Uji Dea

Një vit nga takimi i parë me Vuçiqin, Kurti kritikohet për mungesë strategjie dhe transparence

/ 5 minuta lexim

15 qershori i vitit të kaluar shënoi kthesë në dialogun Prishtinë-Beograd, i cili kaloi në nivel të lartë me takimin e parë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Njohësit e çështjes së dialogut vlerësojnë se ky proces përgjatë kësaj periudhe një-vjeçare ka qenë i ngadaltë si dhe është karakterizuar me mungesë strategjie dhe transparence në raport me qytetarët e Kosovës ana ana e Qeverisë Kurti.

Njohësi i politikave të jashtme, Emir Abrashi, në një prononcim për Telegrafin tha se Kurti e ka bërë të qartë edhe para marrjes së mandatit se dialogun nuk e ka prioritet.

Megjithatë, sipas tij, në këtë situatë që ndodhet Kosova, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të tregohet palë konstruktive në dialog.

“Sepse shtetësia jonë është e kontestuar nga shumë shtete të botës dhe për të marrë njohje të reja e për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, na duhet marrëveshja përfundimtare me Serbinë, e cila në thelb ka njohjen e ndërsjellë”, deklaroi Abrashi, duke shtuar se deri më sot ka pasur deklarata që e kanë dëmtuar dialogun, sidomos në kohë zgjedhjesh.

Gjatë kësaj periudhe një-vjeçare, Kosova dhe Serbia kanë pasur disa tentativa për arritjen e një marrëveshjeje për targat, ndërsa kanë arritur pajtueshmëri për zbatimin e marrëveshjes ekzistuese për energjinë.

Të dyja këto sipas Abrashit janë pozitive për Kosovën, pasi “pa zbatim të marrëveshjeve të arritura, s’mund të shpresojmë që mund të kemi marrëveshje përfundimtare me Serbinë”.

Njohësi i politikave të jashtme, Emir Abrashi

Sa i përket mungesës së transparencës për dialogun, për të cilën Qeveria Kurti në vazhdimësi është kritikuar, ai tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk po e bën atë që vetë kur ishtë në opozitë e kërkonte nga qeveritë e atëhershme.

“Institucionet e Kosovës nuk kanë qenë transparente me dialogun, sidomos jo para shkuarjes në Bruksel. Kemi arritur të marrim vesh për temat që janë diskutuar atje vetëm pas përfundimit të takimeve”.

“Kjo është fatkeqësi sepse LVV-ja ka qenë ajo që në opozitë ka kritikuar qeveritë e kaluara për mungesë të transparencës dhe ka kërkuar që temat e dialogut të bëhen publike para takimeve ndërsa tani në qeveri nuk po e bën atë që ka kërkuar. Jemi në një terr informativ”.

Ndërkohë, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirsolav Lajçak, ditë më parë ka paralajmëruar se një takim tjetër mes Kurtit dhe Vuçiqit, pritet të ndodhë së shpejti. Po ashtu, ka deklaruar se janë gati tri-katër marrëveshje që palët pritet të nënshkruajnë së shpejti.

E lidhur me këtë takim, Abrashi tha se shpreson që të ketë rezultate konkrete, por u shpreh skeptik që do të arrihen aq marrëveshje sa janë paralajmëruar.

Mobi Casa

“Sa i përket paralajmërimeve për marrëveshje të reja, kemi vetëm spekulime por nuk dimë se çka do të ndodh sepse as BE-ja as institucionet e Kosovës nuk dhënë asnjë informacion mbi këtë çështje. Shpresoj që në këtë takim të ketë rezultate konkrete, anipse jam skeptik që do të arrihen 3-4 marrëveshje ashtu siç ka paralajmëruar Lajçak”.

Sipas tij, është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të gjejë konsensus brenda vendit sa i përket dialogut – me opozitën dhe shoqërinë civile.

“Dhe në fund uroj që niveli i transparencës të rritet, sidomos tash kur duhet t’i afrohemi finales së këtij procesi”.

Se Qeveria Kurti ka shënuar regres në dialog gjatë kësaj periudhe mendon edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi

Ai për Telegrafin tha se status qou-ja i konvenon vetëm Serbisë sepse ajo nuk është e gatshme që ta pranojë realitetin.

“Mendoj që për këtë periudhë një-vjeçare më shumë ka pasur regres sesa progres, apo një hap para e tri mbrapa. Kjo pasi Qeveria e Kosovës nuk është treguar ofansive në diplomaci dhe dialog, pasi është dashur të gjejë mënyra për të treguar që është Serbia pala që po e bllokon këtë proces”, deklaroi Arifi.

Lidhur me mostrasparencën e Qeverisë, tha se është dashur të bashkëpunojë më shumë me grupet parlamentare dhe udhëheqësit politikë.

“Opozita e ka kritikuar shumë për mostransparencë, por në këto raste është e vështirë të ketë transparencë 100 për qind. Veçse mendoj që Qeveria është dashur të bashkëpunojë më shumë me grupet parlamentare dhe udhëheqësit politikë, por po e shohim që kjo urë e komunikimit nuk është duke funksionuar si duhet e këtu e shoh të gabueshme”.

Përndryshe, sipas tij, transparencë të plotë nuk mund të ketë pasi që proceset janë sensitive dhe nuk mund të bëhen publike pa u finalizuar gjithçka.

Në fund, Arifi komentoi edhe takimin e paralajmëruar mes Kurtit e Vuçiqit, duke thënë se nuk pret që të zgjidhë “probleme të mëdha”.

“Sa i përket takimit të paralajmëruar, mendoj që mund të ketë marrëveshje eventuale për të pagjeturit edhe pse Serbia nuk është e gatshme për dialog. Dhe nuk mendoj se ky takim do të zgjidhë probleme të mëdha, por do të bëhet për të treguar se kinse dialogu po mirëmbahet. Megjithatë koha do të tregojë gjithçka”, përfundoi ai. /Telegrafi/