Eko Higjiena

Një dekadë në kërkim të drejtësisë, Ramiz Selimi eksperti që u torturua padrejtësisht nga hetues, prokuror e gjykatës

/ 12 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Rasti i Ramiz Selimit ish drejtorit të NLB banka të Gjilanit është rast për studim dhe tema të doktoraturës nga fusha juridike. Ramiz Selimi për një dekadë është torturuar nëpër seanca e procese gjyqësore krejtësisht të montuara dhe në dëm të tij, të shëndetit e të anës profesionale të tij. I ka përballuar këto furtuna falë vendosmërisë dhe këmbëngulësisë së tij prej eksperti dhe profesionisti të kahershëm të ekonomisë. Është e tmerrshme se si është lejuar që nga polic, hetues, prokuror e gjykatës të ndodhë kjo skemë e krimit, e ndërtuar “bukur” nga ata që duhet ta zbatojnë ligjin. Edhe sot kur flet për rajonipress e ka guximin prej intelektuali për ta rrëfyer tërë dosjen kundër tij, integritetit profesional e moral që i kushtoi me largim nga vendi i punës, që ja shkatërroi gati karrierën dhe e rrënuan shpirtërisht. Por, Ramiz Selimi sot është faqebardhë para atyre që e akuzuan dhe para familjes e shoqërisë. Pa fajin më të vogël u torturua për një dekadë dhe sot pasi ka fituar të gjitha rastet edhe në Gjykatën e Apelit, kërkon kompensim material. Rasti i Ramiz Selimit vërtet duhet të jetë i fundit dhe i vetmi që shkatërrohet ana profesionale e një njeriu, që gjithë jetën ka punuar e vepruar në dobi të rrethit e shoqërisë.

Gjeneratat e vjetra e njohin mirë ekspertin e ekonomisë dhe të bankave Ramiz Selimin nga Bresalci i Gjilanit. E njohin si një njeri të përkushtuar në profesionin e tij, por ka mjaftuar një aferë e ndodhur në vitin 2011 që t`ia shkatërroj atij karrierën dhe punën që me shumë nder e përgjegjësi e ka kryer në NLB Banka e atëhershme.

Ramiz Selimi ka vendosur që për rajonipress ta tregojë rastin e tij, siç thotë jo për të përfituar për vetën e tij, por për të treguar shkeljet e shumta ligjore, që janë bërë në rastin e tij.

I dalin lotët teksa rrëfehet dhe teksa tregon ecurinë e nisur qysh nga viti 2011 deri në vitin 2018, ku edhe pushojnë të gjitha hetimet dhe presionet e padrejtësitë ndaj tij.

“Po rrëfehem për t`ju treguar gjeneratave të reja se çfarë sistemi kemi pasur, po ju rrëfej për të treguar se një njeri i ndershëm dhe krejt i pafajshëm mund ta pësojë aq rëndë, aq padrejtësisht, në një Kosovë që mendonim se udhëhiqej nga organe profesionale të drejtësisë. Krejt këtë histori timen po e rrëfej për të dëshmuar përmes rastit tim se çfarë sistemi të drejtësisë kemi krijuar përgjatë krejt periudhës së pas luftës në Kosovë. Pa bërë absolutisht as më të voglin faj, për një dekadë jam torturuar nga organe të ndryshme të sistemit të drejtësisë në Kosovë” shprehet Selimi.

“Më 30 maj 2019 në Gjykatën Themelore në Gjilan kam bërë padi civile ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës për kompensimin e dëmit material dhe jomaterial. Më 11 nëntor 2020 është bërë ekspertiza nga eksperti mjeko ligjor Shpend Haxhibeqiri, dhe është vendosur që dëmi të kompensohet në vlerë prej 65.000.00 €. Më 28 prill 2021 Gjykata Themelore në Gjilan ka marrë vendim që dëmi të kompensohet në vlerë prej 9.800.00 €. Tash çështja është në Gjykatën e Apelit. Shpresoj dhe besoj që Gjykata e Apelit do të marrë vendim meritor e të drejtë për rastin tim, ndonëse nuk ka vlerë monetare që mund ta kompensojë dëmin material dhe jomaterial që më është shkaktuar. Kompensimi material nuk është i mjaftueshëm për mua. Do të duhej që të ndërmerreshin masa ndëshkimore ndaj punëtorëve të sistemit të drejtësisë, të cilët e kanë inskenuar rastin kundër meje. Kjo nuk do të ishte vetëm satisfaksion për mua, por edhe paralajmërim për punëtorët e sistemit të drejtësisë në Kosovë që në të ardhmen të mos përfshihen në inskenime të tilla” shprehet Selimi.

