ARKATANA

Një tjetër çmim për “Ballkonin”

/ 7 minuta lexim
FIDANISHTJA

“Ballkoni” duket të jetë krijimi më me fat i saj. Për regjisoren Lendita Zeqiraj ky film i metrazhit të shkurtër ishte bileta më e “lirë”, për pjesëmarrje në më shumë se 80 festivale. E derisa po punon në projekte tjera artistike, regjisorja flet për Tribuna për sukseset e fundit që ka arrit përmes “Ballkonit”. Për çmimin e fundit që mori në ‘New Jersey Film Festival’, si dhe për pjesëmarrjen e saj të radhës në festivalin e Nju Jorkut ‘Haptons International Film Festival.

Ka marrë udhë për New York, sepse atje e pret një tjetër sukses. Regjisorja Lendita Zeqiraj po e qon “Ballkon-in” e saj për pjesëmarrje në festivalin ‘Haptons Interbational Film Festival’. E këtë rrugëtim ajo e nisi me gëzimin për suksesin e fundit që pati në një tjetër qytet amerikan. Atë të shpërblimit me çmimin “Best Short Film Award” të fituar në New Jersey Film Festival. “Tani posa po flas me ju, e mora lajmin që “Ballkoni” mbrëmë u shpërblye në ‘New Jersey Film Festival’ në SHBA me çmimin ‘Best Short Film Award”, tregoi Zeqiri, ndërsa fliste për çmimet e shumta që krijimi i saj ka marrë. Ajo aktualisht është e përkushtuar edhe rreth filmit të metrazhit të gjatë “Shpija”, ndërsa projektet për filma të ngjashëm si ky i fundit tregon se po i vazhdojnë, bashkë me sukseset e papritshme që po arrin

Tribuna: Ballkoni po shijon suksesin tjetër…atë të fitores në Greqi dhe çmimin “Best Regional Short”. Ju si krijuese e tij si po e jetoni këtë sukses aktual?
Zeqiraj: Kur puna shpërblehet, natyrisht që është një kënaqësi shumë e madhe. Dhe këtë sukses e ndaj me gjithë ekipin dhe njerëzit që kanë ndihmuar gjatë realizimit, dhe kjo pastaj është një ndjenjë e shumëfishuar.

Thyen rekordet

Tribuna: Sa janë çmimet që “Ballkoni” ka marr deri më sot, që prej krijimit të tij?
Zeqiraj: Shifrat po ndryshojnë dita ditës, sepse tani posa po flas me ju, e mora lajmin që “Ballkoni” mbrëmë u shpërblye në New Jersey Film Festival në SHBA me çmimin ‘Best Short Film Award’. Por lirisht mund të them se deri më tani, “Ballkoni” ka thyer rekordin duke qenë pjesëmarrës dhe duke garuar për filmin më të mirë në mbi tetëdhjetë festivale ndërkombëtare, prej të cilave tridhjetë sosh janë festivale prestigjioze të kategorisë A, B dhe kualifikuese për çmimin OSCAR. Filmi është nominuar duke hyrë në rrethin e ngushtë të filmave më të mirë në rreth tridhjete festivale ndërkombëtare dhe është shpërblyer me dhjetëra herë. Por unë do ta veçoja çmimin e parë që “Ballkoni” mori në AFI FEST – Festivalin e Institutit Amerikan të Filmit, ku u shpërblye me ‘Special Jury Award’. Ishte ky një çmim me të vërtetë i papritur sepse ishte nder i madh që një film nga Kosova i realizuar me një buxhet modest, po konkurronte me industritë më të fuqishme të botës. Dhe kur filmi im u vlerësua lart duke u shpërblyer me një çmim prestigjioz të Institutit më të lartë të filmit në Amerikë, ishte me të vërtetë një ndjenjë e papërshkrueshme, por edhe frytdhënëse.

