Eko Higjiena

Një monografi me vlera të shumëfishta historike-shkencore për Godenin dhe rrethinën e tij

/ 9 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Shtëpia e Kulturës në Viti ishte dje vendi më i përshtatshëm për promovimin e monografisë “Godeni i Karadakut” nga autori Adem Murati, historian. Në përurim morën pjesë një numër i shumtë i mysafirëve, miqve, intelektualëve, profesorëve, familjarëve të fshatit Goden e të tjerë, të cilët, si një, përcollën me interesim të veçantë përurimin e monografisë “Godenit i Karadakut” nga autori Adem Murati, historian.

Fillimisht, Sokol Haliti, kryetari i komunës së Vitisë, tha se ky vendbanim i Karadakut ka një histori të pasur e të hershme të jetës së këtyre banorëve. “Ky vendbanim po ringjallet dhe po i kthehet jetës e punës. Njerëzit e këtij fshati s’do të duhej ta lëshojnë këtë vend të stërgjyshërve të tyre, sepse, ky vend është i tyre dhe ka nevojë për ta ngjallë e për ta jehhuar ashtu si do të duhej. Unë si kryetar kam obligim që të përkrah çdo ndihmoj për këtë vendbanim, sepse, duke i përkrahur njerëzit, e përkrahim edhe vetën si shoqëri.

Kjo monografi e shkruar nga profesori im, Adem Murati, po e shpalos një vend me të gjitha qasjet e duhura, ku në të ardhmen, brezat që do vijnë pas do të kenë njohuri të bollshme për historinë e vendit të tyre. Ne s’duhet të hezitojmë në shkrimet e tilla, të cilat ndriçojnë historinë e vendbanimeve tona, sepse, duke hulumtuar e ndriçuar ato, na do ta njohim më mirë vendin e rrethin tonë.

Akademik Mehmet Halimi tha se, kjo vepër synon të pasqyrojë fshatin Goden nga të gjitha aspektet si vendbanim i vjetër i Karadakut, duke parë, por edhe duke shestuar e analizuar, jo vetëm nga aspekti i shtrirjes gjeografike relievore e përbërjen gjeomorfologjike, ku përfshinë klimën e hidrografinë, kushte këto të domosdoshme për zhvillimin e botës bimore e shtazore, nga njëra anë, por ai sjell edhe të dhëna të bollshme iliro-dardane, nga ana tjetër”.

M. Halimi tha edhe këtë se, autori “fillimisht flet për Kosovën e lashtë, e cila mbijetoi pushtimet: romake e bizantine, bullgare e serbe, si dhe pushtimet e mesjetës: pushtimet osmane e serbobullgare gjatë Luftës së Parë Ballkanike, Periudhën e sundimit jugosllav 1918-1941 e deri në periudhën e sundimit të Jugosllavisë komuniste dhe sulmet e kundërsulmet etj.

Autori flet edhe për mënyrën e organizuar qëndrestare, nëpërmjet kuvendeve historike e Lëvizjes çlirimtare, si ajo e Kaçakëve, ku zihet në gojë Shaqir Halit Godeni me shokë dhe djali i tij Shaqir Godeni, i cili ndoqi rrugën e babait të vet, e deri në pjesëmarrjen e godenëve në shumë luftime. Por, në monografi autori bën fjalë për disa personalitete të shquara kombëtare, si janë: Idriz Seferi e Islam Pira, Hysen Tërpezaq e Bajram Curri dhe Fazli Ajeti – Godeni, Hasan Prishtina e deri të Agim Ramadani KATANA, hero i popullit, i cili me heroizmin e tij shembi kufijtë shekullor shqiptaro-shqiptar.”

Ndërsa, Jusuf Osmani tha se ky vendbanim ka dhënë luftëtarë të lirisë, që sakrifikuan vehtën dhe familjet e tyre për atë që sot po e gëzojmë – lirinë. “Aty lindën burrat të mëdhenj që nga kohët më të hershme e deri më sot. Ata me gjakun e tyre e shkruan historinë. Për liri dhe pavarësi kanë rënë shumë viktima, shumë personalitete janë vrarë. Godenasit ishin kudo ku bëhej fjalë për luftë dhe, luftuan ndershmërisht në krah të lëvizjes atdhetare për mbrojtjen e tokave shqiptare.

Autori Adem Murati, nëpërmjet të kaluarës historike të fshatit Goden, paraqet në këtë monografi në pika të shkurtra dhe historinë e trevës së Anamoravës dhe Karadakut të Idriz Seferit. Dr. J. Osmani, tha edhe këtë se, ky libër do të ketë interes për shumë gjenerata dhe studiues të historisë sonë kombëtare shqiptare. Ai është një bankë të dhënash për studiues të së ardhmes.

Pra, autori arriti të realizojë një projekt të rëndësishëm të vështrimit të shkurtër gjeografik, historik, etnografik, demografik etj., në formë monografie të vendbanimit Goden të Karadakut, i cili, sipas të dhënave të shumta dokumentar, ky vendbanim është i vjetër, i cili ekziston në krahinën e Hasit, komuna e Gjakovës”.

