Hidromorava

Një Serbi shumë larg BE-së

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Nëse dikush ende ka shpresuar se Serbia ka ndryshuar qasjen, se ajo vërtetë beson në parimin e fqinjësisë së mirë dhe vepron për të arritur këtë fqinjësi, se ajo dëshiron dhe punon për paqe e jo për luftë e dhunë, se ajo e dëshiron Evropën duke përqafuar parimet e standardet evropiane të respektimit të fqinjëve, të demokracisë, të lirisë e sigurisë, u dëshmua se e kishin shumë gabim mbrëmjen kur u zhvillua ndeshja e futbollit në mes të Shqipërisë dhe Serbisë. Si duket, shpresat më të mëdha se Serbia ka ndryshuar ishin pikërisht të Bashkimi Evropian dhe kjo u tregua nëpërmjet një deklarate tejet joprofesioniste nga Maja Kocijancic, zëdhënëse e Baroneshës Ashton (EEAS).

Kjo deklaratë, që fatmirësisht nuk gjeti përkrahje nga zyrtarë të tjerë të BE-së (së paku jo publikisht), tregoi se sa joparimore nganjëherë mund të jetë politika e Bashkimit Evropian dhe standardet e dyfishta që i zbaton në raport me shtetet që synojnë BE-në.

Deklarimi se institucionet e sigurisë së Serbisë ishin sjellur në mënyrë profesionale tregon jo vetëm injorimin e situatës në terren, por edhe një besim symbyllazi ndaj autoriteteve të Serbisë, të cilat në vend se të mbronin lojtarët e Shqipërisë, u bënë pjesë e sulmeve ndaj tyre si në fushë, ashtu edhe pas strehimit në tunel drejt zhveshtores. Deklarata zyrtare e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka treguar për rrethana tejet të papërshtatshme të sigurisë qysh nga momenti i arritjes së ekipit shqiptar në aeroportin e Beogradit, ku pak a shumë trajtoheshin si terroristë, gjatë lëvizjes së autobusit për në vendin ku do të zhvillohej ndeshja, si dhe sulmet verbale e me objekte të ndryshme të forta (përfshi fishekzjarre) në fushë. Prandaj, pavarësisht asaj se a do të lëshohej fluturakja me flamurin dhe hartën e Shqipërisë etnike, kjo ndeshje ishte e destinuar të ndërpritej për shkak të dhunës së huliganëve serbë në bashkëpunim me autoritetet serbe të sigurisë.

FIDANISHTJA

Se Serbia e ka dhunën si mjet kryesor të veprimit të saj u dëshmua edhe disa ditë pas, ku huliganë të ngjashëm, që mund të kenë qenë edhe të njëjtit që u përfshinë në incidentet e ndeshjes Shqipëri-Serbi, nxitën dhunë në stadium në një ndeshje mes dy ekipeve serbe dhe djegën flamurin shqiptar. Fatkeqësisht, këta huliganë, i takojnë një gjenerate të re, pra gjeneratës nga e cila pritet një ndryshim i qasjes dhe lënia pas e të kaluarës së shëmtuar dhe luftërave që ishin shkaktuar nga Serbia. E ardhmja evropiane e Serbisë është në duart e njerëzve të tillë, të cilët thërrasin për vrasje e zhdukje të shqiptarëve e kroatëve, pra të fqinjëve të tyre. Këto klithma të fuqishme nga i tërë stadiumi dhanë përgjigje të qartë se si e sheh Serbia veten si pjesë të BE-së. Prandaj, të gjithë ata që bëjnë vlerësime objektive të kritereve për anëtarësim, ku kriteri i fqinjësisë së mirë është esencial, e kanë kuptuar se kjo Serbi është shumë larg BE-së.

(Autorja është anëtare e Kryesisë së LDK-së dhe deputete në Kuvendin e Kosovës. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.