Fundamenti

Nisin përgatitjet për “Flakën e Janarit 2013”

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Këshilli i “Flakës 2013”, nën udhëheqjen e kryetarit të komunës, Qemajl Mustafa, ka nisur përgatitjet për manifestimin tradicional kulturor,“Flaka e Janarit 2013”, duke theksuar përkushtimin e tyre dhe komunës, që kjo ngjarje kulturore ndër të rrallat në Kosovë, me të cilët identifikohet Gjilani, të organizohet sa më mirë.

Anëtarët e Këshillit të “Flakës 2013”, theksuan se manifestimi kulturor, “Flaka e Janarit” edhe këtë vit do të përbëhet nga shtylla të njëjta si më parë, duke potencuar se meqë, “Flaka e Janarit”, vlerësohet një identitet i rëndësishëm kulturor i Gjilanit, ajo duhet të realizohet si është më së miri.

Drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (DKRS), Veton Nevzati, që është një nga anëtarët e këtij Këshilli, tha se anëtarët e Këshillit kanë marrë detyrat konkrete, ata së shpejti do t’i prezantojnë ato për t’i paraprirë kështu aprovimit të programit të Flakës.

Kurse, kryetari i komunës, Qemajl Mustafa, që udhëheq Këshillin e “Flakës 2013”, duke porositur anëtarët e këshillit për punë dhe kryerjen e detyrave, tha se sa më herët të jemi të gatshëm, manifestimi do të realizohet më mirë. Ai tha se pret që më së largu deri në fund të muajit tjetër planet të jenë të gatshme për ta aprovuar programin e Flakës.

Mobi Casa

Por, kryetari Mustafa, tërhoqi vërejtjen për shpenzime, duke theksuar se këtë vit duhet pasur kujdes më të madh me shpenzime, që ato të mos e kalojnë shifrën prej 30 mijë eurove për shkak të mundësive buxhetore. “Nuk duhet të shpenzojmë së tepërmi, por as t’i tkurrim shpenzimet së tepërmi, që ato të reflektojnë në këtë ngjarje kulturore, potencoi kryetari Mustafa.

Kryetari Mustafa theksoi se Ministria e Kulturës i ka premtuar dhjetë mijë euro mbështetje për këtë manifestim, ndonëse ai ka kërkuar më shumë, derisa pjesa tjetër do të mbulohet nga komuna. “Në nivel Kosove askush nuk e përgatit një ngjarje më të mirë kulturore se “Flaka e Janarit”, tha kryetari Mustafa duke theksuar se këtë e thonë të tjerët.

Kreu i komunës tha se beson, që me një përkushtim edhe manifestimi i radhës i Flakës, që mbahet në nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të historisë sonë kombëtare, do të jetë i suksesshëm në të gjitha shtyllat e tij.

Edhe anëtarët tjerë të Këshillit që janë përgjegjës për shtyllat e Flakës, folën për aspekte të ndryshme, me qëllimin e vetëm, që ky manifestim tashmë tradicional me mbi 20 vite, të organizohet sa më mirë, duke përmendur me këtë rast zërimin, ndriçimin dhe ndryshimin e skenografisë./rajonipress/