Hidromorava

Një pushtet mbi vezë

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Nga Imer Mushkolaj – Nuk mund të gjendet metaforë më e mirë sesa vezët, për të përshkruar qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa. Vezët klloçkë që nuk çelin kurrë. Ashtu siç nuk u bënë kurrë “zogj” premtimet e tij se nuk do të qeveriste kurrë bashkë me Hashim Thaçin dhe nuk po realizohen ato për qindra mijëra vende pune e zhvillim ekonomik. Kjo është një qeverisje mbi vezë që në çdo moment mund të thyhen
Pushtet i fortë me numra, por i brishtë në qeverisje. Kështu mund të përkufizohet qeverisja e deritashme e Mustafës i cili, në vend se të merret me zgjidhjen e problemeve te qytetarëve, shumicën e kohës është marrë me kritika, sharje dhe fyerje ndaj gazetarëve, shoqërisë civile e opozitës.

Me qasje arrogante dhe përjashtuese, Mustafa nuk ia ka dalë të krijojë një klimë të përshtatshme dhe hapësirë për të qeverisur. Jotransparent dhe jobashkëpunues edhe për çështje të rëndësishme, siç janë marrëveshjet me Serbinë, ai është vënë në shënjestër jo vetëm të opozitës, por edhe të medias kritike dhe të organizatavë të shoqërisë civile.

Joparimor dhe jokonsistent në qëndrime, ai është kthyer tashmë në një person të urryer nga opozita edhe më shumë se zëvendësi i tij. Jorastësisht – dhe me fajin e tij.

Sepse njerëzit e votuan isa Mustafën të qeveris ndryshe, e jo si Hashim Thaçi, jo me Hashim Thaçin.

Sepse njerëzit e votuan Isa Mustafën që Hashim Thaçi të mos mbetet më në pushtet – e votuan me premtimet për zhvillim ekonomik e punësim. E çfarë bëri Mustafa? Pikërisht atë që nuk duhej ta bënte. Ia zgjati jetën Thaçit në pushtet, e ia lidhi duart vetes.

Kush do t’i besojë më se e ka seriozisht, me përjashtim të atyre që u ka dhënë poste e privilegje – në emër të “qeverisjes ndryshe”.

* * *

Plot histeri u komentua aksioni simbolik i gjuajtjes me vezë nga deputetët opozitarë në drejtim të kryeministrit. Thua se diçka e tillë po ndodhte për herë të parë dhe vetëm në Kosovë.

Isa Mustafa po tentonte të shpjegonte çfarë kishte nënshkruar me Serbinë në Bruksel, ndërkohë që asnjëherë më parë nuk e kishte marrë mundin që as me opozitën, as me shoqërinë civile të paktën formalisht t’i diskutonte çështjet për të cilat bisedonte me homologun serb.

Deputetët e opozitës, ndërkaq, nëpërmjet aktit të hedhjes së vezëve në drejtim të Mustafës shfryen gjithë frustrimin dhe mllefin e mbledhur ndaj tij që nga koha e Bllokut, kur ai kishte vendosur t’i hidhej Thaçit në qafë. Përveç kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, opozitarët po e gjuanin Mustafën edhe për shkak të këtij akti të tradhtisë, siç e konsiderojnë ata.

Dhe, njësoj si deputetët, Mustafën me siguri do ta gjuanin me vezë edhe qindra mijëra qytetarë të cilët nuk po shohin se qeverisja e tij po shkon në drejtim të duhur, e lëre më se jeta e tyre e mjerë ka nisur të përmirësohet.

Do ta gjuanin me vezë të papunët, të varfërit, të pazotët, ata që kanë nevojë për ndihmë, e jo për demagogji.

Eco Higjiena

Do ta gjuanin me vezë dhjetëra mijëra të tjerë që të zhgënjyer braktisën vendin dhe mësyen rrugët e Europës.

Do ta gjuanin me vezë të sëmurët, që kanë nevojë për shërbime mjekësore më të mira, e jo sistem

shëndetësor të korruptuar.

Do ta gjuanin me vezë veteranët e vërtetë të luftës që ende nuk po i gëzojnë privilegjet edhe shkaku i mbushjes së listave me matrapazë.

Do ta gjuanin me vezë punëtorët e mbetur rrugëve, për shkak të shitjes së fabrikave ku kanë punuar dekada me radhë.

Do ta gjuanin me vezë banorët e fshatrave që nuk kanë shkolla e ambulanca, nuk kanë rrymë, jetojnë me ndihma sociale. Ata, të cilëve iu janë uzurpuar pronat dhe madje nuk kanë mundësi që lirshëm t’i vizitojnë as varrezat e më të dashurve.

Do ta gjuanin me vezë qytetarët që jetojnë si në burg, pa pasur mundësi të lëvizjes së lirë. Ata që kanë pritur që Mustafa të mos shesë demagogji, por të kryejë punë e të përmbush premtime. Ata që i kanë besuar kur ka thënë se do t’i depolitizonte bordet e ndërmarrjeve publike, administratën e shërbimin diplomatik, por që i ka shndërruar ato në çerdhe militantësh të partive në pushtet.

Do ta gjuanin me vezë qytetarët që pritnin forcim të sistemit të drejtësisë e luftim të korrupsionit, e jo vazhdim të kapjesë së këtij sistemi nga të fortët që janë mbi ligjin, e që ligj të vetëm e kanë hajninë, krimin e korrupsionin.

* * *

Isa Mustafa dhe qeveria e udhëhequr nga ai meritojnë të gjuhen me vezë edhe për shumë arsye të tjera. Nuk është pa faj edhe për situatën e krijuar së fundi në Parlament. Si profesor menaxhmenti, mbetet të shihet se si do ta menaxhojë atë. Ndonëse përvoja e gjatë e ligjëruesit të menaxhmentit financiar mund t’i ketë shërbyer më shumë në kohën sa ka qenë ministër i Bujar Bukoshit.

Por, vërtet nuk mund të gjendet metaforë më e mirë sesa vezët, për të përshkruar qeverinë e udhëhequr nga Mustafa. Vezët klloçkë që nuk çelin kurrë. Vezë që nuk shndërrohen kurrë në “zogj” – realizim të premtimeve të dhëna qytetarëve. Kjo është një qeverisje mbi vezë që në çdo moment mund të thyhen.