Eko Higjiena

Një Evropë për botën

/ 7 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Javier Solana-Ndërsa BE-ja aspiron të bëhet një fuqi ndërkombëtare, zgjidhja është e thjeshtë: ose ne evropianët veprojnë me unitet për t’iu kundërvënë sfidave të tmerrshme të imponuara nga ndryshimet trazuese që tashmë po ndodhin në rendin botëror, ose e detyrojmë veten të veprojmë si spektatorë në një botë, në të cilën kemi shumë pak apo aspak për të thënë.

Me gjithë lëmshin e problemeve ekonomike që e rrethojnë Evropën, një fakt nuk duhet harruar: Bashkimi Evropian mbetet ekonomia më e madhe e botës. Me një GDP prej më shumë se 15.5 trilionë eurosh, ajo është më e madhe edhe se sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe, me 20 përqindëshin e tregtisë botërore, BE-ja është po ashtu eksportuesi dhe importuesi i dytë më i madh në botë, pas Kinës dhe SHBA-së.

BE-ja, thjesht, është fuqia prijëse komerciale e botës. Mirëpo, kjo e dhënë nuk mund ta fshehë faktin se modeli institucional që e bëri të mundur Evropën e integruar të së sotmes është joadekuat karshi problemeve të krijuara nga kriza financiare. Kështu që ne evropianët duhet të thellojmë integrimin evropian me një përkushtim shumë më të madh dhe shpejtësi.

Në rast se nuk e bëjmë këtë, ekziston rreziku që pakënaqësia sociale të rrezikojë themelet e BE-së para se të mund ta përfundonim procesin e integrimit që do të zgjidhte problemet që tani po i rëndojnë jetët e miliona njerëzve. Për më tepër, këto probleme nuk mund të ndahen nga mënyra në të cilën Bashkimi Evropian – që tani është në qendër të vëmendjes për shkak të shqetësimeve ekonomike – e paraqet veten karshi botës. Evropa do të duhet të llogarisë në integrimin më të madh me qëllim që të shmang këtë telash.

Dhe, pashmangshëm, integrimi do të çojë drejt një politike të jashtme evropiane më unike, të qëndrueshme dhe efektive, një politike të jashtme që i është adoptuar botës që ndryshon me shpejtësi marramendëse.

Bota e sotme tashmë është multipolare. Mirëpo ky multipolarizëm nuk ofron garanci se sistemi ndërkombëtar do të jetë në gjendje të qeveriset me rregulla të përbashkëta, pa të cilat çështjet globale do të bëheshin më të rrezikshme dhe konfliktuoze. Pikërisht këtu, Evropa ka për t’i ofruar diçka botës. Ajo është ende lidere në inovacione institucionale – një prej nevojave më të mëdha të këtij shekulli – dhe është shembulli më i mirë dhe më i suksesshëm historik i kësaj, siç dhe vërteton çmimi Nobel i Paqes ndarë sivjet për të.

Pjesët e tjera të botës po përjetojnë rritje të pashembullta ekonomike, mirëpo këto rritje po ashtu rrisin një tjetër sfidë të madhe: nevojën për të ndërtuar themelet e kësaj rritjeje me një sistem më të drejtë dhe më të hapur politik, ekskluzivisht për shoqëritë që i respektojnë të drejtat njerëzore dhe ambientin.

Evropa është një hap përpara të gjitha këtyre çështjeve. Fatmirësisht, shtetet evropiane nuk janë të vetmet që e ndajnë sovranitetin gjatë këtyre ditëve. Një shembull i mirë është puna që po bëhet nga Asociacioni i shteteve të Azisë Juglindore, i cili po ndërmerr hapa të vendosur në një pjesë të botës, ku integrimi kurrë nuk ka qenë normë dhe ku strukturat e qarta të sigurisë rajonale mungojnë. Evropa duhet të veprojë që të përkrahë këta hapa integrues.

