GRANDEMALL

Një vdekje që ka mbetur enigmë e që do të duhej të dalë e vërteta nga thellësia e tokës

/ 10 minuta lexim
HW

Gjilan – Edhe pas 65 vjet të vrasjes barbare të atdhetarit të madh të kombit shqiptar, Hasan Alisë dhe grupit të tij të fundit të Koçakëve, eshtrat e tyre pushojnë në tokë dhe presin të dali e vërteta nga thellësia e tokës. Akoma nga varri nuk janë zhvarrosur trupat e atdhetarëve që u bënë gjashtëmbëdhjetë vite nga kur është zbuluar vendi ku janë groposur këta flijimtarë aty afër ndërtesës së ish kazermës ushtarake jugosllave në Gjilan. Kjo “gjë” edhe sot e kësaj dite po na tmerron dhe është shokuese. I dhimbshëm është ky “rrëfim”, i cili tingëllon tek secili qytetar i kësaj ane, ku organet e komunës akoma nuk gjetën kohë e moment për t’i zhvarrosur eshtrat e atdhetarit të shquar të Malësisë së Karadakut, Hasan Alisë me shokë.

Me këtë rast, fjala e atdhetarit të madh të kombit shqiptar, Mulla Idriz Gjilanit na tingëllon edhe sot e gjithë ditën, se: “Njëqind vjet ni paça jetë, të gjitha kam për t’i kaluar koçak, e kurrë nuk kam për t’u pajtuar me pushtuesin e Kosovës e copëtuesin e Shqipërisë”.

Për 65-vjetorin e vrasjes së Hasan Alisë, njërit nga koçakët e fundit, u përurua dhe u mbajt një Akademi përkujtimore kushtuar përurimit të librit dhje figurës së Hasan Alisë. Në një rast, dr. Dr. Mehmet Halimi, pat thënë disa fjalë për dy figurat e mëdha të kombit: Hasan Alinë dhe Ramiz Cërnicën. “E kam lehtë të flas edhe për Hasan Remnikun, por edhe për Ramiz Cërnicën. Te dy kanë qenë shokë. I pari roje e Ramizit dhe trim i pashoq i kombit, por edhe baca Ramiz ishte një atdhetar i gojës e i fjalës. Lumë nana shqiptare që i pati dhe i lindi! Dy figura, njëri ka luftuar me pushkë, e tjetri me fjalë. Këta dy po i deron populli pa kursyer”. Dikush patë pyetur: “A po ringjallet Hasan Alia me shokë? Pse nuk ia zhvarrosin eshtrat për të cilën tokë ka luftuar”? O, zot, askush nuk mundi të përgjigjet. Sepse, kjo tokë shqiptare nuk është pajtuar asnjëherë me okupuesin kriminel. Sa ka vuajtur ky popull liridashës! Iu desh këtij populli shumë kohëra e shumë vite ti kalojë nëpër dhunën e egër bullgare e serbe …

Trolli ynë u la me gjak si lumë. U bënë shumë arrestime, burgosje, vrasje nga kriminelët serbë e bullgarë. Këta okupues gjakatarë nuk zgjodhën mjete për ta zhbënë popullatën e pafajshme shqiptare nga faqja e dheut. Sa rëndë e ka pësuar Anamorava e Gjilanit me nga okupatorit bullgar e serb. Por, kjo tokë pati atdhetarë që i dolën zot. Hasani i Zi, siç e quanin serbët dhe bullgarët, Crni Hasan, por edhe shumë shokë të tjerë luftuan gjer sa dhanë jetën për këtë tokë të shenjtë. Hasani ishte një njeri trim i rrallë në jetë. Ai ishte i lindur në Remnik, më 1910. E jetoi jetën e thjesht nëpër male, therra, megja e bujtina të thjeshta familjare ku pati besë e nder. Ky burrë e atdhetar me atë trup të shkurtër, por me “nam” të madh, i doli zot kësaj toke. Nuk duroi jetën nën okupimin të huajve. Ai, kur pa se kjo jetë nuk durohet, si një, me shokët, Agush Hazirin, Mustafë Kokën e disa të tjerë, dolën në mal. Si thotë populli, e futën kokën në strajcë. U ndanë dhimbshëm nga familjarët. Pse jo? Okupuesi bullgar kishte ardhur të bëjë dhunë me forcë. Deshi ta gjunjëzojë e ta nënshtrojë popullin. Deshi ta largojë popullin shqiptar nga trojet stëgjyshore.

