Mobi Casa

“Një kopshtar”, fiton çmimin e “The Independent”

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Shkrimtari holandez Gerbrand Bakker është fituesi i çmimit “The independent” për letërsinë e huaj për vitin 2013, duke lënë pas shkrimtarin e njohur shqiptar Ismail Kadare, i cili sipas mediave britanike ishte shumë afër këtij çmimi duke qenë në mesin e gjashtë autorëve për çmimin e madh britanik. Shkrimtari shqiptar ishte përzgjedhur me veprën e tij “Darka e gabuar” e përkthyer në anglisht nga John Hodgson.

Në shkrimet e bëra kohët e fundit në shtypin britanik, shkrimtari shqiptar është parë si kandidati më i favorshëm për këtë çmim, për vetë stilin dhe magjinë që mbart ky roman i mrekullueshëm. Por edhe pse gjasat dukeshin që ky çmim t’i shkonte shkrimtarit nga Shqipëria, juria e “The Independent” vlerësoi me këtë trofe shkrimtarin Bakker i cili është fituesi i 10.000 paundëve britanikë, të cilat do t’i ndajë në mënyrë të barabartë bashkë me përkthyesin David Colme. Subjekti i librit të Bakkers tregon historinë e një dijetari holandez i cili tërhiqet nga jeta akademike për të jetuar në një fermë të Uellsit pasi ka fituar një çmim të madh.

Këtë çmim të rëndësishëm e kanë fituar në të shkuarën autorë të njohur si Jose Saramango dhe Orhan Pamuk. Në listën e kandidatëve që Bakker la pas janë shkrimtari Andres Neuman, romancieri Elif Shafak, Gabriel Josipovic si dhe shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare, i cili është dhe fitues i “Man booker prize”. Me humor ai është shprehur pas këtij çmimi “se ndihej i lumtur pasi ky çmim ka shumë para që mund t’i përdorë për të rregulluar kopshtin e tij”. Gerbrand Bakker është fitues i çmimit ndërkombëtar IMPAC në Festivalin e Letërsisë në Dublin për përkthimin në anglisht të romanit të tij “Binjakët”. Pjesë e letërsisë së shkruar prej tij janë dhe librat për fëmijë.

Mobi Casa

Në vitin 2002, ndërsa ishte me pushime në malet e Korsikës ai mendon të shkruajë një histori, e cila do të kthehej në një nga librat më të shitur e vlerësuar, “Binjakët”. Deri në atë moment ai nuk e kishte menduar se mund të shkruante. Bakker ishte shkrimtari i parë holandez i cili fitoi çmimin më fitimprurës në botën e letrave, 100.000 €, në Festivalin e Letërsisë në Dublin. Kritika i ka quajtur shkrimet e tij si të mrekullueshme. JM Coetzee e ka quajtur letërsinë e tij si befasuese.

Romani i tij i tretë është “Rruga e tërthortë” dhe është botuar në vitin 2010. Libri tregon historinë e një gruaje holandeze në moshën e mesme e cila flet për vetminë pas ikjes së të shoqit. Në jetën e tij Bakker është me profesion kopshtar dhe ka marrë licencën e kopshtarisë në vitin 2006. Ai thotë se të shkruarit dhe kopshtaria janë dy gjëra të ngjashme pasi të dyja nuk mund të bëhen bukur pa frymëzimin dhe krijimin. Gjatë dimrit ai punon si instruktor patinazhi. “Në vjeshtë, kur mbledh gjethet e rëna, më duken sikur kanë vdekur, më duhet ta bëj për më shumë se një orë. I shoh ashtu dhe nuk arrij ta besoj se si ato krijesa aq të mrekullueshme tashmë janë pa jetë. Zhurma e tyre është e mrekullueshme dhe vjen si muzikë në mendjen time”, thotë ai. /shqip/