RCCOLA

Një koalicion LDK-VV pak i mundshëm, të dyja e duan kryeministrin

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Një koalicion i mundshëm midis dy partive më të mëdha të opozitës çdo ditë po bëhet më pak i mundshëm. Edhe pas lutjeve publike të Lëvizjes Vetëvendosje drejtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës për një listë të përbashkët parazgjedhore, këta të fundit duken të pa interesuar.

Edhe vetë zyrtari për media i Lidhjes Demokratike të Kosovës kishte deklaruar se partia e tij preferon të shkojë e vetme në zgjedhje. Të njëjtën prerazi e kanë thënë edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri në një debat televiziv dhe zyrtarë tjerë të kësaj partie.

E siç duket, problem për këtë koalicion të mundshëm është karriga e kryeministrit.

Lidhja Demokratike e Kosovës janë deklaruar publikisht se në çfarëdo koalicioni, udhëheqësi i qeverisë duhet t’i takojë kësaj partie.

Të njëjtën e pretendon edhe Lëvizja Vetëvendosje. Kështu thonë zyrtarët e lartë të kësaj partie.

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi ka thënë se për koalicionet vendos Këshilli i Përgjithshëm i VV-së, por se nuk ka asgjë definitive me LDK-në.

“Së pari për koalicionet e mundshme sa i përket Vetëvendosjes, aty vendos Këshilli i Përgjithshëm, por çështja me LDK-në është e politikave të tyre që i ndërtojnë. Unë konsideroj se nuk ka diçka definitive në LDK dhe kjo do të sqarohet pas datës 3 gusht kur do t’i kenë zgjedhjet e tyre të brendshme”, tha Kurteshi.

UBT

Më tutje, Kurteshi është shprehur se është në të drejtën e LDK-së të vendos për koalicione dhe se nuk do të ketë hatër-mbetje.

“Është çështje e tyre, e kanë të drejtë të vendosin për subjektin e tyre, nuk ka aty as hatër-mbetje, sepse koalicionet nuk bëhen për shkak të dashurisë ndërmjet partive, por për shkak të interesave, nëse ata nuk e shohin në interes të subjektit të tyre, nuk janë të obliguar”, tha Kurteshi për lajmi.net.

Më tutje, Kurteshi ka theksuar faktin se çështja e kryeministrit është problemi midis këtyre dy partive, pasi sipas tij, pozita e kryeministrit, padiskutueshëm i takon liderit të VV-së, Albin Kurtit.

“Por është edhe çështja e kandidatit për kryeministër, sepse Albin Kurti është njeriu më i votuar në Kosovë dhe natyrisht që me çfarëdo formule atij do t’i takonte pozicioni i kryeministrit, edhe ne si Vetëvendosje jemi të bindur se ndryshe nuk do të ketë gjasë”, tha Kurteshi.

E se kryeministri i takon LDK-së e ka thënë edhe kryetari i Pejës nga kjo parti dhe njëri nga emrat e përmendur për të parin e partisë, Gazmend Muhaxheri.

Vizioni për postin e kryeministrit tek këto dy parti po del të jetë problemi i pazgjidhshëm e që pamundëson një koalicion të mundshëm që do ta sillte opozitën në pushtet.