Eko Higjiena

Një triptik i turpshëm në kujtim të Nënë Terezës

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Ilir Yzeiri- Sot ne duhet të bëjmë të gjithë sikur jemi krenarë me kujtimin e Nënë Terezës, megjithëse amanetin e saj e kemi shkelur me të dyja këmbët dhe në ditën e përkujtimit të saj një grup të përndjekurish politikë po vetëflijohen se një ish-komunist nuk pranon të dialogojë me ta

1. Si e mashtruam Nënë Terezën

Në vitin 1979, çmimi “Nobel” i paqes, shpërbleu punën e palodhshme të Nënë Terezës në favor të të varfërve dhe personave që ishin duke dhënë shpirt, duke i dhënë një autoritet botëror asaj që shumë prej adhuruesve e konsiderojnë si një shenjtore. Në çastin e marrjes së çmimit “Nobel” në vitin 1979, ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

“Shenjtore e të varfërve”, ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në moshën 87 vjeç, pas një gjysmë shekulli shërbim ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën. Ajo prehet në selinë e Urdhrit të Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta. Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza e Kalkutës u lumturua më 19 tetor 2003 nga Papa Gjon Pali II. 19 Tetori është shpallur festë kombëtare nga qeveria shqiptare.

Shqiptarët duhet të vetëdijësohen përsëri e përsëri se Shqipëria është vendi që ka përdhosur amanetin e shenjtores së madhe dhe shtetarët e këtij vendi sillen sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Që përpara tre vjetësh në kuadër të programit “Hapur” kam realizuar dy reportazhe investigative me titullin “Përse nuk u mbajt amaneti i Nënë Terezës?”. Në këta dy reportazhe kam kërkuar se përse nuk u ngrit spitali që iu premtua asaj në vitin 1992.

Unë nuk do të pushoj së shkruari për këtë argument. Dhe i ftoj edhe kolegët e mi që të investigojnë e të pyesin se përse Fondacioni “Zoja e Këshillit të Mirë” që ka marrë 100 000 metra katrorë tokë për të ndërtuar spitalin me emrin e Nënë Terezës nuk po e ndërton atë. Këtë terren ky fondacion, në emër të Kishës katolike shqiptare, e ka blerë për vetëm 1000 euro. Mirëpo në këtë terren është ngritur një universitet privat dhe nuk është ngritur spitali me emrin e Nënë Terezës. Qeveria shqiptare dhe Kisha Katolike kanë nënshkruar një marrëveshje që është bërë ligj dhe që mban nr. 8608, datë 27.4.2000 për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

Spitali që duhej ndërtuar brenda dhjetë vjetësh ende nuk është ndërtuar. Para disa kohësh edhe Gjykata e Llogarive të Lazios dha alarmin se ku kishin shkuar fondet për ndërtimin e spitalit të Tiranës, por ende asnjë shenjë. Të vetmen gjë që ka bërë ky fondacion është gjyqi që ka hapur kundër meje dhe kolegut A. Stefani, ndaj të cilit u tërhoq përpara disa kohësh. Unë sot dua të pyes publikisht Tritan Shehun që flet kur nuk e pyesin për të gjitha problemet e kësaj bote, por asnjëherë nuk është përgjigjur se përse nuk u ndërtua spitali i Nënë Terezës. E pyes publikisht atë sepse ai është nënshkruesi i aktmarrëveshjes, sepse në atë kohë ishte ministër Shëndetësie i Partisë Demokratike. Sali Berisha ka murosur në themelet e atij spitali aktmarrëveshjen si një formë pergamene në atë vit kur u hodhën themelet e reja për ndërtimin e atij spitali, por edhe ai hesht. Po sot çfarë gënjeshtre do t’u thoni shqiptarëve. Përse nuk e kini mbajtur amanetin e Nënë Terezës. Dhe a ju vjen ndopak turp?

