Një apo më shumë mësues nga klasa e parë deri në të pestën

Gjilan – Në organizim të Universitetit Publik të Gjilanit sot u mbajt tryeza debatuese “Klasa një deri në pesë – me një apo më shumë mësues”. Në këtë debat, pos stafit të Universitetit Publik të Gjilanit përkatësisht të profesorëve nga Fakultetit i Edukimit, morën pjesë edhe profesor të kësaj fushe nga Universiteti i Prishtinës, ai i Korçës, i Gjirokastrës, Universiteti i Gjakovës, drejtues të drejtorive komunale të arsimit nga komunat e Anamoravës, përfshi edhe ata të komuniteti serb, përfaqësues të GIZ-it gjerman si dhe mësimdhënësi të këtij niveli.
Duke paraqitur qëllimin e kësaj tryeze, Rektori, Arben Dërmaku, tha sa baza e zhvillimit të shoqërisë është arsimi e baza e arsimit është nga klasa e parë deri në të pestën, prandaj Universiteti i Gjilanit po nis me këto lloj konferenca për të trajtuar probleme që lidhen me zhvillimin e shoqërisë. E rëndësishme, sipas rektorit Dërmaku, është se ky transformim, nuk krijon kosto shtesë, por vetëm ri-alokim të resurseve, përkatësisht mësuesve të këtij niveli.
Debatues të shumtë kanë përkrahur idenë që kjo problematikë të trajtohet në mënyrë të thelluar që të shënohet ngritje e cilësisë të këtij niveli të arsimit. Sidomos u theksua fakti se një mësues, sado i përgatitur, nuk do të mund të jetë i efektshëm në të gjitha lëndët për të gjitha nivelet e mësimit klasorë.
Në fund të debatit u nxorën këto rekomandime: Ideja për një apo më shumë mësues nga klasa e parë deri në të pestën, është ide progresive sepse më shumë mësues është më me interes për nxënësit.
Të provohet nga klasa e parë deri në të tretën me dy apo tre mësues kurse klasave të katër ta dhe pesta, tu shtohen katër apo pesë mësues, të profilizuar në fusha të caktuara.
Lëndët e shkathtësive të mbahen nga mësimdhënësit e profilizuar për këto fusha.
Të bëhet analizë e saktë se a mund t’i përballojnë nxënësit e këtyre klasave më shumë se sa një mësues.
Në fund drejtuesit e Universitetit thanë se do të vazhdojnë të fuqizojnë debatin profesional-shkencore për problematika me të cilat ballafaqohet shoqëria, e ku kontributi i shkencës është i nevojshëm./rajonipress/