KKGJILAN

Një hipokrizi rugoviane

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

​Nga Imer Mushkolaj – Para gati pesë vjetësh, familjarët e Ibrahim Rugovës kritikonin LDK’në dhe Isa Mustafën për mungesë të reformës, frymës dhe vizionit rugovian. Mustafa ishte i keqi. Por tash, pasi fëmijët e ish-presidentit janë rehatuar në poste deputetësh e zëvendësministrash, LDK është bërë e mirë. Ashtu si dhe Mustafa. Çfarë hipokrizie rugoviane!

Kur para gati pesë vjetësh Isa Mustafa dhe Kryesia e LDK’së i kishin bërë ofertë Ukë Rugovës që të jetë pjesë e listës zgjedhore të kësaj partie, si “obligim moral” ndaj tij, familjarët e ish- presidentit e kishte konsideruar ofenduese dhe poshtëruese. Madje, ata thonin se ishin të interesuar që LDK’në ta bëjnë unike dhe ta kthejnë frymën rugoviane në të, mirëpo kjo vazhdimisht dhe kategorikisht ishte refuzuar dhe po refuzohej nga Isa Mustafa.

“Me keqardhje konstatojmë se Kuvendi Zgjedhor i LDK’së me përzgjedhjen e udhëheqësisë të saj të ardhme nuk përkrahet nga familja e presidentit Rugova, ngase në këtë përzgjedhje favorizohen individë, të cilët kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në rënien e përkrahjes për LDKnë, derugovizmin dhe regjionalizimin e kësaj partie, duke lënë jashtë bashkëpunëtorët e vërtetë të presidentit Ibrahim Rugova. Kjo parti sot, thuajse nuk ka asgjë të përbashkët me frymën rugoviane dhe vizionin e presidentit Rugova”, thuhej në një komunikatë të lëshuar atëbotë nga Familja Rugova, e cila distancohej nga çdo veprim i udhëheqësisë së LDK’së “deri në reformimin e mirëfilltë të brendshëm të kësaj partie”.

Njëri nga anëtarët e familjes, Ukë Rugova, nuk priti reformimin e partisë së themeluar nga i ati. Krijoi në grup politik me emrin e babait dhe iu bashkua AAK’së, me të cilën parti edhe fitoi votat për deputet, por më pas grupi i tij iu bashkua PDK’së në qeveri. Vetë mbeti deputet dhe njihet si ndër të paktët që nuk e hapi gojën asnjëherë në foltoren e Kuvendit. Rrëfimi i mëtejmë për të dhe skandalin e pasaportave dihet.

Por, pas kaq vjetësh që Familja Rugova konstatonte se LDK “thuajse nuk ka asgjë të përbashkët me frymën rugoviane dhe vizionin e presidentit Rugova”, gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht. Pavarësisht se kryetar ende është Isa Mustafa dhe LDK po ajo, vajza e ish-presidentit, Teuta, është zgjedhur deputete në listën e LDK’së së Mustafës, ndërkaq së fundi edhe djali, Mendimi, është zgjedhur zëvendësiminstër në Qeverinë e Mustafës. Tash LDK është e mirë, Mustafa është i mirë.

* * *

Ndër të gjithë zëvendësministrat e emëruar së fundi, kureshtje zgjoi emri i Mendim Rugovës. Ishte i fundit i Rugovëve i papërfshirë në politikë dhe ardhja e tij në Qeverinë e Mustafës shkaktoi befasi. Me përfshirjen edhe të tij në politikë, duket se LDK “po lan borxhin” ndaj themeluesit të saj, emrin e të cilit e ka shfrytëzuar vazhdimisht për të fituar vota që nga dita kur ai vdiq.

Nuk ka asgjë të keqe që pasardhësit e Rugovës të bëhen pjesë e politikës, por është problematike që ata të marrin privilegje vetëm pse janë fëmijët e tij.

Uji Dea

Nëpërmjet tyre, LDK po përpiqet ta kthejë namin e dikurshëm, por gjasat janë të vogla që ata të ndryshojnë diçka në të mirë të partisë.

Ndonëse jashtë LDK’së, Ukë Rugova është treguar absolutisht pasiv gjatë gjithë mandatit të tij si deputet. As Teuta Rugova nuk është se shquhet për farë aktiviteti në Kuvend. Më së shumti mbahet mend si “shoqëruese” e Flora Brovinës në udhëheqjen e seancave parlamentare, në kohën e Bllokut të famshëm. Nuk pritet që as Mendim Rugova të befasojë me performancë në pozitën që ka marrë.

Nëpërmjet dhënies së privilegjeve fëmijëve të Ibrahim Rugovës, LDK po vazhdon ta shfrytëzojë trashëgiminë e tij për mbledhjen e votave.

Teutën njerëzit e kanë votuar si vajzë të Rugovës, e jo për ndonjë tjetër arsye. Edhe për Mendimin zëvendësministër njerëzit që e duan LDK’në mund të kenë simpati për këtë shkak. Andaj, përfshirja e tyre në LDK nuk nënkupton se partia është bërë tjetër ose se ata kanë sjellë vlera të reja në të. Thjesht, nuk mjafton të jesh vetëm fëmijë ish-presidenti, për të konsideruar si prurje të vlefshme.

* * *

Ndërmjet reformimit të vërtetë dhe joshjes së elektoratit me emrin e Rugovës dhe pasardhësve të tij, LDK ka zgjedhur këtë të dytën. Një zgjdhje që nuk është se është treguar fatlume as në disa raste në rajon dhe më gjerë.

Kur Rugovët përmendnin para pesë vjetësh “derugovizmin” e partisë, mbase e kishin ndërmend të thoshin se fryma dhe vizioni rugovian do të ktheheshin vetëm kur ata vetë të përfshiheshin në LDK. Por, gjithë ky muhabet është punë interesi.

Ata mund të marrin paga të majme nga shteti se janë fëmijët e Ibrahim Rugovës, por kjo s’ka të bëjë absolutisht as me ideologji, as me parime e as me farë vizioni të partisë. LDK duhet të ndërpresë manipulimin me Rugovën, ashtu si pasardhësit e tij t’i japin fund hipokrizisë. Se sa ata janë parimorë, tashmë është vërtetuar. Si me shkop magjik, nga e keqe LDK është bërë e mirë. Nga i keq, Isa Mustafa është bërë i mirë. Plus në koalicion me Hashim Thaçin. Çfarë vizioni dhe fryme rugoviane! Çfarë hipokrizie rugoviane!