Nisin të asfaltohen rrugët në Dobërqan
Gjilan – Pas një kohe të gjatë dhe pas shumë kërkesave dhe ankesave të banorëve të një pjesë të Mireshit së fundit ka nisur asfaltimi i rrugës kryesore që lidhë Dobërqanin me Pograxhën dhe Stublinën dhe disa rrugica brenda saj.
Rruga kryesore që lidhë Dobërqanin me Pograxhën dhe Stublinën ka nisur të rregullohet dhe të bëhet e gatshme për asfaltim. Komuna dukë parë gjendjen e mjerueshme të kësaj rruge e cila kishte gropa të mëdha edhe për peshkim, ka nisur të rregullojë dhe të bëjë gati për asfaltim.
Skender Zuka nga kompania “Tali” tha se punimet pritet të kryhen shumë shpejt. “Jemi duke pritur edhe vlerësimin e zyrtarëve komunal për dy tri rrugica për ta bërë të gatshme për asfaltim tërë atë pjesë” tha Zuka.
Sedat Salihu banor tha se më në fund diçka e mirë po ndodhë edhe në lagjen tonë. “Ishte momenti i fundit që komuna të intervenonte. Kemi pasur shumë telashe me rrugën e dëmtuar e të shkatërruar” tha Salihu.
Vebih Murseli gjithashtu banor thotë se janë 8 familje që po presin një përgjigje nga kreu i komunës për ta asfaltuar edhe rrugën e tyre. “Ne jemi optimist se kryetari kësaj radhe do ta marrë parasysh kërkesën zyrtare që ia kemi dërguar. Rrugica jonë nëse nuk asfaltohet tani me këtë projekt, vështirë se mund të kryhet ndonjëherë tjetër” shprehet Murseli./rajonipress/





