Fundamenti

Një skicë pa vajtim për Arbën Xhaferin

/ 7 minuta lexim

Nga Mero Baze-Arbën Xhaferi ishte skifteri që prishi inercinë jugosllave të shqiptarëve në Maqedoni. Në fund të vitit 1993, kur Partia e Prosperitetit Demokratik u përfshi në një krizë të rëndë politike për shkak të lidhjeve të disa politikanëve të saj me strukturat e vjetra ish- jugosllave të Maqedonisë, që çuan në inskenimin e skandalit të armëve nga Shqipëria, Arbën Xhaferi, Rufi Osmani dhe Menduh Thaçi ishin grupi i politikanëve të rinj, që kërkuan të marrin në dorë fatet e shqiptarëve në Maqedoni.

Arbën Xhaferi, një ish- gazetar i radiotelevizionit të Prishtinës, i shkolluar në Beograd, me një simpati të fshehtë për nacionalkomunizmin e Tiranës së Hoxhës dhe i qartë në mbështetjen e ndryshimeve demokratike, ishte kthyer në Tetovë, vendlindjen e tij, për të hyrë në politikë. Të mbështetur ndoshta më shumë se ç’duhej nga Tirana zyrtare, ata tentuan të marrin udhëheqjen e kësaj partie gjatë vitit 1994 në Kuvendin e saj. Arroganca e Tiranës zyrtare për të vendosur një protektorat mbi shqiptarët në Maqedoni, dëmtoi liderët e rinj që kërkonin udhëheqjen e Prosperitetit Demokratik të Shqiptarëve, të cilët nuk ia dolën të bëheshin drejtues të saj. Por ata sidoqoftë ndikuan në ndryshimin e thellë të partisë dhe reformimin e saj dhe largimin e gardës së vjetër nga udhëheqja.

Aksioni politik i shqiptarëve në Maqedoni u forcua. Në periferi të Tetovës u hap në kushte modeste universiteti i Tetovës dhe nga ndërhyrja e policisë pati një të vdekur. Pas një debati gati një vjeçar për legjitimitetin e udhëheqjes, Xhaferi dhe Thaçi krijuan Partinë Demokratike të Shqiptarëve. E pata vizituar disa herë në zyrën e tij në Tetovë në atë kohë dhe ndjeja thellë ngurrimin e tij për të krijuar një parti të re, ndërkohë që shpresonte se shqiptarët mund t’ia dilnin më mirë me reformimin e Prosperitetit Demokratik. Ndërkohë partneri i tyre autoritar në parti, Rufi Osmani, udhëhoqi protestat në ngjarjet e Gostivarit në vitin 1997 për ngritjen e flamurit shqiptar dhe u burgos nga autoritetet. Burgosja shkaktoi distancën e tij nga partia e Xhaferit dhe më pas në liri formimin e një subjekti të ri politik.

Deri në atë kohë Xhaferi dhe Thaçi njiheshin si dy politikanë të mbështetur fort nga Tirana zyrtare dhe Sali Berisha, e cila thuajse kishte injoruar fare ekzistencën e palës tjetër tek shqiptarët në Maqedoni. Në ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri, Xhaferi ishte fillimisht në anën e Berishës dhe iu desh kohë të vendoste raporte normale me socialistët e rikthyer në pushtet në Tiranë, tek të cilët dyshonte se do mbështesnin kundërshtarët e tij të majtë, ish- komunistë.

Për herë të parë partia e Xhaferit hyri në koalicion me nacionalistët maqedonas të VMRO në vitin 1998 së bashku me Prosperitetin Demokratik, rivalët e tyre, dhe ishin një faktor vendimtar në pritjen e refugjatëve të luftës së Kosovës në vitin 1999. Ai pati disa suksese ngazëlluese në zgjedhjet lokale që pasuan dhe arriti të dominojë ish- Partinë e Prosperitetit Demokratik, e cila nuk po mbijetonte dot më.

Xhaferi arriti të rivendosë ndërkohë raporte të mira dhe me qeverinë e re të Tiranës, sidomos me ardhjen në pushtet të Pandeli Majkos. Ai bëri deklarata të qarta distancimi nga Berisha dhe punoi fort me Tiranën zyrtare, sidomos gjatë luftës së Kosovës. Ai ishte mbështetës i madh i Hashim Thaçit në krye të UÇK dhe më pas në politikë, por dhe një mik i hershëm i Surroit dhe brezit të ri të intelektualëve në Kosovë.