Mobi Casa

Pikërisht në këtë rajon, Azi-Paqësor, është e përqendruar vëmendja e marrëdhënieve ndërkombëtare, si në aspektin afatmesëm ashtu edhe në atë afatgjatë. SHBA-ja tashmë ka bërë të ditur riorientimin e vet kah Azia. Përveç kësaj, rajoni është epiqendër e përçarjeve dhe e grindjeve të kamotshme territoriale dhe kufitare, nacionalizmit të shfrenuar dhe mosbesimit të thellë.

Kina nuk dëshiron të përjetojë dominimin e shekullit të njëzetenjëtë nga një G2-sh, në të cilin e gjen veten të vetme me SHBA-në. Do të preferonte të paktën një G3-sh, në të cilin do të përfshihej edhe BE-ja. Kështu që, përveç marrëdhënieve të mira që BE-ja ruan me të dyja këto fuqi, përvoja e BE-së në zgjidhjen e problemeve multilaterale mund të ishte e paçmueshme. Një temë e adresuar në konferencën e sigurisë në Munih shkurtin e kaluar – dhe që do të duhej përfshirë në çdo afrim tjetër kah Azia – është ajo se rritja e jashtëzakonshme ekonomike e rajonit i ka fshehur problemet e saj të sigurisë.

Mirëpo kjo nuk do të thotë se këto probleme janë të detyruara të mbeten të fshehura, siç ka demonstruar edhe rasti i fundit i eskalimit të përleshjeve territoriale në detin jugor dhe atë lindor të Kinës. Me t’iu kthyer vetë fqinjëve të Evropës, momentit njëpolar të viteve 90 të BE-së i ka ardhur fundi. Rusia nuk u është afruar aspak standardeve evropiane; Turqia tashmë i ka zhvilluar politikat e saj të jashtme dhe aspiron të bëhet një fuqi rajonale; ndërsa shtetet e brigjeve jugore të Mesdheut i kanë thënë “Mjaft!” status qos nëpërmjet revolucioneve që askush nuk i ka parashikuar se po vinin.

Megjithatë, pushteti më i butë dhe modeli i dialogut multilateral janë ende mënyrë për të arritur bashkëpunimin politik, ekonomik dhe energjetik, duke garantuar në këtë mënyrë një fqinjësi përparuese, në të cilën përfshihen këto shtete dhe ato të Lindjes.

Marrëdhëniet ndërmjet shteteve amerikane janë të ndryshme për nga natyra. Këtu, afërsia nuk është fizike, por më shumë e bazuar në vlerat e përbashkëta dhe vizioni. Në një botë vazhdimisht në ndryshim dhe vazhdimisht më komplekse, veprimi i koordinuar me SHBA-në duhet të vazhdojë dhe të përparojë.

Për më tepër, vëzhgues të paanshëm pranojnë se Amerika Latine do të jetë një prej përfitueseve më të mëdha të shekullit të njëzetenjëtë dhe se marrëdhëniet më të ngushta ndërmjet dy kontinenteve duhet të jenë synim kryesor i të dyjave. BE-ja ka ndërmarrë hapa në drejtimin e duhur, siç është krijimi i shërbimit të brendshëm evropian të veprimit, nën Traktatin e Lisbonës.

Vetë përvoja ime më thotë se aty ku një ambasador i EEAS-së është në detyrë, ndikimi i BE-së rritet. Ndërsa BE-ja aspiron të bëhet një fuqi ndërkombëtare, zgjidhja është e thjeshtë: ose ne evropianët veprojnë me unitet për t’iu kundërvënë sfidave të tmerrshme të imponuara nga ndryshimet trazuese që tashmë po ndodhin në rendin botëror, ose e detyrojmë veten të veprojmë si spektatorë në një botë, në të cilën kemi shumë pak apo aspak për të thënë.

Prosperiteti ynë dhe zbatueshmëria e modelit tonë socioekonomik janë në rrezik. Kjo gjë duhet të na bindë se shtetet e Evropës janë tepër të vogla për të vepruar globalisht si të vetme dhe se integrimi evropian është i vetmi shteg i qëndrueshëm.