KKGJILAN

Niveli i sigurisë dhe shëndetit në punë, shqetësues për akademinë – Kërkohet mobilizim institucional

/ 4 minuta lexim

Në Kosovë janë rritur rastet e punëtorëve që lëndohen si rezultat i aksidenteve në vendet e punës, ku një numër i madh i tyre pësojnë me fatalitet pasi konsiderohet se kompanitë marrin masa të dobëta të sigurisë dhe shëndetit në punë.

Në bazë të statistikave, viti 2018 ishte vit ku 143 punëtorë pësuan lëndime në vendin e punës, si pasojë 23 prej tyre humbën edhe jetën, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë. Këto shifra janë shqetësuese për Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në UBT, të cilët organizuan forumin me temë: “Siguria dhe Shëndeti në Punë – Si ta përballojmë këtë sfidë në Kosovë”.

Pjesë e këtij forumi ishin zyrtarë të shumtë institucional, ekspertë, profesorë dhe studentë, ku debatuan dhe nxjerrën konkluzione si përpjekje për të ndikuar në përmirësimin e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Me këtë rast, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi theksoi se kompanitë dhe punëtorët duhet të ndërgjegjësohen për pasojat e aksidenteve, lëndimeve në vendet e punës, teksa tha se duhet të krijohet një sistem modern që ndikon në shmangien e rreziqeve në vendpunishte.

“Fatkeqësisht numri i rasteve të aksidenteve të rënda në punë vazhdon të jetë i lartë dhe sigurisht që kjo është e pa akceptueshme. Për neve në përgjithësi është numër shumë i lartë dhe është përgjegjësi e çdo qytetari, kompanie ose institucioni që nuk ndërmarrim masa parandaluese për ti minimizuar këto raste”, theksoi Hajrizi.

Tutje, rektori Hajrizi specifikoi për punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë që duhet ti praktikojnë rregullat parimore, siç janë vendosja e kapelave ose bartja e veshmbathjeve mbrojtëse.

Uji Dea

Ndërkaq, drejtori për Çështje Akademike në UBT, Muhamet Ahmeti tha se institucioni po punon në edukimin dhe nxjerrjen e inxhinierive profesionist. Sipas tij, UBT në kurrikulat studimore ka të vendosura lëndë që lidhen me aspektin e sigurisë në punë.

“Suksesi më i madh i një ndërtimi më nuk varet me vlerë monetare, por varet me numrin minimal të aksidenteve që ndodhin në atë objekt. Kësisoj, edhe Fakulteti i Ndërtimtarisë në UBT, munduar që në disa lëndë ti kushtohet rëndësi këtyre problematikave. Vlerësojmë që ka progres, por besoj që kontribut dhe rezultat kanë dhënë edhe vizitat studimore të studentëve nëpër objekte”, potencoi Ahmeti.

Në kuadër të këtij forumi është prezantuar punimi më temë: “Qasja e re e BE-së në Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”, i profesorit Agim Shaqiri, dhe punimi “Vlerësimi i Riskut në vendet e punës dhe mjedisin e punës – Metodat”, i profesorëve Muhamet Ahmeti dhe Hazir Çadraku.

Profesori Çadraku tha se në këto punime është konstatuar se për punë të sigurt duhet të ndërmerren masa të përgjithshme, si trajnimi i të punësuarve, të bëhen kontrolla të rregullta, duhet të bëhet testimi i kushteve dhe mjedisit të punës, ekzaminime të rregullta shëndetësore, etj.

Forumi zhvilloi punimet me debatin e zhvilluar mes zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të Inspektoratit të Punës, si dhe pjesëmarrësve tjerë, të cilët u pajtuan se për të shmangur dhe parandaluar rreziqet në vendin e punës, duhet të zbatohen masat mbrojtëse dhe duhet të ketë sistem të monitorimit periodik.

Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit në UBT, organizon vazhdimisht debate të tilla që kanë për qëllim sensibilizimin e individëve dhe kompanive për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve në punë./rajonipress/