Fidanishtja

Kriza e parë e fortë e faktorit politik shqiptar në Maqedoni ndodhi në vitin 2001, kur guerrilasit shqiptarë në Maqedoni organizuan rezistencë ushtarake ndaj pushtetit, në të cilin bënte pjesë dhe Xhaferi. Rivalët e tyre shqiptarë në qeveri, u larguan nga qeveria në shenjë proteste, dhe PDSH mori ngarkesën e partnerit të maqedonasve. Lufta e shqiptarëve në Maqedoni, e cila çoi në Marrëveshjen e Ohrit, ishte një rezistencë e kombinuar shumë mirë mes asaj që duhet të bënin shqiptarët dhe asaj se deri ku e mbështesnin ndërkombëtarët këtë luftë. Luftëtarët në përgjithësi udhëhiqeshin nga fraksione nacionaliste, të frymëzuar nga lufta e Kosovës dhe nga e drejta e tyre e ligjshme për më shumë të drejta në Maqedoni.

Kjo ishte koha kur partia e Xhaferit dhe Thaçit pati dhe krizën më të madhe morale në Maqedoni. Të përfshirë në strukturat korruptive të pushtetit maqedonas, në disa raste ata nuk ditën të ndajnë të drejtën e shqiptarëve për të kërkuar më shumë liri në Maqedoni nga ambiciet që ata shihnin tek rivalët e tyre për t’i përmbysur nga pushteti. Për Menduh Thaçin, ajo vazhdon të mbetet një grusht shteti brenda shqiptarëve, por Xhaferi e tejkaloi meskinitetin e njerëzve të tij në pushtet dhe diti ta çonte luftën tek Marrëveshja e Ohrit, kuadri ligjor i së cilës në të vërtetë e kthen Maqedoninë në një shtet federal me të drejta proporcionale mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Por edhe 11 vite më vonë, shqiptarët janë larg realizmit të plotë dhe real të Marrëveshjes për arsyen e thjeshtë se ata nuk kanë arritur të faktorizohen si shqiptarë, por si partnerë të fraksioneve maqedonase, herë VMRO e herë socialdemokratëve.

Pas kësaj në skenë doli partia e dalë nga UÇK e Ali Ahmetit, një ish- lideri të UÇK në Kosovë, pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës në Perëndim, një nacionalkomunist tipik, që predikonte idealizëm, pastërti dhe të drejta për shqiptarët. Përfshirja e tij në qeverinë e pasluftës në koalicion me socialdemokratët maqedonas, i dha atij shansin të ndryshonte elitën politike në Maqedoni dhe të nxirrte në pah figura të reja politike, që megjithatë ndriçuan, por nuk shkëlqyen kurrë. Pak nga pak në partinë e Arbën Xhaferit pushteti po kalonte tek krahu organizativ i saj, Menduh Thaçi, i cili në vitin 2006 arriti të rihynte në pushtet me nacionalistët e Gruevskit. Pas gati dy vitesh qeverisje dhe përfolje për korrupsion, koalicioni ra.

Arbën Xhaferi i ishte shmangur drejtimit të partisë qysh kur hyri në koalicion, dhe më pas i pafuqishëm të ndalte më rrënimin e klasës politike shqiptare në Maqedoni, u hoq mënjanë. Faktori politik shqiptar në Maqedoni degradoi në primitivizëm dhe vjedhje votash. Krahu i luftëtarëve të dalë nga UÇK arrin të marrë përqindje marramendëse votash në pjesën perëndimore të Maqedonisë, sidomos në Kërçovë, ndërsa demokratët e Thaçit mbajnë ende rrethinat e Tetovës dhe një lagje të Shkupit si bastione të tyre.

I lodhur nga ky dualitet primitiv, Arbën Xhaferi la mënjanë partinë që themeloi dhe për shkak të sëmundjes së tij të gjatë dhe të mundimshme dhe u përpoq të ishte një zë origjinal, gjakftohtë dhe qetësues për shqiptarët në Maqedoni.

Sot që ai mungon jam i sigurt se të gjithë do e vajtojnë mungesën e tij, e cila për fat të keq mund të inkurajojë më shumë primitivizmin dhe mungesën e vlerave në hapësirën shqiptare në Maqedoni, por dhe më gjerë. Vetëm për kaq ia kish vlejtur të mos ikte kaq shpejt dhe aq i pafat në ëndrrën e tij për ta bërë perëndimore politikën plot dritëhije të shqiptarëve në Maqedoni.