Në kohën e Shqipërisë, bullgarët llogaritnin kufirin me lumin Moravë. Kufirin e ruante ekspedita bullgare. Populli shqiptar druante nga dhuna e këtij okupuesi barbar e kriminel. Nuk harrohet dhuna e skajshme e sadiste bullgare në xhaminë e fshatit Remnik, më 1942, e cila ka tmerruar jo vetëm remnikasit, por gjithë popullatën shqiptare të Anamoravës e më gjerë. Popullata ishte e dërmuar skajshmërisht. Ndëgjohej në popull se “U bë hata në Remnik. Bullgarët gjakpirës futën njerëz të gjallë në varr!”. Nuk kursyen asgjë në këta banorë shqiptarë, as gjini e moshë. Kësaj dhune i ndihmuan edhe nga kolonët serbë dhe malazezët, pasi që ua kishin marrë shqiptarëve tokat e pëlleshme për afër lumit Moravë.

E, Hasan Remniku kishte kaluar në zonën e Italisë, por e vështronte situatën në Remnik e gjetiu. Me shokë arrin që remnikasit t’i shpëtojë duke i qitur në zonën italiane, ku janë strehuar nëpër familje dhe kanë qëndruar me vite. Hasani, kur u gjend në shtëpi, u betua me këto fjalë: “O zot i madh, më dëgjo! – Më jep shëndet të mirë, që derisa ta kam shpirtin në dhëmbë, të hakmerrem për gjakun e vëllezërve të mi…! Hasani i mbante në mend emrat e serbëve kriminelë me orientim çetnik, që bënin krime mbi remnikasit dhe popullatën shqiptare nën sundimin zonën okupuese bullgare. Në korrik të vitit 1943, Hasani me shokë, një ditë qëndroi në Qafën e Zhegrës, ku i priste serbët e Remnikut, që ktheheshi në Zhegër, sepse ditën i punonin tokat, e gjumin e bënin po në këtë fshat, Zhegër. Hasan Alia i zë disa, por njëri prej tyre arrin të ikë.

Hasani i vihet pas dhe e vret nga largësia. Të tjerët i likuidon. E vrau edhe Slobodanin në Zhegër duke u krehur, i cili pas dy plumbave, bie mbi shporet të drunjve dhe trupi i tij digjet. Pas kësaj ngjarje, ai shkroi një parullë për pushtetin bullgar të kësaj kohe: “E vrau Hasan Alia që të jetojë Shqipëria!”. Kah ecte, Hasani ishte i përgatitur. Ishte njeri shumë i shpejtë. Linte pas fjalë se, “çdo dhunë që bëhet mbi shqiptarët, ai do të hakmirret dyfish”. Më në fund, kriminelët serbë e sollën të vdekur Hasanin me grupin e tij “Te lama e Miellit” në Gjilan. I sollën të vrarë për ti ekspozuar para masës. Donin ta frikësonin popullatën.

Erdhi nëna e Mustafës me perçe të lëshuar. E ka heq perçen dhe i ka thënë Hasanit: “Hallall të koftë gjini i nanës dhe tri herë i ka ra për fytyrës. Nu ke shkue gjak falë, nana nuk është t’u mërzit! E ka lëshue perçën dhe ka shkue pa kajt dhe pa piskat dhe pa thanë tjetër fjalë. Hasan Remniku e kreu borxhin e vet ndaj atdhuet. U flijua për atdhe. I zuri keqbërësit ndaj shqiptarëve dhe atyre ua tregoi fundin. Më në fund u bënë skenarë për ta tradhtuar Hasan Alisë dhe grupit të fundi të Koçakëve të fundit të Ballit Kombëtar.

