Një muaj arrest shtëpiak për shefin e inspeksionit Refik Latifaj

Gjilan – Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, Afrim Shala ka urdhëruar mbajtjen në arrest shtëpiak për të pandehurin Refik Latifaj, në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
I pandehuri Refik Latifaj, shqiptarë, shtetas të Republikës së Kosovës, dyshohet se ka kryer veprën penale, keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar.
I pandehuri dyshohet se gjatë periudhës kohore 2013/2014, në cilësinë e personit zyrtar – Shefit të Inspeksionit në Komunën e Kamenicës, në vazhdimësi, ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, duke i ndihmuar në forma të ndryshme kompanitë që merren me eksploatimin e rërës dhe zhavorrit në këtë komunë.
Gjithashtu i pandehuri duke komunikuar, ndihmuar, dhënë instruksione për eksploatimin ilegal dhe udhëzuar pronarët e disa kompanive që të pajisjen me dokumente doganore si mbulesë për veprimtaritë e tyre ilegale, e të cilat veprimtari janë në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, me nr. 02/45, të datës 02.11.2011, i cili vendim ndalon në tërësi veprimtaritë e të gjithë operatorëve që nuk janë të licencuar – thuhet në njoftim të Gjykatës Themelore në Gjilan.
Arresti shtëpiak ndaj të pandehurit do të zgjasë nga data 24.09.2014 deri më datën 23.10.2014.
I pandehuri në procedurë penale gëzon të drejtën e kontestimit të urdhrit për arrest shtëpiak të nxjerrë nga gjyqtari i procedurës paraprake./rajonipress/