NISMA e ngadalësuar

NISMA për Kosovën, e cila nisi me një eufori të madhe kur u krijua javë më parë, ndërsa shihej si iniciativë që mund ta dëmtojë partinë më të madhe në vend, ka ditë që nuk po vërehet në skenën politike. Që kur u formua NISMA, kreu i Këshillit Kombëtar të saj, Jakup Krasniqi, u përpoq që ta mbajë zgjuar aktivitetin politik të saj duke përdorur konferencat për media pas Kryesisë së Kuvendit, duke u paraqitur aty në cilësinë e kryeparlamentarit e duke dhënë deklarata si opozitar nga NISMA.
Po ashtu, edhe infrastruktura e shtetit, si veturat e të tjera që kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi i ka shfrytëzuar në disa raste për punë partiake, nga analistë politikë shihen si veprime që tregojnë se NISMA nuk po paraqet ndryshimin e pritur, përkundrazi po del si vazhdimësi e mendësisë së subjekteve ekzistuese.
Analisti politik, Astrit Gashi, vazhdon të insistojë se kryetari i Kuvendit duhet të largohet nga pozita publike që tashmë nuk i takon. “Ai do të duhej, për arsye etike të largohej nga posti i kryetarit të Kuvendit, ku ka ardhur si i nominuar nga PDK-ja. Jo nga deputeti sepse aty ka ardhur përmes votës. Kjo nuk po ndodh, dhe pastaj natyrisht që vijojnë si në zinxhir edhe veprimet e tjera, sikur shfrytëzimi i aseteve të Kuvendit për nevojat e partisë”, ka thënë Gashi për Tribunën…(Tribuna).