dritës dhe mesfushori i Gjilanit Sadullah Ajeti, me nostalgji kujtojnë momentet e derbit në mes Gjilanit e Dritës.
Ish gardiani i “bardh e kaltërve” të Dritës Xhemajl Zeqiri, i cili për katër vjet djersiti fanellën e Dritës me mjaft emocione kujton momentet e derbit.
“Ka qenë krenari e përgjegjësi e madhe, poashtu edhe obligim i madh ndaj klubit dhe tifozërisë të paraqitesh në derbin lokal, nuk ka ma kënaqësi se sa të triumfosh në derbi e ta përjetosh fitoren me tifozët e klubit “Intelektualët”, duhet të jesh pjesë e klubit për ti përjetuar momentet e derbit”.
Zeqiri shpjegon se në derbin lokal është vështirë të jesh kapiten dhe ta udhëheqësh skuadrën drejt fitores.
“Unë shumë herë kam pasur kërcënime që të mos paraqitem në portë ndaj skuadrës rivale të Gjilanit, por ky është derbi dhe jam shumë i lumtur që për katër vite kam dhënë më të mirën që kam ditur dhe mundur, edhe pse kam mbrojtur në shumë klube derbi në mes Dritës e Gjilanit është i veçantë njëri ndër më të mirët në rajon, njëherit isha lider ne fushë dhe çdo gjë e kam ndarë me tifozët “Intelektualët”.
Zeqiri i cili jeton në Kumanovë dhe ushtron zejen e trajnerit derbin që zhvillohet nesër e parasheh me këtë rezultat.
“Skuadra e jetës sime Drita padyshim do të ngadhënjen në derbin ndaj Gjilanit, jam me zemër pranë tifozëve “Intelektualëve” do ta mposhtim rivalin tonë me rezultat 2-1″.
Njëri ndër futbollistët më të mirë që ka pas skuadra e Gjilanit padyshim është ish kapiteni dhe mesfushori Sadullah Ajeti, i cili ka lënë gjurmë të pashlyera tek ngjyrat “bardh e kuqët” e Gjilanit.
“Së pari i falënderohem dy ish kryetarëve të dy klubeve të ndjerin Selami Osmanin-“Bezi” dhe Shukri Sylejmanin “Shukën”, të cilat e krijuan këtë derbi të madh lokal të cilin gjeneratat e tanishme po e përjetojnë”.
Ish mesfushori i Gjilanit dhe njëherit kapiteni i kësaj skuadre Ajeti me nostalgji kujton derbin.
“Është një ndjenjë e mirë të jesh pjesë e këtij derbi, kemi qenë shembull dhe do të jemi shembull në futbollin e Kosovës si për nga organizimi njëashtu edhe për paraqitjen e dy skuadrave në fushë, ndeshja me rivalin lokal ka qenë e veçantë në këtë ballafaqim nuk ka respekt në fushë secili kërkon fitoren dhe jep maksimumin, është kënaqësi të jesh akter i derbit dhe të ndash kënaqësinë me tifozët “Skifterat”.
Ish kapiteni Sadullah Ajeti ka një porosi të veçantë para derbit.
“Jam me zemër me skuadrën e Gjilanit dhe tifozët “Skifterat”, jam shumë krenarë dhe i lumtur që asnjëherë nuk është bërë as edhe problemi më i vogël në mes tifozëve, ky është kapital i derbit le të fiton më i miri ndërsa shikuesit me kulturën e tyre të tregojnë se ne jemi pjesë e futbollit evropian, ndërsa ky derbi është magjia e futbollit Kosovar”, përfundon Ajeti./rajonipress/