Ramiz Selimi pos që kishte një ndjekje shtrigash që lidhej me NLB Banka atij i montohet rasti se gjoja e ka shkelur arrestin shtëpiak, edhe pse ai nuk kishte lëvizur nga shtëpia, meqë ishte agjërueshëm dhe binin poshtë pretendimet e hetuesve policor, se ai ishte parë dikund në një restorant, duke drekuar.

Eco Higjiena

Por ky fakt nuk i kishte mjaftuar Gjykatës së Gjilanit e cila vendos që ekspertin Ramiz Selimi ta kthejë në qeli. “Ishte shumë e rëndë për mua kjo situatë sepse në fakt nuk e kisha thyer arrestin shtëpiak, meqë ndodhesha në shtëpi. E bënë të vetën përkundër që isha kategorik se s`kisha faj, ishte e gatuar nga lartë dhe në bashkëpunim që unë të vuaja padrejtësisht në burgun e Gjilanit” rrëfen storien e tij Ramiz Selimi.

“Që nga dita e parë kur ka ndodhur arrestimi gjoja për aferën në NLB Banka e kam ditur se padrejtësisht po akuzohem dhe hetohem. Kisha siguri në vetën time sepse nuk gaboj lehtë e lëre më për punët prej eksperti, që i kam kryer me shumë ndërgjegje, pasion e profesionalizëm të lartë. Fatmirësisht ekspertizat financiare ishin ato që e demantuan përherë aktakuzën kundër meje. Më është dashur mbi shtatë vite të endem poshtë e lartë, derisa ta mposhti atë ndjekje penale, që ma rrënoi e dëmtoi karrierën, por nuk u dorëzova” shpjegon tutje Selimi.

Ramiz Selimi është një profesionist me kredibilitet e kompetencë dhe realisht ekonomia e Gjilanit lidhet shumë edhe me emrin e tij, meqë është ndër të parët që ka punuar në institucione të rëndësishme financiare e bankare.

Më poshtë po ju sjellim kronologjinë e hetimeve, procesit hetimor, procesit gjyqësor, dhe vendimeve të Gjykatave në favor të tij deri në shpalljen përfundimtare si i pafajshëm.

Jam Ramiz Selimi, i lindur më 23 korrik 1948 në Bresalc të Gjilanit. Kam përfunduar studimet themelore në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës më 1974, kurse studimet postdiplomike në Fakultetin e Shkencave Organizative në Universitetin e Beogradit më 1980. Kam punuar si drejtor financiar në Kombinatin e Tekstilit në Gjilan e më pas drejtor gjeneral i Industrisë së Duhanit në Gjilan. Pas luftës, prej vitit 2008 kam qenë drejtor i filialës NLB në Gjilan.