Uji Dea

Aliriza Selmani, recensent tha se, monografia e Adem Muratit, “Godeni i Karadakut”, është një studim gjithëpërfshirës me vlera historike-shkencore për Godenin dhe rrethinën e tij që nga lashtësia e gjer në ditët e sotme. “Adem Murati tani më i njohur për lexuesit tanë për veprimtarinë e tij në lëmin e studimeve shkencave të historisë, tani doli me një studim me të dhëna të plota, e që është një kontribut me vlera të shumëfishta për historiagrafinë e kësaj treve dhe për Anamoravën”.

Aliriza Selmani, profesor, tha edhe këtë se, kjo monografi e Adem Muratit trajton të gjitha veçoritë gjeografike, demografike dhe personaliteteve me peshë që jetonin e vepronin në këtë fshat malor të Karadakut të Vitisë, banorët e të cilit ashtu si të fshatrave të tjera të kësaj ane dhe viseve të tjera shqiptare të okupuara, u persekutuan e u etiketuan në forma të ndryshme deri në likuidimin e tyre fizik”.

Daut Bislimi tha se autori Adem Murati, kësaj radhe na paraqitet me një studim të mirëfilltë monografik me titull” Godeni i Karadakut”, me të cilin ka sjellë një kontribut të mirëpritur e shumë të rëndësishëm në historinë tonë kombëtare. “Mund të themi me plot bindje se monografia “Godeni i Karadakut” nuk është thjesht një libër, por atë mund ta quash edhe burim të qëndrueshëm të të gjitha të dhënave historike dhe kulturore të deritanishme për Godenin e Karadakut, në vazhdimësi.

Librin mund ta quash edhe një faktografi për lartësimin e të vërtetës të fenomeneve historike dhe personaliteteve me peshë historike nga ky vendbanim, lidhur me aktivitetin kombëtar të këtyre personaliteteve në luftërat për çlirim dhe bashkëpunim kombëtar. Por, mund ta quajmë edhe histori gjithëkombëtare”, ka shtuar Daut Bislimi, historian. Rexhep Doçi, në punimin e tij “Vlerësim anomastik për monografinë “Godeni i Karadakut” tha se, duhet bërë një punim më të gjatë, sepse nuk lejon koha e momenti të shtojmë më tepër në këtë ditë kur bëhet përurimi i kësaj vepre dokumentare me interes të përgjithshëm. “Se sa ka të bëjë e dhëna se banorët e këtij Godeni kanë ardhur nga Godeni i Dugagjinit dhe se e kanë krijuar këtë fshat, sipas disa vakteve që po i themi në vijim, është vështirë të bindemi.

Por, me bazën God – sot gjenden fshatrat në Kosovë: Godanci i Epërm dhe i Poshtëm të Shtimes; Godeni i Gjakovës; Godeni i Gjilanit dhe Godeni i Vitisë ose Godeni i Madh dhe Godeni i vogël etj.

Të gjitha këto dëshmi flasin se Godenat e Anamoravë dhe të tjerë të ngjashëm janë krijuar nëpër kohë në mënyrë të pavarur nga një bazë antroponimike God”, shtoi dr. Doçi. Sali Salihu, deputet nga Vitia, por i ardhur nga fshati Goden tha se, kemi nevojë të mos rrijnë duarkryq, por të shënojmë dhe të botojmë libra si ky i sodit i Adem Muratit. “Më gëzoi fakti se është shkruar një monografi për fshatin tim të lindjes, Godenin, një vendbanim shumë i hershëm i kësaj ane, i cili, sot ka mbetur me pak banorë e me pak shtëpi. E meriton një mirënjohje autori i monografisë A. Murati dhe këshilli i fshatit, të cilët, si një, kanë bërë përpjekje që kjo vepër të dalë se ka vlera të shumfishta për të gjithë ne, sidomos për gjeneratat që do të vijnë pas. Unë e përgëzoj autorin për këtë punë madhore që ka bërë”.

Në fund, Adem Murati, autori i monografisë tha se, rruga ime gjer këtu, qe jo aq e lehtë, por me ndihmën e shokëve, familjarëve të fshatit Goden e të tjerëve, arrita ta përfundoj këtë projekt, i cili rrumbullakëson një vendbanim të hershëm që ka një traditë të pasur të jetës dhe punës së banorëve të këtushëm. “Unë s’do t’ju lodhi më, për faktin se, me këtë vepër dëshiroj ta ngris zërin që, popullata e kësaj ane, të mos shpërngulet nga trojet e tyre stërgjyshore, sepse, ata aty e kanë arën, tokën, malin e vëllezërit që e ruajnë këtë vend si të shenjtë.

Tani në Goden janë vetëm 8 shtëpi me pak banorë. Duam t’ia kthejmë fytyrën e jetës së këtij vendbanimi të Karadakut jetik, ku do të jetë një vatër e përjetshme e fëmijëve tanë që do të shkollohen dhe edukohen për të mirë të këtij vendi. Të punohet edhe më shumë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të objekteve të vjetra, si xhamia, shkolla e objekte të tjera që ekzistojnë. Ju faleminderit për pjesëmarrje!” tefik selimi/rajonipress/