Uji Dea

Një alternativë ndryshe për Bujanocin!

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Driton Hyseni – Shpesh herë nëpër botë, dëgjojmë se rinia i merr hapat e para për të ndryshuar një sistem të vjetruar politik. Edhe kësaj radhe nga papunësia, keqpërdorimet dhe injorimi nga pushtetet e njëpasnjëshme që kanë qeverisur me Komunën e Bujanocit, ka rrjedhë një dëshirë e madhe e të rinjve për të kontribuuar sado pak në përparimin e këtij vendi.

Të pakënaqur me nivelin e qeverisjes lokale nga ish pushtetarët, rinia bujanocase për zgjedhjet lokale të 21 qershorit ka formuar alternativë tjetër për t’i dëshmuar qytetarëve, se ky vend mund të bëhet edhe ndryshe.

Kjo dëshirë e madhe e të rinjve ka rrjedhë edhe si pasojë e mos ndryshimeve për një kohë të gjatë. Për shembull, për 18 vjet nga marrja e pushtetit prej shqiptarëve, këtë vend e kanë udhëhequr vetëm dy persona, që në shumicën e viteve kanë bashkëqeverisur. Kësaj radhe, për shkak të vetëdijesimit të të rinjve, po ndodhë diçka krejt tjetër.

Frika e atyre që kanë qenë në pushtet vërehet nga mobilizimi i tyre. Ata kanë mobilizuar grupe të caktuar individësh për t’i shantazhuar njerëzit, duke i kërcënuar ata edhe me vendin e siguruar të punës. Ndryshe nga herët e tjera, nga po ato parti që kanë qenë në pushtet, premtohet se do të ketë zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës për të rinjtë. Sidoqoftë, të rinjtë kanë vendosur që kësaj radhe të ndryshojnë një qasje të tillë të politikanëve. Askush më s’po i beson premtimeve të atyre që patën shansin t’i implementojnë.

Një alternativë e krijuar nga të rinjtë, e pa përlyer më parë nga pushteti, nuk ka se çfarë të premtoj, pos ndryshimit të thellë të qasjes së politikës ndaj tyre dhe njerëzve në përgjithësi.

Të rinjtë bujanocas, me alternativën e tyre si bartëse të pushtetit të ardhshëm, do të kenë qasje në vendimmarrje. Atyre do t’i krijohen mundësi për të hapur biznese të vogla, do të kenë mundësi të kryejnë praktika nëpër institucione publike pa nepotizëm, do ta kenë më të lehtë punësimin në profesionin e tyre.

Mobi Casa

Gjithashtu, kjo alternativë si asnjëherë më parë do të angazhohet në përmirësimin e jetës shoqërore, nuk do të jenë të rinjtë shqiptar pjesë e përçarjeve e inateve në bazë lokalizmi e aq më pak në bazë të bindjeve politike. Kjo alternativë që është e vetmja ndër shqiptare do të përpiqet që t’i eliminojë padrejtësitë shtetërore ndaj studentëve shqiptar që studiojnë në Kosovë, e që nuk iu njihen diplomat në Serbi.

Kjo do të jetë edhe më e lehtë për shkak të mundësisë së një marrëveshjeje midis këtyre dy shteteve brenda këtyre viteve.

Në fund të kësaj, si asnjëherë më parë Lugina përmes kësaj alternative do të jetë e bashkuar në qëndrime kombëtare e rajonale. Bashkëpunimi me nivelet e pushtetit lokal të Preshevës dhe Medvegjës do të jenë më të përsosura, për shkak se rinia ka vendosur t’i anashkalojë barrierat dhe inatet e të stërvjetruarve politik.

Përmes votës së lirë të qytetarëve e sidomos të të rinjve në këto palë zgjedhje do të vendoset se a është populli shqiptar në Bujanoc në rrugën e ndryshimeve të pushteteve në rajon e botë dhe përparimit të vendit, apo janë për përsëritje të historisë duke i rikthyer ata që patën mundësi ta dëshmonin veten?!

Në Bujanoc tashmë ekziston Alternativa e vetme shqiptare!