  1. Më 20 maj 2011 Prokuroria e Qarkut në Gjilan ngriti aktakuzë ndaj Filloreta Jakupit, punëtore e NLB BANK për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mashtrim të klientëve.
  2. Më 30 maj 2011 NLB BANK në Prishtinë më njoftoi me shkrim se më është ndërprerë marrëdhënia e punës: koordinator për shërbime bankare i filiales NLB BANK në Gjilan, me arsyetimin se “nuk kemi më nevojë për ju”.
  3. Më 31 maj 2011 NLB BANK paraqiti kallëzim penal kundër meje në Prokurorinë e Qarkut në Gjilan, për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit.
  4. Më 1 qershor 2011 m’u prishë kontrata e afatizimit të mjeteve të mia në NLB BANK para afatit të skadimit dhe pa dijeninë time, si dhe m’u bllokua llogaria bankare në NLB BANK, pa asnjë bazë, pa autorizimin tim dhe pa vendim të Gjykatës.
  5. Më 7 qershor 2011 Prokuroria e Qarkut në Gjilan ngriti aktakuzë kundër meje për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Po këtë ditë, m’u caktua masa e mbajtjes në paraburgim për 48 orë.
  6. Prej 9 qershor 2011 deri më 17 gusht 2011 kam qenë në arrest shtëpiak, e prej 17 gusht 2011 në paraburgim deri më 3 tetor 2011. Konvertimi i arrestit shtëpiak në paraburgim ka ndodhë në bazë të një raporti policor, i cili pretendonte se unë e kisha thyer urdhrin e arrestit shtëpiak, ngase më 16 gusht 2011 kisha drekuar në restoran ‘Sofra’ në Gjilan. Kjo nuk ka qenë e vërtetë sepse:
    6.1. nuk kam qenë fare në restoran ‘Sofra’ ngaqë kam qenë agjërueshëm;
    6.2. raporti policor ka qenë i falsifikuar me vulë të Kosovo Police Service (KPS), e prej vitit 2008 nuk ka pasë KPS por PK (Polici të Kosovës).
    6.3. raporti policor nuk më është dhënë as mua e as avokatit tim, përkundër kërkesës tonë.
  7. Më 3 gusht 2011 Gjykata e Qarkut në Gjilan kërkoi nga eksperti gjyqësor që të bëhej ekspertiza financiare për rastin tim. Eksperti Ibrahim Tahiri nuk pranoi të bënte ekspertizë. Po ashtu, eksperti tjetër Milaim Korbi refuzoi ta bënte ekspertizën.
  8. Më 20 shtator 2011, derisa isha në burg, Prokuroria e Qarkut në Gjilan, në bashkëpunim me NLB BANK, në pamundësi për ta gjetë një ekspert nga Gjilani, propozoi një ekspert financiar nga Prishtina, z. Fetah Tahiri, për ta bërë një ekspertizë për rastin tim, e cila ishte tërësisht kopje e aktakuzës kundër meje, ngase i njëjti nuk ka kontaktuar fare me mua, nuk e kishte marrë parasysh fare raportin e auditorëve të brendshëm të bankës, i cili nuk më ngarkonte me asnjë pikë të aktakuzës. Këtë ekspertizë e ka pranuar Gjykata e Qarkut në Gjilan dhe ka caktuar datën e konfirmimit të aktakuzës.
  9. Më 23 shkurt 2012, në seancën e konfirmimit, kërkuam bashkë me avokatin tim që eksperti të jetë prezent për ta arsyetuar ekspertizën në seancën e konfirmimit. Na është thënë se eksperti është i palëvizshëm dhe nuk mund të vijë.
  10. Avokati im Bajram Tmava ka kërkuar që të caktohet superekspertizë. Gjykata e Qarkut në Gjilan e ka pranuar këtë dhe e ka caktuar një grup të ekspertëve në krye me Riza Blakën. Ky grup e ka bërë ekspertizën në detaje, e cila më ka liruar nga të gjitha pikat e aktakuzës.
