Një Isë çfarë e do Hashimi

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Nga Imer Mushkolaj- Nëse Isa Mustafa dëshiron të jetë lojtar kyç në zgjedhjet e ardhshme, atëherë duhet të ndërrojë kurs veprimi. Hashim Thaçi e do të tillë çfarë është.

Përderisa lajmi për arrestimin e Sami Hamitit kishte kohë që ishte konfirmuar, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës e luante rolin e të painformuarit. Fort joprofesionale dhe jotransparente për një institucion që nuk resht së promovuari veten si model i qeverisjes.

U desh të kalojë kohë pas prangosjes së tij, madje edhe që t’ua “kujtojë” PDK’ja, që partia e Hamitit të reagojë “zyrtarisht”.

Në raste të tilla nuk ka fort çfarë të deklarohet, megjithatë për një parti që veten e quan institucionaliste do të ishte e udhës që urgjentisht t’i thotë nja dy fjalë për kapjen e njërit ndër emrat e vet të njohur.

Isa Mustafa, shefi i partisë, u deklarua më vonë, por ndërkohë ai shfaqi drojën se lufta kundër korrupsionit në Kosovë po shndërrohej në instrument të pozitës për ta luftuar opozitën.

Me të tilla deklarime, Mustafa sikur provoi që gjithçka ta bart në terren politik dhe sikur harroi se LDK në Prishtinë nuk është në opozitë, por udhëheq kryeqytetin tash 12 vjet.

Siç ka ndodhur rëndom prej se është në opozitë, LDK asnjëherë nuk e ka kapitalizuar forcën që ka në Parlament, për t’iu kundërvënë partisë së Hashim Thaçit.

Kryetarë komunash të PDK’së janë dënuar me burg, zyrtarë qeveritarë hetohen për keqpërdorime e korrupsion, por duket se këto nuk i thonë asgjë LDK’së. Reagimet kanë qenë aq të mefshta, për të mos thënë se nuk janë vënë re fare, ndërkaq për nismat në Parlament kundër Qeverisë as që mund të bëhet fjalë.

E tash, kur dalin në pah dyshime për keqpërdorime, korrupsion e shantazh të zyrtarëve të LDK’së, Mustafa provon në njëfarë mënyrë t’i shfajësojë ata, ndonëse thotë se drejtësia duhet të thotë fjalën e vet.

Qeverisjen e kryeqytetit, LDK’istët shpeshherë e kanë përmendur si model qeverisës për mbarë vendin, pavarësisht se Prishtina që nga paslufta e këtej është shndërruar në qytet kaosi, e jo rregulli e shembulli të mirë. Për më shumë se një dekadë, LDK ka bërë çfarë ka dashur në kryeqytet dhe me kryeqytetin, ndërkaq dyshimet që rëndojnë mbi Hamitin duken hiçgjë, po të merret parasysh sa ndërtimi e sa masakra urbanistike është bërë, e sa ryshfeti mund të jetë kërkuar.

Fundamenti

Pavarësisht se mund të jenë në pushtet a opozitë, të dyshuarit për keqpërdorime herëdokur duhet të dalin para drejtësisë. Për vite të tëra është raportuar rreth hajnive e korrupsionit në radhët e zyrtarëve të të gjitha partive që kanë qenë e janë në pushtet, por pak, për të mos thënë fare kanë provuar burgun. Tash po hetohen të dyshuar për dallavere nga koalicioni qeverisës, por edhe nga qeverisja lokale në Prishtinë. Duhet hetuar edhe të tjerë, që kanë qenë më parë në Qeveri e në krye të komunave. Mosqenia në pushtet nuk duhet ta amnistojë askënd nga përgjegjësia për veprat e bëra. Pavarësisht se mund të jenë zyrtarë të partive në pushtet a opozitë.

* * *

Isa Mustafa edhe mund të ndihet rehat në kolltukun e të parit të Komunës së Prishtinës, por jo edhe aq në postin e të parit të LDK’së. Forca e dytë më e madhe politike në vend nuk po tregohet si e tillë, edhe pse qeverisja e Hashim Thaçit u ofron çdo ditë “penallti” për të shënuar gola.

Të krijohet përshtypja se Mustafa, thjesht, nuk është i interesuar që LDK të marrë pushtetin qendror dhe i mjafton qeverisja në Prishtinë.

Reformat e proklamuara në parti duket se kanë mbetur diku në mes, organizimi në terren është gjysmak, e qasja opozitare në Parlament lë shumë për të dëshiruar.

Me këtë “strategji”, LDK nuk tregon gjë tjetër vetëm se s’mund të jetë alternativë serioze në zgjedhjet e ardhshme. Tregon se, megjithatë, pushteti nuk mund të merret pa veprime konkrete dhe serioze – tregon se nuk e ka seriozisht.

Me qasjen e tanishme, LDK më tepër ngjan në një OJQ, e cila ndonjëherë edhe mund të lëshojë një komunikatë, por assesi me një parti pretendente për pushtet.

Nëse Isa Mustafa dëshiron të jetë lojtar kyç në zgjedhjet e ardhshme, atëherë duhet të ndërrojë kurs veprimi. Sa më gjatë që fshihet pas “modelit të suksesshëm” të qeverisjes së Prishtinës, aq më e vështirë do t’i bëhet rruga drejt marrjes së pushtetit qendror.

Por, nëse ka zgjedhur të rrijë kështu si është, atëherë le ta bëjë të qartë vullnetin e tij dhe askush të mos e mendojë më LDK’në si alternativë qeverisëse. Nuk ka si t’i besojnë të tjerët, kur ai vetë nuk ka besim dhe vullnet për t’i ndërruar gjërat. As Hashim Thaçi s’i ka faj.