Eko Higjiena

Një opozitë pa krye

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Imer Mushkolaj – Partitë opozitare po bëjnë opozitë mllefi karshi Vetëvendosjes. Në vend që të kritikojë pushtetin dhe të ofrojë alternativa, opozita po përpiqet të fitojë poenë me diskursin patriot-tradhtar dhe duke akuzuar qeverinë për bëmat e veta ndër vite. Opozitë pa krye, aspak kreative.

Rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit duket të ketë qenë aq goditës për partitë që ishin në pushtet, sa që ende nuk e kanë marrë veten sa e si duhet në të bërit opozitë. Të gjendura përnjëherë në pozitë aspak të favorshme dhe me pak fuqi politike, partitë opozitare ende nuk po ia dalin të artikulohen si duhet, përballë një “përbindëshi” si Lëvizja Vetëvendosje që ka fituar më shumë se 50 për qind të votave.

Kur dëgjon deputetët opozitarë në Kuvend, teksa në formë dhe diskurs të ngjashëm përpiqen të sulmojnë pushtetin e ri, secili e kupton se kjo nuk është mënyra e duhur. Vitet e gjata në pushtet kanë bërë që opozita e tashme të mos e ketë kredibilitetin e duhur për të kritikuar, aq më pak në formën e njëjtë si Vetëvendosja dikur.

Në vend që të ofrojë alternativë për punët që pushteti nuk i ka bërë mirë gjatë këtij dymuajshi, zyrtarë të partive opozitare po luajnë në kartën e “tradhtarit” dhe “patriotit”, një diskurs irritues dhe aspak produktiv. Në vend që të kritikojnë veprimet, vendimet e fenomenet, partitë opozitare kanë zgjedhur përpjekjet për degradim të qeverisë e të kryeministrit.

Do të ishte gjithçka në rregull me këtë diskurs po që se të njëjtat parti të mos ishin në pushtet vite me radhë, mandat pas mandati. Do të ishte gjithçka në rregull po që se të njëjtat parti të mos kishin ndërmarrë veprime që tash i kritikojnë, të mos kishin marrë vendime të dëmshme që tash po shfuqizohen, të mos ishin sjellë me arrogancë e prepotencë.

Është e dhimbshme të dëgjosh kryetarin e një partie të vogël opozitare në Kuvend teksa i thotë kryeministrit të jetë rekrutuar nga shërbimet serbe. Është komike të dëgjosh kryetarin e një tjetër partie, teksa përpiqet ta bëjë përgjegjëse qeverinë e tashme për vendime që i ka marrë partia e tij. Ose zyrtarë të partisë së tretë që përpiqen të “lajnë duart” nga bëmat ndër vite, thua se nuk kanë pasur vetë përgjegjësi ose kanë jetuar në një tjetër planet.

* * *

Uji Dea

Dështimet e veta gati dydekadëshe në shumë fusha – që nga procesi i dialogut, liberalizimi i vizave, diplomacia, menaxhimi i ndërmarrjeve publike, e deri tek arsimi dhe shëndetësia – opozita e tashme po përpiqet t’ia mvesh pushtetit.

Gjithë çfarë është bërë e nuk është bërë në Kosovë, mirë e keq, mbarë dhe mbrapsht të paktën pesëmbëdhjetë vitet e fundit është trashëgimi e qeverisjes së partive që tash janë në opozitë. Cila më pak e cila më shumë, këto parti kanë kontribuar në qeverisjen e keqe, në korrupsion e nepotizëm, në punësime pa kriter e shkatërrim të shërbimit diplomatik. Kush më pak e kush më shumë, partitë kanë dhënë kontribut edhe në shkatërrimin e sistemit të shëndetësisë e të arsimit, duke politizuar gjithçka, duke iu dhënë mundësi e avancuar njerëz jokompetentë e dembelë. Andaj, kritika e këtyre pative karshi pushtetit të ri, për problemet që vetë i kanë shkaktuar, është e padrejtë, është hipokrite.

Askush nuk thotë se qeveria e tashme nuk duhet kritikuar. Gjatë këtyre dy muaj qeverisjeje ka shumë për të kritikuar, paçka se është e pamundur të përmirësohen dëmet ndër vite brenda një periudhe kaq të shkurtër. Por, qasja opzoitare është gabim.

Nuk mund ta mbash përgjegjëse qeverinë tash, për bëmat ndër vite. Nuk mund ta kritikosh qeverinë tash, për veprime e vendime që vetë ke ndërmarrë dikur. Nuk mund të fitohen poenë politikë duke sjellë në publik diskursin se kush është tradhtar e kush patriot, sepse gjithkush e kupton se kjo është një përpjekje për të mbuluar keqqeverisjen e deritashme.

Po që se partitë opozitare duan të bëjnë opozitë si duhet, atëherë duhet të fokusohen në kritikë përmbajtësore dhe ofrim alternativash, e jo në fletërrufe e akuza të ulëta, të cilat vetëm sa irritojnë.

Vendimet e fundit të ministres së Jashtme për të shkarkuar diplomatë politikë u pritën me akuza të ashpra nga opozita. Por, pikërisht këto parti që tash janë në opozitë për vite me radhë shërbimin diplomatik e patën kthyer në “fabrikë” për punësim militantësh partiakë dhe të afërm politikanësh. Pra, kundërshtimet nuk ishin aspak parimore, por reagime që mbronin individë të caktuar, shumë nga të cilët veç me diplomaci lidhje nuk kanë. Partitë opozitare në Kuvend, por edhe ato jashtë institucionit më shumë po bëjnë opozitë mllefi, opozitë pa krye, sesa opozitë përmbajtësore. Aspak kreativë dhe të zhytur në vorbullën e sulmeve – në të shumtën e rasteve të paargumentuara, opozitarët e sotëm po e humbin betejën karshi pushtetit. Ndryshimi i kursit opozitar është i domosdoshëm.