  11. Më 26 prill 2012 kam kërkuar nga NLB BANK arsyetim se pse më është bllokuar llogaria bankare, mirëpo nuk kam marrë përgjigje asnjëherë. Më 22 maj 2012 kam kërkuar nga BQK se pse më është bllokuar llogaria bankare në NLB. Më 26 qershor 2012 kam kërkuar ndihmë nga Ombudspersoni, mirëpo më 20 janar 2013 Ombudspersoni ka vendosur që çështjen time ta largojë nga lista. Më 9 dhjetor 2012 Prokurori i Prokurorisë së Qarkut në Gjilan kërkoi nga Gjykata që ta bllokojë llogarinë time bankare, e cila refuzohet si e pabazë më 16 janar 2014. Më 12 nëntor 2013 kam marrë përgjigje nga BQK, e cila thotë se nuk kanë kornizë ligjore që specifikon se kur bankat afariste kanë të drejtë tua bllokojnë llogaritë klientëve të tyre. Po ashtu, BQK njofton se ka marrë një përgjigje nga NLB BANK, se: bllokimi i llogarisë është bërë për shkaqe të sigurisë. Më 2 dhjetor 2014 kam paditë Bankën NLB për bllokim të llogarisë sime.
  12. Më 4 shtator 2012 kam bërë parashtresë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, përkatësisht në Zyrën e Prokurorit Disiplinor kundër konvertimit të arrestit shtëpiak në paraburgim. Pas dy javëve kam marrë përgjigje se nuk kanë mandat të merren me vendimet gjyqësore dhe nuk kanë gjet bazë për hetime disiplinore kundër vendimit të gjykatësit për konvertim të arrestit shtëpiak në paraburgim.
  13. Më 30 prill 2014 Gjykata Themelore në Gjilan merr vendim në favor timin. Po më 14 nëntor 2014 Prokuroria Themelore në Gjilan e dërgon vendimin e Gjykatës Themelore në Gjilan në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
  14. Më 5 nëntor 2011 kam bërë padi civile NLB BANK-ës për debllokimin e llogarisë. Më 15 dhjetor 2014 më është debllokuar llogaria bankare dhe më janë liruar mjetet. Më 17 dhjetor 2014 i kam bërë padi civile NLB për dëmin që më ka shkaktuar duke m’i mbajtë të bllokuara mjetet e mia. Më 31 mars 2016 Gjykata Themelore në Gjilan merr vendim që të më kompensohet dëmi i shkaktuar, gjë që edhe ka ndodhë.
  15. Më 30 prill 2015 Gjykata e Aeplit e kthen lëndën në rigjykim. Gjykata Themelore në Gjilan më 12 shkurt 2018 i kërkon Riza Blakës që të bëjë edhe një shtojcë të ekspertizë për Filloreta Jakupin, por jo edhe për mua. Krijohet një kolegj i ri për rastin në krye me Naser Maliqin.
  16. Më 5 qershor 2018 Gjykata Themelore në Gjilan merr vendim në favor timin, i cili vërtetohet nga Gjykata e Apelit më 24 shtator 2018.
  17. Më 30 maj 2019 në Gjykatën Themelore në Gjilan kam bërë padi civile ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës për kompensimin e dëmit material dhe jomaterial. Më 11 nëntor 2020 është bërë ekspertiza nga eksperti mjeko ligjor Shpend Haxhibeqiri, dhe është vendosur që dëmi të kompensohet në vlerë prej 65.000.00 €. Më 28 prill 2021 Gjykata Themelore në Gjilan ka marrë vendim që dëmi të kompensohet në vlerë prej 9.800.00 €. Tash çështja është në Gjykatën e Apelit.

Si përfundim, krejt këtë histori timen po e rrëfej për të dëshmuar përmes rastit tim se çfarë sistemi të drejtësisë kemi krijuar përgjatë krejt periudhës së pas luftës në Kosovë. Pa bërë absolutisht as më të voglin faj, për një dekadë jam torturuar nga organe të ndryshme të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Shpresoj dhe besoj që Gjykata e Apelit do të marrë vendim meritor e të drejtë për rastin tim, ndonëse nuk ka vlerë monetare që mund ta kompensojë dëmin material dhe jomaterial që më është shkaktuar. Kompensimi material nuk është i mjaftueshëm për mua. Do të duhej që të ndërmerreshin masa ndëshkimore ndaj punëtorëve të sistemit të drejtësisë, të cilët e kanë inskenuar rastin kundër meje. Kjo nuk do të ishte vetëm satisfaksion për mua, por edhe paralajmërim për punëtorët e sistemit të drejtësisë në Kosovë që në të ardhmen të mos përfshihen në inskenime të tilla./rajonipress/