Një popull mashtrues
Nga Imer Mushkolaj – Për të përfituar paligjshëm nga shteti, grekët mashtronin sa mundnin. Libri i gazetarit James Angelos sjellë dëshmi të pabesueshme. Ngjashëm mashtrojmë edhe ne. Pastaj flasim për shtet.
Grekët jo rastësisht ndodhen në një situatë të vështirë dhe Greqia jo rastësisht para falimentimit. Të paktën kështu e paraqet problemin grek një gazetar i “Wall Street Journala”, James Angelos, i cili në një libër shfaq përmasat e mashtrimit, korrupsionit dhe kriminalitetit në Greqi dhe përpiqet t’i jep përgjigje pyetjes: “Si ra Greqia?”.
Libri “The Full Catastrophe: Travels among the Neë Greek Ruins” zbulon se sa korrupsioni është futur në të gjitha poret e shoqërisë greke – që nga banorët e ishullit të vogël që shtiren se janë të verbër në mënyrë që të përfitojnë beneficione nga shteti, deri tek mjekët “e varfër” që lajmërojnë fitim të vogël, ndërkohë që bëjnë jetë luksoze në lagjet elitare të Athinës. Një vështrim krejt ndryshe në situatën e vështirë në të cilën gjendet shteti helen.
Libri sjell detaje për mashtrime të pabesueshme që kanë të bëjnë sidomos me shgmangien nga tatimet, gjë që ka ndikuar jashtëzakonisht në dobësimin e buxhetit të shtetit. Natyrisht, nuk janë grekët ata që i kanë shpikur këto mënyra të mashtrimit dhe nuk është Greqia i vetmi vend ku ato ndodhin, ama për diçka janë të veçantë: ndryshe nga vendet tjera anëtare të BE’së, sipas librit, shtrirja e korrupsionit dhe kriminalitetit është shumë e gjerë, që nga nivelet më të ulëta të shoqërisë dhe shtetit.
Një ndër shembujt më të pabesueshëm që gazetari e përmend në libër është i ashtuquajturi “ishulli i të verbërve”. Bëhet fjalë për ishullin Zakintos, ku Angelos kaloi pushimet verore më 2011. Atje ai dëgjoi një informatë të pabesueshme. Nga 6809 banorë të ishullit, 498 ishin të regjistruar si të verbër.
Natyrisht, ky ishte mashtrim për të përfituar beneficione, sepse Angelos kishte vërejtur se banorët e ishullit ngisnin makinat normalisht dhe gati asnjëri nga ta nuk bartte syze të të verbërve. Si “të verbër” që ishin, ata përfitonin nga 724 euro ndihmë çdo dy muaj dhe lehtësira financiare në shumë shërbime tjera. Një mashtrim ky që do të mund të zbulohej lehtë, po që se qeveria do të vendoste që në Zakintos ta dërgojë një oftamolog. “Të verbërit” e këtij ishulli, qeverisë i kushtonin 9 milionë euro.
Por, Angelos kishte zbuluar edhe të tjera mashtrime. Zëvendësministri i Shëndetësisë,
Markos Bolaris, i kishte rrëfyer se si ministria e tij iu kishte bërë thirrje numrit të madh të invalidëve që merrnin ndihmë nga shteti, që t’i nënshtroheshin kontrolleve mjekësore, në mënyrë që të verifikohej nëse vërtet ishin të tillë. 36 mijë të regjistruar si invalidë nuk ishin lajmëruar fare dhe shteti ua kishte ndalur pensionet, duke i kursyer rreth një milion euro në vit.
Ndërkohë, malverzime kishte shumë edhe me pensionet tjera. Kështu, qeveria e re kishte hulumtuar shifrën prej 8500 pensionistësh që ishin më të vjetër se 100 vjeç. Pas “krehjes” së sistemit pensional, qeveria zbuloi 40 mijë pensionistë të rrejshëm. Ishte vërtetuar se grekët masovisht “harronin” të njoftonin organet përkatëse kur iu vdiste ndonjë familjar dhe me vite e dekada përfitonin pensione në emër të të vdekurve.
Angelos shkruan se, sipas shifrave të vitit 2011, në sistemin tatimor grek ekzistonin vetëm pesë mijë persona që fitonin më shumë se 90 mijë euro në vit. Nga ekonomistët grekë ky fenomen përshkruhej si “vend i varfër me shumë pasanikë”.
Ndërkohë që qytetet janë plot vila me pishina, mjekët dhe biznismenët zyrtarisht njoftonin se fitojnë ndërmjet 8500 dhe 12 mijë euro. Vetëm 300 pronarë vilash kishin lajmëruar se posedonin edhe pishina dhe paguanin rregullisht tatim për to, por qeveria nëpërmjet Google Earth’it kishte zbuluar se pishina kishin hiç më pak se 20 mijë vila.
Sipas llogarive të Angelosit, shkaku i krejt mashtrimeve dhe shmangieve nga pagesa e tatimit, Greqia humbte në vit rreth 20 miliardë euro.
Por, kur Angelos i kishte thënë një zyrtari shtetëror se qeveria do të duhej të fillonte ndëshkimin e të gjithë hajnave dhe mashtruesve, përgjigjja që kishte marrë ishte interesante: “Epo, atëherë gjysma e grekëve do të përfundonin në burg!”. Një popull mashtrues!
* * *
A po ju duken të njohura këto mashtrimet e grekëve? A bëjnë edhe kosovarët të tilla gjëra? Po, shumë bile.
Sistemi i asistencës sociale është i mbushur plot mashtrues, të cilët marrin ndihma mujore, ndërkohë që punojnë. Por, në vendet e punës nuk janë të regjistruar zyrtarisht dhe fitojnë në të zezë, pa i përmbushur obligimet ndaj shtetit as ata, as punëdhënësit. Mashtrim pas mashtrimi.
Listat e veteranëve të luftës janë plot njerëz që kanë zënë vend aty pa meritë. Ata do të përfitojnë nga paratë tona.
Biznese të shumta që paguajnë tatim sa t’iu teket, që nuk ofrojnë kupona fiskalë dhe me ryshfet shlyejnë borxhe të grumbulluara me vite.
Të punësuar në administratën publike që vendin e punës e shohin veç si privilegj dhe të vetmen brengë e kanë se si të përfitojnë më shumë, pa meritë, nga shteti.
Mjekë të papërgjegjshëm që nuk luajnë vendit pa ua mbushur xhepat plot, që rekrutojnë pacientë për klinikat e veta private.
Studentë që kalojnë me para madje edhe provime të mjekësisë, tipa që avancohen në mësimdhënie duke mashtruar në mënyrë “akademike”, të tjerë që doktorojnë brenda natës dhe “rastësisht” janë edhe politikanë ose kanë lidhje të forta me politikën.
Nepotizëm e papërgjegjësi nëpër institucione, hajni e korrupsion.
Dhe, të gjitha këto ndodhin në një shtet të ri, të dërmuar varfërie e të brishtë demokracie. Në një vend që s’kanë çfarë i bëjnë krizat, se në krizë gjithnjë funksionon.
Ndërkohë, mashtrojmë çdo ditë veten, mashtrojmë çdo ditë shtetin. Dhe flasim për ligj. Dhe flasim për shtet.


