Hidromorava

Një mërgimtar si Besim Zymberi, humanizëm, dinjitet dhe dashuri e pashuar për Kosovën

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Besim Zymberi jeton dhe vepron në Cyrih të Zvicrës, ku është i punësuar në një nga spitalet ortopedike më të njohura të këtij shteti. Megjithatë, pavarësisht viteve të gjata në mërgim, Gjilani dhe Kosova nuk kanë reshtur kurrë së qeni pjesë e pandashme e identitetit të tij shpirtëror. Për Besimin, kthimi në atdhe nuk është thjesht pushim familjar, por një mision njerëzor: takime me njerëz në nevojë, përkrahje për familje, shoqata, klube sportive dhe iniciativa që sjellin dobi konkrete për komunitetin.

Besim Zymberi është shembulli i mërgimtarit me zemër të madhe, i atij brezi që nuk e ka shkëputur asnjëherë lidhjen me vendlindjen, por e ka forcuar atë përmes punës, sakrificës dhe solidaritetit.

Mërgimtarët, në këtë kuptim, mbeten një nga shtyllat më të fuqishme shpirtërore dhe ekonomike të familjeve kosovare, njerëz që u detyruan ta lënë vendin për një jetë më dinjitoze, por që kurrë nuk e braktisën atdheun në mendje e në zemër.

Titulli: “Një mërgimtar si Besim Zymberi” nuk është i rastësishëm. Ai synon të dëshmojë se diaspora nuk përfaqësohet vetëm nga zhurma politike dhe polemikat në rrjete sociale, por edhe nga figura që zgjedhin heshtjen e punës, veprën konkrete dhe humanizmin e vazhdueshëm.

Besimi është marrë me çështje kombëtare që në kohë kur përmendja e Republikës së Kosovës ishte e rrezikshme dhe e ndëshkueshme.

Që herët, ai ka treguar se atdheu dhe Kosova janë themele të palëkundura për të dhe familjen e tij. Me punë të ndershme, përkushtim dhe menaxhim të matur të jetës në mërgim, ka arritur jo vetëm ta ndërtojë mirëqenien familjare, por edhe të kontribuojë vazhdimisht për Kosovën, duke mbështetur klube, shoqata, aktivitete humanitare dhe sportin vendor.

Historia e jetës së Besim Zymberit është e mbushur me sfida të rënda, të cilat ai i rrëfen rrallë. Një prej kapitujve më të dhimbshëm lidhet me periudhën e shërbimit të detyruar ushtarak në ish-Jugosllavi, kur u përball drejtpërdrejt me rrezikun e luftës në Slloveni.

“Ishte një kohë tmerri. Vetëm shpirti im e di se si kam shpëtuar gjallë. Kishte momente kur vdekja dukej më afër se jeta. I jam mirënjohës disa shqiptarëve në Slloveni e Kroaci, që ma mundësuan largimin nga fronti. Ajo sakrificë kishte kuptim vetëm për një arsye, që brezat e rinj sot të jetojnë më të lirë”, shprehet ai me emocione të thella.

FIDANISHTJA

“S`ka lot as të mijat e as të nënës sime e familjareve të mi që e përshkruajnë atë katrahurë, atë sakrificë që tash e shoh se ia ka vlejtur për gjeneratat e reja” shprehet me lot e zemër të lënduar Besim Zymberi.

Sot, Besim Zymberi u drejtohet bashkatdhetarëve në diasporë me një mesazh të thjeshtë, por të fuqishëm, të punojnë me dinjitet, të tregojnë vlera, të shmangin arrogancën dhe përçarjen, duke qenë të vetëdijshëm se identiteti shqiptar i shoqëron kudo.

Kontributi i tij konkret shtrihet edhe në sport. I mbështetur nga klubi zviceran FC “Wiedikon” nga Cyrihu, Zymberi ka ndihmuar më herët FC “Galaxy” nga Gjilani me pajisje sportive, me qëllim përkrahjen e talenteve të reja. Si fizioterapeut i angazhuar në klubin zviceran, ai shpreh gatishmërinë që edhe në të ardhmen të organizojë iniciativa të ngjashme për sportin gjilanas dhe kosovar.

“Rinia e Kosovës është pasuria jonë më e madhe. Për mua është nder dhe krenari ta mbështes këtë energji të re”, thekson ai.

Besim Zymberi është aktiv edhe në jetën akademike e profesionale, duke marrë pjesë në konferenca e simpoziume të ndryshme me karakter shkencor e studimor.

Besim Zymberi mbetet një shembull i gjallë se mërgimi nuk e zbeh dashurinë për atdheun, por, përkundrazi, mund ta shndërrojë atë në vepër, humanizëm dhe kontribut të qëndrueshëm për Kosovën./rajonipress/