Një front kundër së keqes

Nga Imer Mushkolaj – Jo domosdoshmërisht duhet të jesh pjesë e opozitës ose të përkrahësh atë, që të bëhesh pjesë e betejës kundër qeverisjes Mustafa-Thaçi. Opozita nuk mundet dhe nuk duhet ta monopolizojë të drejtën e protestave. Fronti kundër së keqes duhet të zgjerohet.
Dhjetëra mijëra vetë që u mblodhën të shtunën e kaluar në sheshet e Prishtinës janë shenjë e qartë se qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa nuk e ka gjatë. Pavarësisht deklarimeve publike se do të përfundojë mandatin e plotë dhe zgjedhje do të ketë tek në vitin 2018, as vetë Mustafa nuk i beson kësaj. Sepse e di që nuk do të shkojë gjatë dhe ai nuk do të jetë më kryeministër. E di që nuk i ka mbetur fije morali e legjitimiteti të udhëheq vendin, të cilin me veprimet e veta të dëmshme po e zhytë në krizë thellë e më thellë.
Dhjetëra mijëra vetë që u panë të shtunën e kaluar në protestë ishin përgjigjja më e mirë ndaj arrogancës dhe papërgjegjshmërisë së Isa Mustafës dhe zëvendësit të tij, të cilët me çdo kusht ende po përpiqen t’i bindin qytetarët se ajo çfarë është nënshkruar në Bruksel qenka e mirë për vendin. Ata njerëz të mbledhur në sheshe ishin dëshmia më e mirë e fillimit të fundit të kësaj qeverie dhe qeverisjeje.
Është pak e rëndësishme se cilin opsion politik e përkrahin njerëzit të cilët u mblodhën në kryeqytet dhe të tjerët që e panë protestën në televizor. Po ashtu, pak është e rëndësishme nëse ata janë të pakënaqur me krijimin e Asociacionit… apo demarkacionin. E rëndësishme është që ata njerëz ishin aty, në numër aq të madh, për shkak se janë kundër kësaj qeverie dhe qeverisjeje, janë kundër të keqes së instaluar në krye të vendit, pavarësisht se propaganduesit qeveritarë po përpiqen ta dëshmojnë të kundërtën. Ata ishin aty, bashkë, në një front kundër të keqes.
* * *
Është fort e rëndësishme që presioni qytetar të vazhdojë në protesta të tjera dhe të parreshtura. Por, përtej opozitës dhe liderëve të saj, jetike është që kauzën për rrëzimin e qeverisë, respektivisht dorëheqjen e saj ta përkrahin edhe të tjera personalitete, njerëz me ndikim në opinionin publik, të cilët mund të mos jenë përkrahës të asnjërit nga subjektet politike opozitare, por bashkë i bën kauza për çuarjen e kësaj qeverie në shtëpi.
Nuk është e nevojshme që të jesh domosdoshmërisht pjesë e opozitës, ose të përkrahësh atë, që të bëhesh pjesë e betejës kundër qeverisjes Mustafa-Thaçi. Më shumë se kundërshtimi ndaj Asociacionit… dhe demarkacionit, qytetarët i bëjnë bashkë shumë probleme të tjera, me të cilat ata përballen çdo ditë. I bën bashkë mungesa e perspektivës dhe e mirëqenies, mosmbajtja e premtimeve për zhvillim ekonomik e hapje të vendeve të punës – i bën bashkë mungesa e dinjitetit njerëzor dhe një qeverisje pa dinjitet.
* * *
E di, mbështjetja symbullur për një opozitë, pjesë e të cilës janë edhe figura me të kaluar jo fort të lavdishme në qeverisje nuk është gjëja më e mençur në botë. E di, po ashtu, se disa nga këta tipa po përpiqen ta lajnë veten, duke na treguar të keqin dhe duke e harruar të kaluarën e tyre të errët. Këtë e dinë edhe njerëzit e Vetëvendosjes, që janë bërë bashkë me ta. Të tillë ka edhe brenda vetë Vetëvendosjes.
Andaj, pikërisht për të relativizuar mundësinë që ata të shiten si njerëz të ndershëm, të moralshëm e me dinjtet, është e nevojshme që pjesë e frontit kundër së keqes të jenë edhe shumë personalitete të tjera, të cilët synim kryesor dhe të vetëm e kanë që qeveria e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit të largohet. Për të tjerat ka kohë.
Natyrisht, as njëri e as tjetri nuk do të largohen lehtë. Dhe nuk kanë faj, sepse pushtetin e konsiderojnë privilegj, e jo përgjegjësi. Ata do të provojnë gjithçka që kanë në dorë për të mos i lëshuar karriget. Por, janë qytetarët ata që nuk duhet të lejojnë vazhdimin e kësaj qeverie, e cila edhe po të qëndrojë një dekadë në pushtet nuk do të mundet ta fitojë besimin dhe legjitimitetin e humbur.
Mustafa e Thaçi mbase do të provojnë edhe për një kohë që me masa përndjekëse e policore të venë rend e ligj, por nuk munden ta bëjnë një gjë të tillë njerëzit që shkelin rend e ligj, njerëzit që shkelin kushtetutën.
Ata janë në panik, andaj lëshojnë deklarata të cilave s’iu besojnë as vetë. Ata janë në panik – jo se e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë vendin, por se po iu rrezikohet e ardhmja e tyre politike. Ata janë në panik sepse sot, më shumë se kurrë, njerëzit janë të vendosur për ndryshim. Janë të vendosur për t’ia kthyer vetes dinjitetin e nëpërkëmbur. Ata janë në panik, sepse e dinë që fundin e kanë afër. T’iu ndihmojmë që të largohen me sa më pak dhimbje.