RCCOLA

Një grup të rinjsh në Lezhë vrasin të moshuarin

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Lezhë – Një grup të rinjsh vranë mbrëmë një 70-vjeçar në fshatin Gajush të Lezhës, pasi viktima në gjendje të dehur i kishte sharë ata në lokal. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00. Policia bëri të ditur se viktima Pashk Prela, 70 vjeç, nga fshati Gajush i Lezhës, është gjetur i vdekur në afërsi të urës së Prekanit, vetëm pak metra pasi ai ka dalë nga lokali.

Dëshmitarë në vendin e ngjarjes i kanë pohuar grupit të hetimit se i moshuari dhe disa djem janë konfliktuar në lokal duke sharë e ofenduar njëri-tjetrin. Dyshohet se 70-vjeçari ka qenë edhe në gjendje të dehur. Pak minuta pas debatit, kur i moshuari kishte dalë nga lokali, të rinjtë të cilët sipas dëshmitarëve kanë qenë më shumë se tre, e kanë ndjekur dhe e kanë qëlluar disa herë me një shkop.

Uji Dea

Më pas, ata janë larguar me shpejtësi, por plagët që i kanë shkaktuar në kokë dhe në trup çuan në vdekjen e menjëhershme të Prelës. Policia e Lezhës mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet. Bazuar në dëshmitë e dhëna, u ndërtua edhe skema e ngjarjes, e cila paraqet sherrin në lokal për motive të dobëta. Policia shoqëroi mbrëmë 10 të rinj të fshatit, të shumtët dëshmitarë në vendin e ngjarjes.

Sipas Policisë, janë duke punuar për të identifikuar emrat e autorëve, ndërsa nuk përjashtuan mundësinë që ndonjëri prej tyre të jetë në grupin e të shoqëruarve. Trupi i viktimës u dërgua fillimisht në morg për t’u kryer edhe veprimet e duhura. Ekspertët mjekoligjorë konstatuan plagë të rënda të shkaktuara nga shkopinj dhe mjete të tjera të forta rrethanore.