KKVITI

Një ‘bomber’ i ri kosovar po lind në Zvicër

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Kampionati zviceran ka pasur dhe ka shumë sulmues që njihen si ‘bomber’, por tani e tutje një nga Kosova pritet ta thotë fjalën kryesore. Shkëlzen Gashi në dy vitet e kaluara ishte ‘mbret’ i golit në Zvicër, por tani në skenë është një emër i ri që premton shumë. Shani Tarashaj është sulmuesi i ri kosovar që ka filluar të shkëlqejë në Zvicër me Grasshopperin, duke u konsideruar si ‘mbreti’ i ri i golave në elitën e futbollit zviceran.

Betim Zeqiri

Super talenti kosovar me pasaportë zvicerane, Shani Tarashaj, e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme kampionatin zviceran me skuadrën e tij Grasshopper.

Sulmuesi i talentuar prizrenas, shënoi golin e tij të parë në ballafaqim me Thunin, ku Grasshopper triumfoi me rezultat 5-3.

Në një prononcim për Telegrafin, Tarashaj, flet për përgatitjet para sezonale me GC, golin e shënuar ndaj Thunit, të ardhmen me Grasshopperin si dhe ofertat që kishte gjatë këtij afati kalimtar të verës.

“Jam shumë i kënaqur me përgatitjet që kemi bërë para fillimit të stinorit, edhe pse kanë qenë të vështira por ia kemi dalë mirë. Kemi luajtur ndeshje miqësore dhe kam shënuar gola që është shumë mirë për mua”.

Shënove golin e parë në kampionat? Ishte ndjenjë shumë e mirë t’ia filloj kampionatin duke shënuar gol. Shpresoj që mos të ndalem me kaq dhe të shënoj edhe më shumë, pasi sulmuesit e kanë atë punë të shënojnë vazhdimisht”, tha Tarashaj për Telegrafin.

Uji Dea

20-vjeçari ka luajtur edhe vitin e kaluar me ekipin e parë të Grasshopperit në kuadër të të gjitha garave ku ka arritur të realizojë edhe në kampionat një gol dhe në Kupën e Zvicrës një sosh.

Objektivat e ‘bomberit’ kosovar janë të qarta, të luaj sa më shumë ndeshje me GC dhe të shënoj gola. “Për këtë edicion synimi im kryesor është që të luaj sa më shumë ndeshje dhe natyrisht të shënoj gola. E rëndësishme është që të luaj mirë dhe ekipi të fitoj. Kur të kem paraqitje të mirë edhe golat vijnë më lehtë”, vazhdon sulmuesi i talentuar që tregon se ka refuzuar disa oferta për të qëndruar te GC.

“Kisha disa oferta të mira si në Zvicër ashtu edhe jashtë saj por kam vendosur të qëndroj te Grasshopper. Për mua është e rëndësishme të jem i koncentruar vetëm tek GC, pasi aktualisht jam këtu”, thotë Tarashaj.

Nëse në kampionatin zviceran më parë janë dalluar sulmuesit tjerë shqiptar si Milaim Rama dhe tani Shkëlzen Gashi, e ardhmja quhet Shani Tarashaj.

Me vetëm 20 vite dhe me një vizion të qartë për golin, Tarashaj premton shumë për të ardhmen.

Ai është edhe anëtar i Përfaqësueses të Zvicrës U21, ku në një ndeshje të luajtur zyrtare ka shënuar një gol. E ardhmja i përket atij, Tarashaj, pritet të jetë ‘mbreti’ i ri i golave në Zvicër. /Telegrafi/