FIDANISHTJA

Një autor shton se e “vërteta lidhur me vrasjen e Hasan Alisë dhe grupit të tij është kjo se, këta trupa janë helmuar diku gjatë rrugës dhe janë sjellë në Bistricë të vdekur. E dikush nga organet e sigurimit ua ka dhënë disa plumba sa për ta arsyetuar gjithë atë arsenal ushtarak në atë pritë. Pra, nëse ata janë vra në Bistricë, ata do të ishin bërë shosh nga plumbat e gjithë atyre rrathëve ushtarakë e policorë, ku populli nuk i kishte mundur t’i njihte trupat e pajetë të tyre. Por, pasi Kosova u lirua, ndërroi gjendja. Dikush lehtë e kishte të tregojë se ku gjenden eshtrat e grupit të Hasan Alisë dhe grupi të tij.

Për herë të parë, më 10 tetor 2008 u shënua 50-vjetori i vrasjes së Hasan Alisë. Pikërisht në datën e flijimit të Hasan Alisë, koçakut të fundit të Ballit Kombëtar, më 10 tetor të vitit 1951, atë ditë, familjarët vunë lule mbi varrin kolektiv të tyre në oborrin e ish-kazermës ushtarake të APJ-së në Gjilan.

Aty është identifikuar varri i Hasan Alisë me grupin e tij. Ishte kjo një fshehtësi e së vërtetës në tokë, por edhe një tradhti, në vrasje enigmatike. Tash e 65 vjet pa u vendosur asnjëherë lule mbi varrin e pesë flijimtarëve dëshmorë: Hasan Alia, Agush Mehmeti, Mustafë Kokaj, Qibrije B. Mehmeti dhe Rabije A. Kokaj, të cilët, si një, synuan lirinë e Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë Mëmë. Edhe sot e kësaj dite, eshtrat e këtyre atdhetarëve rrinë të qetë pa i lëvizur për ti zhvarrosur atje ku e kanë vendin.

Tash dihet vendi i flijimtarëve. Grupi i Hasan Alisë, ku kanë bërë pjesë edhe Agush Haziri nga Bresalci me bashkëshorten Qibrijen dhe Mustafë Rushiti-Koka me bashkëshorten Rabijen, konsiderohen rezistuesit e fundit të armatosur të Ballit Kombëtar ndaj pushtetit komunist jugosllav, nga i cili u likuiduan në vitin 1951, diku në pritë, ose në tradhti. E tëra kjo bazohet në dëshminë e qytetarit Halim Jetishi, ish-vozitës në Lidhjen Socialiste të Popullit Punonjës, gjatë viteve të shtatëdhjeta, i cili thotë se një shofer serb, i quajtur Gjoka, që asokohe punonte në Komitetin Komunal të Lidhjes së Komunistëve, i kishte treguar me një rast, kur ndodheshin në kazermë, se pikërisht aty ishte varrosur Hasan Alia. Madje, Gjoka, sipas Jetishit, e kishte saktësuar edhe vendin, duke i thënë “mbaje mend se 53 hapa nga kantina ndodhen eshtrat e Hasanit me shokë”.

Por, që e vërteta të dalë nga thellësia e tokës, institucionet e shtetit të Kosovës e kanë për obligim ta gërmojnë këtë hapësirë dhe t`i nxjerrin eshtrat e Hasanit dhe grupit, të cilët supozohet të jenë groposur në një thellësi të konsiderueshme.

Ndërkaq, Ejup Haziri nga familja Agushit, thotë se shtylla që është ngulitur aty, pas 60 vitesh, ku besohet të jenë eshtrat e njerëzve të tyre, dëshmon se shteti i Kosovës i ka rrënjët thellë, duke shprehur bindjen se, nën përkujdesjen e institucioneve të këtij shteti të ri, besoj, një ditë prej ditëve të afërta, do të organizohet rivarrosja e eshtrave të pjesëtarëve të fundit të ballit kombëtar, ashtu siç e meritojnë këta atdhetarë të kombit.

Hasan Alia nga Remniku, për disa vite rresht, ishte bërë sinonim i tmerrit për pushtuesit serb dhe ka qenë simboli i rezistencës së pushtimit jugosllav gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Se kur do të zhvarrosen eshtrat e Hasan Alisë dhe grupit të Koçakëve të fundi, akoma nuk dihet./tefik selimi/rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.