Një javë pas vrasjes në xhaminë e St.Gallenit
Vrasja në xhami ka tronditur shqiptarët e besimit mysliman
Në xhaminë „El Hidaje“ të St.Gallenit do të mblidhen sot besimtarët për ta falur „namazin e xhumasë”, një ritual i përjavshëm i faljes të premteve, një javë pas vrasjes makabre që ndodhi para syve të tyre në dhomën e lutjeve.
Besimtarët e kësaj xhamie mbase ende e kanë të freskët ngjarjen e rëndë që tronditi gjithë opinionin, vrasja e 51-vjeçarit nga Rahovica e Preshevës, për motive hakmarrjeje.
Imami i kësaj xhamie nuk do ta ketë lehtë për të gjetur fjalë një javë pas aktit të shëmtuar që ndodhi në St.Gallen.
Të enjten imami i xhamisë, Mehas Alija, në një konferencë për gazetarë ka thënë se në xhami po kthehet normaliteti.
„Atmosfera në xhami, dalngadalë, po qetësohet dhe njerëzit kanë filluar të kthejnë besimin e tyre. Frika ishte se mos vallë motivi i vrasjes ka të bëjë me fenë, politikën apo ishte vrasje sektare, grupore apo brenda anëtarëve të xhamisë“, tha imami Alija.
Tashmë janë zbardhur motivet e vrasjes në xhami dhe, sipas imamit Alija, njerëzit kanë filluar të jenë më të qetë dhe me më pak panik.
„E shfrytëzoj rastin që t’i ftoj të gjithë besimtarët dhe njerëzit që dëshirojnë ta vizitojnë xhaminë tonë që të vijnë lirisht pa u frikësuar. Jeta në xhami është normalizuar dhe ne kemi filluar me aktivitetet tona të zakonshme. Xhamia është duke funksionuar me kapacitetin e plotë të saj“, bën thirrje Alija, duku u lutur që raste të tilla të mos ndodhin në asnjë institucion varësisht prej veprimtarive që kryejnë.
Ai e ka gjykuar edhe njëherë vrasjen, duke e cilësuar si akt të shëmtuar si për islamin, ashtu edhe për traditën dhe kulturën e shqiptarëve.
„As feja dhe as kombi ynë nuk e promovojnë vendin e xhamisë apo të ndonjë vendi tjetër fetar për hakmarrje“, thotë imami shqiptar.
Nga ana tjetër, kryetari i Federatës së Bashkësive Islame në Zvicër, Hisham Maizer, i cili ishte i pranishëm në konferencë, tha se islami e ndalon hakmarrjen.
“Në fakt, hakmarrja është ende e përhapur sot, dhe unë e di nga më herët se nuk njeh kufij gjeografikë”, thotë Maizer.
Fakti që ka ndodhur në xhami tregon nevojën për veprim, thotë Maizer, duke paralajmëruar se do të aktualizohet si temë hakmarrja për vetëdijesim të të rinjve.
“Sidomos të rinjtë shqiptarë duhet të mësojnë se sa e pakuptimtë është hakmarrja dhe sa vuajtjet u shkakton”, tha Maizar.
51-vjeçari i vrarë në xhaminë e St. Gallenit është varrosur të mërkurën në fshatin e tij të lindjes, në Rahovicë. Ai ka lënë pas katër fëmijë, djalin më të madh 19 vjeç./albinfo/