Tribuna: Sa ju motivon për krijime tjera, suksesi që po arrini këto kohë juve si krijuese filmi?
Zeqiraj: Është shumë motivuese kur filmi vlerësohet në pothuaj çdo qoshe të botës, duke bërë kështu që stili im personal të konfirmohet. Por ajo që më së shumti më jep ndjesinë e kënaqësisë dhe të suksesit është prezantimi i tij para audiencës, sepse kudo që është shfaqur ka pasur një audience shumë aktive dhe është pëlqyer si nga juria e kritikët profesional të filmit, po ashtu edhe nga audienca. Kjo për mua është një sukses shumë i madh, sepse kur puna juaj pranohet dhe merr vlerësime në mbarë botën, është me të vërtetë një ndjenjë e papërshkrueshme. Zaten, ky ishte qëllimi im. Të ndaj me audiencën një copëz të jetës sime të përditshme, një ndjenjë dhe një mendim. Dhe kur filmi ndjehet e kuptohet, ndjehet e pranohet nga audiencat nga më të ndryshmet dhe nga kultura e mentalitete të ndryshme nga të gjitha kontinentet e botës në çdo qosh të botës, kjo për mua është kënaqësia më e madhe, arritje e qëllimit për të cilën edhe realizohet filmi – si art i masës.

Mobi Casa

Tribuna: Aktualisht jeni përqendruar në sukseset e “Ballkonit” apo po punoni në ndonjë tjetër projekt filmik?
Zeqiraj: Të them të drejtën, me “Ballkonin” tani merret ekskluzivisht producenti i filmit “Ballkoni”, Bujar Kabashi, i cili bën edhe distribuimin e filmit. Ndërsa unë i kam të hapura disa projekte filmike, prej tyre filmi i gjatë “SHPIA”, skenari i të cilit është vlerësuar shumë duke arritur suksese qysh në fillim dhe duke u shpërblyer me tri çmime shumë të rëndësishme ndërkombëtare – për të cilat as që kam ëndërruar se mund të shpërblehem ndonjëherë. Çmimi i fundit që posa mora lajmin është Golden Prize Award në Hollywood Screenplay Contest, pastaj në New York Screenplay Contest dhe Grand Prize Award në American Movie Award. Janë këto të gjitha çmime të marra një pas një të skenarit i cili është vlerësuar lartë për shkak të stilit origjinal e të veçantë, gjë që për mua është edhe një konfirmim i punës së vazhdueshme dhe njëherësh janë paralajmëruese të suksesit të filmit.

‘Filmi shqiptar po depërton në botë, me apo pa përkrahje shtetërore’

Tribuna: Mendoni që do t’ju takojmë me ndonjë film të metrazhit të gjatë?
Zeqiraj: Po, shumë shpejt. Tanimë i kemi tri produksione të huaja të bashkangjitura me projektin dhe që të tria së bashku janë duke u marrë me grumbullimin e buxhetit, të cilin besoj shumë shpejt do t’ia arrijmë ta mbledhim dhe të fillojmë punën.

Tribuna: Na thuaj ftesat që tashmë keni marrë apo destinacionet që e presin “Ballkonin” bashkë me ju?
Zeqiraj: Po, në fakt vetëm për muajin tetor, filmi “Ballkoni” do të udhëtojë në 14 festivale ndërkombëtare. I pari është në Hemptons International Film Festival ne New York, një festival shumë i rëndësishëm, i cili është edhe kualifikues për çmimin OSCAR, dhe të tjerët me radhë, por që tani nuk mund të flas, sepse produksioni do t’ju informojë në momentin që kjo do të jetë e mundur.

Tribuna: Si e vlerësoni filmin në përgjithësi në vend…është në rrugën e duhur?
Zeqiraj: Filmi është në një gjendje jo të favorshme sepse mungojnë mjetet dhe përkrahja e duhur. Por fatmirësisht, përkundër këtij fakti, filmbërësit dhe artistët po vazhdojnë të punojnë dhe po ndjehet një frymë e re, ashtu siç ka ndodhur edhe në vendet tjera në kohët e krizave shoqërore. Prandaj jam shumë optimiste se me apo pa përkrahje shtetërore, filmi kosovar tanimë i ka hapur dyert e hekurta dhe po shkrep shkëndijat e para duke zgjuar kureshtje jashtë vendit.