Fundamenti

Një ia rrëzoi Kushtetuesja, Kurti “i frikësuar” për katër ligjet tjera

/ 5 minuta lexim

Pesë ligje të Qeverisë Kurti kanë përfunduar deri tash në Gjykatën Kushtetuese. I fundit është ai për Pagat në Sektorin Publik. Për një prej këtyre ligjeve, Gjykata tashmë ka nxjerrë vendim, duke e shpallur të pavlefshshëm. Bëhet fjalë për Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për të cilin Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thoshte se i hapë rrugë reformave të thella në sistemin e drejtësisë. Kryeministri Albin Kurti ka shprehur shqetësim se edhe ligjet tjera do t’i rrëzohen nga Kushtetuesja.

Ligji që do të rregullonte pagat e mbi 80 mijë punonjësve të sektorit publik, i është dërguar Gjykatës Kushtetuese, për vlerësim të kushtetushmërisë, dy muaj pas hyrjes në fuqi.

Avokati i Popullit iu drejtua Kushtetueses lidhur me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, pas 104 ankesave që pranoi për të, shumica e të cilave ishin për zvogëlimin e pagave, heqjen e shtesave apo trajtimin joadekuat dhe jo të barabartë ndërmjet pozitave të përcaktuara me ligj.

Me këtë ligj, numri i ligjeve të Qeverisë Kurti, që kanë përfunduar në Kushtetuese, deri tash ka shkuar në pesë. Nga Gjykata Kushtetuese kanë treguar për Express se cilat janë këto ligje.

I pari ligj i kësaj qeverie që i ishte dërguar kësaj gjykate, është ai për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Kërkesat për vlerësim të kushtetushmërisë së këtij ligji, ishin bërë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ky Ligj, për të cilin Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thoshte se do t’i hapte rrugë reformave të thella në systemin e drejtësisë, është rrëzuar nga Kushtetuesja.

Disa nene të këtij ligji janë vlerësuar se janë në mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës. Sipas aktgjykimit, ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit, kompetencat e Kuvendit, rolin e Avokatit të Pupullit, barazinë para ligjit e nenin për Këshillin Prokurorial.

Më saktë, ligji i kontestuar u vlerësua se bie ndesh me Kushtetutën e vendit fillimisht në çështjen e kompetencës që i jep Avokatit të Popullit për ta zgjedhur një nga anëtarët jo-prokurorë të KPK-së.

Aktgjykimi sqaroi se as mënyra e përcaktuar e vendimmarrjes së Këshillit sipas Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën. Ajo e ndërvarte vendimmarrjen e KPK-së me vullnetin politik të shumicës së deputetëve në Kuvend, pasi ata përcaktohej se do t’i zgjidhnin me shumicë të thjeshtë anëtarët jo-prokurorë të këtij institucioni.

Në Kushtetuese ka përfunduar edhe Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg. Parashtrues të kërkesës janë 10 deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Opozita e ka dërguar në Kushtetuese edhe Ligjin për Zyrtarët Publikë. Për këtë ligj, kërkesa kanë bërë edhe LDK’ja edhe PDK’ja.

Uji Dea

“Kërkesa KO216/22 dhe KO220/22 janë bashkuar dhe trajtohen si të tilla nga Gjykata;”, kanë deklaruar nga Kushtetuesja.

Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese edhe për Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Nga kjo parti janë shprehur të bindur se Kushtetuesja do të anulojë në tërësi ligjin duke e shpallur të pavlefshëm dhe jokushtetues.

Kurti i brengosur se do t’i rrëzohen edhe ligjet tjera

I brengosur që këto ligje po përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese, është shprehur kryeministri Albin Kurti.

Sipas tij, opozita s’po i dërgon këto ligje për ta ruajtur kushtetushmërinë.

“Mua më ka shqetësuar shumë sepse kam hall që reformat tona shumanshme e kanë gjetur një lloj sigurese që të zvarriten, të vonohen, dhe në këtë mënyrë unë nuk jam i bindur që bëhet nga motivi i ruajtjes së kushtetutshmërisë, sa i nga një opozitarizmi politik”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka thënë se është i shqetësuar për vendimet që do të vijnë, bazuar nga ai për Ligjin për KPK’në.

“Mua më vjen shumë keq që Ligji për masat e përkohshme, për kufizimin e çmimeve të produkteve bazë, është në Gjykatën Kushtetuese. LDK-ja e ka dërguar në Gjykatë këtë ligj. Dhe nëse ka diçka që aktualisht si kryeministër jam më i brengosuri në qeverisjen që e kemi, janë këto edhe tash tri ligjet e mbetura në Gjykatën Kushtetuese që po zvarriten dhe për të cilët jam shumë i shqetësuar për vendimet që do të vijnë duke pasur parasysh këtë për KPK-në”, ka thënë Kurti.

“Si ta di unë që do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese një ligj që e ka kaluar dy herë Komisionin e Venecias, i cili është dakorduar me SHBA-në, BE-në, Britaninë, me gjithë akterët e shoqërisë civile, dhe nuk mjafton Komisioni i Venecias, por vjen e rrëzohet këtu në Gjykatën tonë Kushtetuese”, ka deklaruar Kurti./Gazeta Express