Një fushë e sportit që po shkëlqen qytetin
Gjilan – Ditë më parë, Gjilani fitoi edhe një fushë sporti, e cila po e hijeshon mesin e kësaj qendre të rëndësishme komunale. Pse jo? Kjo fushë sporti është bërë vend që po e vizitojnë jo vetëm të rinjtë e këtij qyteti, por edhe nga të gjitha gjinitë e moshat e tyre.
Në ditën kur është përuruar kjo fushë sporti, u gjend edhe i pari i komunës z. Lutfi Haziri, i cili tha se, Gjilani po ecën çdo ditë me punë të mbara. Qeverisja e mirë po bën punë të hajrit dhe qytetit po ia kthen namin duke rregulluar fusha sportive për qytetarët e këtij mesi. “Kjo fushë sporti, që po e hijeshon krejt qytetin, është një mrekulli e rrallë e punës së hajrit që po bën qeverisja e komunale. Këtu vijnë të shetisin e të luajnë i madh e i vogël gjilanas etj. Do të jetë vend për gara në mes ekipeve sportive, që e ardhmja e tyre t’mos jetë e mbyllur, por e hapur dhe e ndritshme. Me një fjalë, kjo është bërë një “nuse” e re, e cila po shkëlqen qytetin e Anamoravës e më gjerë”.
Edhe Malazog Hoxha, Udhëheqës i Njësisë për Sport, në Gjilan tha se, kjo fushë sporti po na nxit e inkurajon të punojmë edhe më tepër. “Shihni, ky është investim Evropian, por për gjilanasit do të thotë mjaft shumë. Nga orët e hershme të mëngjesit vijnë këtu i madh e i vogël dhe shetisin nëpër stazat për garim. Por, këtu vijnë edhe të moshuarit, të cilët “lëngojnë” nga shëndeti e koha”.
Ai shtoi se, akoma kontraktuesi nuk i ka kryer punët e fundit, i cili së shpejti do t’i përfundojë në fillim të qershorit të këtij viti. “Do të rregullohet ana e perëndimit duke u rrafshuar toka me rrafshin e fushës. Mandej, do të rregullojmë dy anekse për nevoja të qytetarëve, të cilat do të jenë në dalje të rrethojës. Po ashtu, brenda fushës do të hedhet zhavor të pastër, sepse fusha është e nivelit më të mirë të mundshëm. Për mirëmbajtje e kësaj fushe sporti, e kemi caktuar një punëtor, e ai është Fehmi Bllaca.
Ai vjen herët dhe e pastron “gjendjen” e kësaj fushe sporti.
E rëndësishme është se, në këtë fushë po vijnë të shetisin një numër i qytetarëve të moshave të ndryshme. Edhe këtu, si në ç`vend, tjetër, kemi caktuar rend. Kjo fushë sporti nuk është vend për shëtitje me biçikleta. Ky është vend për njerëz “seriozë” që ankohen dhe duan të gjejnë vend për shëtitje. Në qershor do të vehet edhe goma në stazën për garim. Na jemi ardhur këtu me “banim” për të vëzhguar punët në të mirë të gjithëve”, ka shtuar Hoxha, udhëheqës i njësisë për Sport në Gjilan. /tefik selimi/rajonipress/