2. Faleminderit Ilir Meta, unë nuk vij me ty në Europë.

Hidromorava

Pjesa e dytë e këtij triptiku të dhimbshëm lidhet me një deklaratë që shefi i LSI-së bëri para disa ditëve kur tha se ai dhe partia e tij do t’i bëjnë shqiptarët europianë dhe do ta çojnë Shqipërinë në Europë. Faleminderit, Ilir! Unë, por edhe shumë si unë, nuk vijnë dot në atë Europë, unë do të rri në Shqipëri dhe kurrë nuk do të pranoj që të vij me ty në Europë. Në qoftë se në Europë do të shkoj me ty, unë nuk e dua atë Europë. Më pëlqen më mirë Shqipëria ime e paintegruar. Po si do të më çosh në Europë, me çfarë vlerash?

Do të shkojmë që t’u tregojmë atyre filmin e allishverisheve dhe të ryshfeteve, do të shkojmë me bllokun tënd të famshëm? Jo, faleminderit! Në atë Europë ik vetëm, unë të paktën nuk vij. Nuk vij me ty dhe me Sali Berishën në atë Europë që ju e kini përdorur si çadër me yje për të abuzuar dhe për të ndërtuar shtetin më të përbindshëm që kanë parë shqiptarët në këta njëzetë e ca vjet. Në Europën tënde Ilir dhe të Sali Berishës unë nuk vij, sepse nuk mund të pranoj që të shkatërrohet sistemi i zgjedhjeve dhe të vidhet pasuria publike apo të vriten protestues me plumba kallashnikovi.

Ndaj edhe sikur për një çast ta përfytyroj veten si një pasagjer në autobusin e madh të drejtuar nga ti dhe që po na çon në Europë, unë do të ngrihem e do të bërtas. Ej, shofer, ndalo. Unë nuk mund të vazhdoj udhëtimin me ju, se më vjen për të vjellë. Unë do të zbres. Ju vazhdoni. Edhe ti, Ilir Meta duhet të ngresh zërin se përse nuk u mbajt amaneti i Nënë Terezës, sepse kur ke qenë Kryeministër ke firmosur një VKM për t’i dhënë edhe 50 000 metra katrorë tokë Fondacionit që në vend të spitalit bëri një universitet privat. Ndaj, po ta përsëris, faleminderit, por nuk mund të lë fëmijët e mi, familjen time dhe veten në dorën tënde. Unë nuk vij në Europë me ty Ilir Meta.

3. Të burgosurit politikë dhe Nënë Tereza

Në ditën e lumturimit të Nënë Terezës greva e të burgosurve politikë është futur në një pikë kritike. Kryeministri i vendit, po shfaqet gjithnjë e më shumë si një mbeturinë e komiteteve të partisë që etiketonte dhe sulmonte nëpër lagje me fletërrufe qafëleshët apo të molepsurit me shfaqje të huaja. Ndërkaq, greva e urisë e këtyre martirëve po tërheq vëmendjen thuajse të të gjitha organizmave ndërkombëtarë, ndër të cilat edhe atë të “Amnesty International”.

Mirëpo, pikërisht në ditën e shenjtë të lumturimit të Nënë Terezës, Kryeministri ynë shfaqet si një taleban dhe ka nxjerrë në shesh gjuhën e urrejtjes dhe të shpifjeve. Po të ishte gjallë Nënë Tereza sot dhe po të ishte në Tiranë ajo me siguri do të kishte shkuar te të burgosurit politikë për t’u mjekuar plagët. Dhe Sali Berisha si një komunist i bindur do ta kishte quajtur edhe atë ashtu siç e quante propaganda komuniste dikur Nënën Shenjtore. Duhet t’i falemi Zotit që Nënë Tereza ka ndërruar jetë dhe nuk do t’i dëgjojë sharjet që do të kishte derdhur mbi të Sali Berisha kur ajo të shkonte të mjekonte plagët e Gjergjit apo të Lirakut.

Epilog

Sot ne duhet të bëjmë të gjithë sikur jemi krenarë me kujtimin e Nënë Terezës, megjithëse amanetin e saj e kemi shkelur me të dyja këmbët dhe në ditën e përkujtimit të saj një grup të përndjekurish politikë po vetëflijohen se një ish-komunist nuk pranon të dialogojë me ta. Ky ish-komunist sot do të lutet për shpirtin e Nënë Terezës. Amen.