Fundamenti

Një ëndërr e bërë realitet, Rrudhani në grupet e Ligës së Kampionëve do ta sfidojë Manchester Cityn: Emocione të mëdha të luaj në këtë garë

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Ëndrra e secilit futbollist në botë është që një dit të luaj në Ligën e Kampionëve dhe kjo ëndërr pritet pas disa ditëve të bëhet realitet edhe për Donat Rrudhanin.

Mesfushori kosovar ka arritur që me skuadrën e tij Young Boys Bern të futen në grupet e Ligës së Kampionëve, duke bërë realitet një ëndërr të kahmotshme. Kampioni në fuqi i Zvicrës bën pjesë në Grupin G së bashku me kampionin në fuqi të Evropës, Manchester Cityn, skuadrën gjermane RB Leipzig dhe autsajderin e këtij grupi Crvena Zvezdën. Pjesë e verdhezinjve përveç Rrudhanit është edhe mesfushorit nga Kosova me pasaportë zvicerane, Kastriot Imeri.

Në një intervistë për Telegrafin, Rrudhani ka folur për emocionet që ka për të luajtur në grupet e Ligës së Kampionëve dhe përballë Manchester Cityt. “Ka qenë ëndërr e imja që të luaj në Ligën e Kampionëve dhe kjo ëndërr tani është bërë realitet. Mezi pres që ta dëgjoj himnin e garës më të madhe evropiane për klube dhe të zbres në fushë për të luajtur”, thotë Rrudhani për Telegrafin.

Mobi Casa

“Secili futbollist e ëndërron që një ditë të luaj në ‘Champions’ dhe vërtet jam shumë i lumtur që mund ta shijoj edhe unë këtë”. Rrudhani tutje analizon edhe kundërshtarët dhe thotë se do të mundohen të kenë paraqitje të mira pavarësisht se kanë përballë ekipe të mëdha si Man City e RB Leipzig. “Është një grup shumë i fortë. Manchester City është kampion në fuqi dhe ndoshta ekipi më i fortë në botë për momentin, do të jetë shumë vështirë ndaj tyre. Edhe skuadra gjermane RB Leipzig është kundërshtar shumë i vështirë, por ne synojmë që të paraqitemi sa më mirë”, tha Rrudhani.

Ai beson se Young Boys ka mundësi që ta zë pozitën e tretë në tabelë, pozitë që i dërgon në Ligën e Evropës. “Kemi gjasa për pozitën e tretë. Normalisht ne si futbollist në secilën ndeshje futemi për fitore, por City e Leipzig janë shumë skuadra të forta. Kemi ekip më të mirë se Crvena Zvezda dhe besoj se në fund do të marrim minimumin pozitën e tretë në tabelë”, u shpreh Rrudhani.

Rrudhani iu bashkua Young Boysit në verën e vitit të kaluar pas shkëlqimit në Challange League (Liga e Parë e Zvicrës) dhe në vitin e tij të parë zhvilloi 35 ndeshje në total duke shënuar dy gola e duke asistuar në gjashtë të tjerë. Megjithatë ai thotë se ka mundur më shumë të bëj, përkundër që ka fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Zvicrës, “Jam i kënaqur me arritjen ekipore, ku kemi fituar titullin dhe Kupën. Megjithatë sa i përket aspektit individual kam mundur të bëj më shumë. Në fakt konkurrenca është shumë e madhe, por kisha edhe probleme me lëndime dhe kjo e bëri të vetën”, tha Rrudhani. 24-vjeçari shpreson se këtë vit do të ketë më shumë hapësira, pasi do të ketë edhe më shumë ndeshje mes kampionatit, kupës dhe Ligës së Kampionëve. “Besoj se do të jetë vit më i mirë edhe në aspektin individual pasi kemi më shumë ndeshje dhe jam më mirë sa i përket aspektit fizik. Jam më i motivuar dhe besoj se do të kemi një sezon të madh si unë personalisht ashtu edhe klubi”, u shpreh Rrudhani. Për reprezentuesin kosovar kishte oferta nga skuadra gjermane këtë verë, por ai vendosi të qëndronte te Youg Boysi vetëm për faktin që të luante në Ligën e Kampionëve. “Ka pasur oferta sidomos nga kampionati gjerman, por doja të qëndroja te YB për të luajtur në Ligën e Kampionëve. Gjithashtu thash më herët se jam në formë dhe dua të luaj më shumë para se të bëj hap para në karrierën time”, u shpreh mesfushori anësorë. Rrudhani është lindur dhe rritur në fshatin Roganë nga Komuna e Kamenicës, derisa ai kishte dalë në Francë me familjen e tij 10 vite më parë. Dy vite më parë në një intervistë ekskluzive për Telegrafin djaloshi nga Kamenica kishte zbuluar detaje se si kishte migruar në Evropë, derisa tani nga një refugjatë do të luaj në garën më të madhe evropiane për klube, Ligën e Kampionëve që është një arritje e jashtëzakonshme. /Telegrafi/