Njësia e KEK-ut në Gjilan “bombardohet” nga ankesat e konsumatorëve

Gjilan – Ramadan Ahmeti drejtor i njësisë së distribucionit të KEK-ut në Gjilan tha për rajonipress se vetëm të hënën ka pasur 20 ankesa të konsumatorëve. Sipas tij KEK-u deri tani ka shqyrtuar 29 ankesa, por nuk janë gjetur parregullsi. Mund të ketë ndonjë gabim teknik që do të përmirësohet, por mbi 99 % të faturave janë në rregull thotë Ahmeti.
Protestat dhe ankesat e shumta të konsumatorëve anekënd Kosovës për fyerje të faturave të KEK-ut kanë ndikuar tek çdo qytetar gjilanas – konsumator, që të shpreh dyshimin rreth faturimit të muajve të fundit. Kështu vetëm të hënën në njësinë e KEK-ut në Gjilan ka pasur 20 ankesa të konsumatorëve për verifikim të faturave.
Ramadan Ahmeti drejtor i distribucionit – njësia e KEK-ut në Gjilan tha për rajonipress se po krijohet tollovi dhe panik e panevojshme nga ana e konsumatorëve. “Ne vetëm të hënën kemi pasur mbi 20 ankesa, por ata janë bindur se faturat nuk janë të fryra. Secili ka pasur mundësi të verifikojë gjendjen. Mund të ketë ndonjë gabim teknik i cili pastaj përmes procedurave do të përmirësohet , por me përgjegjësi të plotë mund të them se mbi 99 % faturat janë në rregull” tha Ahmeti.
Sipas Ahmetit deri tani KEK-u u ka kthyer përgjigje 29 konsumatorëve gjilanas. “Është për tu habitur se në listën e atyre që janë ankuar ka konsumatorë që ka borxhe të mëdha dhe asnjëherë asnjë cent nuk e ka paguar në llogari të KEK-ut. Por ne jemi të detyruar që edhe kësaj kategorie tu japim përgjigje” tha Ahmeti./rajonipress/