Uji Dea

Njohja s`ka alternativë

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Për t’u normalizuar rajoni, Serbia duhet ta njohë Kosovën. Takimet në nivelin e lartë Kosovë-Serbi duhet të ndodhin për zgjidhjen e problemeve teknike dhe administrative. Por, nuk duhet të diskutohet për veriun dhe integritetin territorial. Shtetin e ri pritet ta njohë Tunizia dhe ndonjë vend europian. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti, flet për Express.

Express: Çka keni biseduar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivan Mrkic, gjatë vizitës së tij në Tiranë?

E. Panariti: Vizita ka qenë me iniciativë të ministrit serb. Për hir të së vërtetës, kërkesa është bërë që në muajin shtator, por unë kërkova më tepër kohë për arsye sepse duhet të përgatiteshim më shumë për këtë vizitë. Sidomos, kërkoja që kjo vizitë të prodhonte edhe rezultate që Shqipëria dhe Serbia të nënshkruanin marrëveshje bashkëpunimi. Dhe, posaçërisht isha i interesuar të përmbyllim nënshkrimin e marrëveshjes në fushën e arsimit për njohjen reciproke të diplomave të studentëve. Prandaj, i kërkova Mrkicit që takimin të mos e zhvillonim në datën kur ai e kërkonte, por të zhvillonim më vonë kur e zhvilluam në fund të tetorit. Ardhja e tij në Tiranë shënonte që pikërisht midis Shqipërisë dhe Serbisë të diskutoheshin probleme me interes reciprok në fushën e bashkëpunimit ekonomik, në fushën e përmbylljes së nënshkrimit të rreth 14 marrëveshjeve që prej vitesh qëndronin të ngrira dhe që nuk është avancuar me nënshkrimin e tyre. Padyshim, diskutova edhe për çështjet e rajonit. I kërkova në radhë të parë, z. Mrkic, që Serbia të ndalojë dhunën që ushtron mbi shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjës dhe i kërkova njëkohësisht që Beogradi të ndihmojë dhe të asistojë financiarisht për përfshirjen më të madhe të shqiptarëve në qeverisjen vendore. I thash që nuk është bërë sa duhet në fushën e arsimimit të shqiptarëve, për punësimin e tyre dhe për integrimin e tyre në komunitetin përkatës.

Express: Cilat ishin reagimet e homologut tuaj serb ndaj kërkesave tuaja?

Uji Dea

E. Panariti: Reagimi i Ministrit serb ishte ky: z. Merkic tha se fjala gjenocid për mua ka një peshë të rëndë për arsye se jam shumë i emocionuar se po përmendet kjo fjalë sepse edhe ne vetë serbët kemi provuar këtë. Por, për këtë çështje duhet t’ia lëmë historianëve dhe shkencëtarët për ta gjykuar. Si të thuash ishte një dënim me diplomaci ndaj kërkesës që unë i bëra për njohje të kësaj periudhe të errët të historisë së Kosovës dhe të Serbisë. Nga ana tjetër, i thash z. Mrkic se ne inkurajojmë shumë vazhdimësinë e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, tashmë në nivele shumë të larta midis dy Kryeministrave të shteteve sovrane dhe unë këtë e theksova mes dy shteteve sovrane, të pavarura. I thash z. Mrkic se finalja e këtij dialogu duhet të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës nga shteti serb. Sepse kjo do të jetë mënyra më e mirë e reflektimit të Serbisë ndaj periudhës së errët të shtypjes, të dhunës dhe të gjenocidit që regjimi i Milosevicit ka ushtruar mbi popullsinë e Kosovës.

Express: Po, për njohjen si reagoi kryedipolmati serb?

E. Panariti: Ai më tha se e dimë që qëndrimet tona për këtë temë janë diametralisht të kundërta. Pra, u njoftuam me një shprehje të kufizuar lakonike ndaj kërkesës time të drejtpërdrejtë që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.