Një dokument për qëndresën shqiptare dhe mizoritë serbe

Nga Fitim Rifati – Studimi monografik i Profesorit dhe kolegut tonë, Enver Sadiku, i titulluar “Gjilani me rrethinë gjatë Luftërave Ballkanike 1912-1913”, është mbrojtur si tezë e magjistraturës, ndërsa më pas është ripunuar, plotësuar dhe pasuruar me të dhëna të reja, që i kanë shërbyer në mënyrë konstruktive problematikës në fjalë.
Vepra mbështetet në argumente të bollshme, të cilat autori i ka hulumtuar me kujdes në arkiva dhe biblioteka. Materia themelore, në aspektin metodologjik-shkencor, trajtohet e ndërthurur mirë, duke respektuar strukturën e shtjellimit dhe përpunimit të rrjedhshëm të lëndës së grumbulluar. Ky projekt i realizuar, të cilin po e promovojmë sot në këtë eveniment, shtjellohet në mënyrë studimore përbrenda hyrjes, pesë kapitujve dhe përfundimit.
Autori i ofron lexuesit dhe qarqeve shkencore të dhëna për lëvizjet e armatosura kundër pushtetit e administratës osmane në Gjilan e viset përreth, që nga gjysma e dytë e shekullit XIX e deri në vitet e para të shekullit XX, ku me theks të posaçëm parashtron Kryengritjet e viteve 1910 dhe 1912, në të cilat Gjilani dhe rrethina e tij treguan rol qendror e domethënës nën drejtimin e prijësit të njohur të Lëvizjes Kombëtare, Idriz Seferi.
Në prag të Luftës së Parë Ballkanike, autori i jep një pasqyrë raporteve përgjithësisht të tensionuara ndërmjet Fuqive të Mëdha dhe reflektimit të tyre në Gadishullin Ballkanik, duke konstatuar se ato heshtazi lejuan dhe miratuan formimin e Aleancës Ballkanike, si konfiguracion i ri politiko-ushtarak, e cila kishte për qëllim gjoja çlirimin e viseve evropiane të Perandorisë Osmane. Shqiptarët në përgjithësi dhe ata të rrethinës së Gjilanit në veçanti, duke ndjerë rrezikun që u kanosej, filluan përgatitjet për mobilizimin e forcave vullnetare për të mbrojtur në radhë të parë trojet e tyre. Ata u shquan për qëndresën heroike kundër depërtimit të ushtrisë serbe në tetor të vitit 1912 në vijën e kufirit Merdar-Kumanovë. Plojën e madhe ndaj shqiptarëve të Karadakut e Gollakut të shkaktuar nga ushtria dhe grupet klandestine serbe, autori ka arritur t’i dokumentojë në sythin “Dhuna dhe terrori serb ndaj popullatës shqiptare”, në të cilin paraqet hollësisht një tablo realiste me të dhëna konkrete për mizoritë ndaj shqiptarëve.
Me vendosjen e pushtetit administrativ ushtarak, policor dhe civil serb në Gjilan, duke analizuar dhe krahasuar me përgjegjësi të dhëna të qëndrueshme dokumentare, ilustrime relevante të panjohura deri më sot dhe të arriturat më të reja historiografike kombëtare dhe ndërkombëtare, autori konkludon se:
1. Shqiptarët përjetuan politikë gjenocidi, si: plaçkitje, terror të egër, persekutime, burgosje, dhunime, djegie shtëpish, objektesh kulturo-arsimore e vendbanimesh, masakra e shfarosje individuale dhe kolektive.
2. Shqiptarët e këtyre trevave si dhe pronat e pasuritë e tyre, u provua të përdoreshin për nevoja ushtarake dhe politike, që nënkuptonte shfrytëzimin maksimal të tyre në Luftën e Dytë Ballkanike.
3. Shqiptarët, ndonëse të rraskapitur nga luftërat e vazhdueshme, duke mos pranuar pushtimin e ri, u përpoqën të organizonin lëvizje të
armatosura për çlirimin e tyre nga Mbretëria e Serbisë dhe bashkimin me Shqipërinë.
4. Mbretëria e Serbisë përmes politikave të saj kolonialiste i nxiti dhe i detyroi shqiptarët e këtyre trevave të emigronin në Shqipëri e në masën më të madhe në drejtim të Turqisë.
5. Me gjithë qëndresën heroike në Luftërat Ballkanike, shqiptarët e këtyre trevave në veçanti, por edhe ata në përgjithësi, jo vetëm që u pushtuan dhe nuk u çliruan, siç pandehte politika dhe akoma historiografia serbe, por përjetuan dhunë e akte gjenocidi.
Marrë për konsideratë konstatimet e mësipërme, duke u bazuar nga qasja objektive, analitike dhe kritike e burimeve, përmes interpretimeve origjinale për ngjarjet dhe protagonistët kryesorë të këtyre viteve, vlerësojmë se vepra “Gjilani me rrethinë gjatë Luftërave Ballkanike 1912-1913”, e autorit Mr. Enver Sadiku, fuqizon dëshminë e provave për qëndresën epike shqiptare, aktet çnjerëzore që janë ushtruar ndaj tyre para një shekulli dhe për historiografinë është një dokument e studim i mirëseardhur, që do të zgjojë kureshtjen e lexuesit dhe do të pranohet e mirëpritet në rrethet shkencore, aq më tepër kur të arriturat e tilla që për bazë kanë shtjellimin e problemeve në rajone të veçanta, ndihmojnë në kompletimin e ndriçimit të së kaluarës tonë, e cila pret akoma gjurmim e studim.
Me veprën e tij, Mr. Enver Sadiku pasuron fondin e bibliografisë për historinë e kësaj treve dhe, si studiues i ri dhe i zellshëm, në mënyrë serioze hyn në radhët e historianëve të Anamoravës, disa nga të cilët sot ndodhen në mesin tonë, që me hulumtimet dhe studimet e tyre kanë dhënë kontribut të çmuar me vepra të veçanta dhe të mirënjohura. /rajonipress/