Nis kundërmimi dimëror, degradohet zemra e qytetit

Gjilan – Këto pamje nuk i duhen qytetit të Gjilanit i cili shpesh vlerësohet nga pushtatarët edhe si qyteti Evropian. Qendra ose zemra e qytetit po tregohet e zymtë dhe e trishtueshme. Shërbimet publike kurrë më të dobëta nuk kanë qen në komunën e Gjilanit.
Këto foto që janë realizuar dje në parkun e qytetit flasin për mjerimin e madh që e ka kapluar sektorin e shërbimeve publike. Bërllok, papastri kudo, erë e kundërmim dimëror. Shkatërrim total i parku dhe i ambientit. Qytetarëve nuk ju intereson se kush është fajtori, komuna apo “Eco – Higjiena”, ata duan shërbime dhe llogari nga qeverisja komunale.
Në fakt i vetmi zyrtar i lartë komunal që ka punuar për ta stabilizuar raportin e ngrirë në mes të komunës dhe “Eco – Higjienës” është nënkryetari Arbër Ismajli, derisa të gjithë të tjerët kanë dashur ta shkatërrojnë dhe ngulfasin këtë kompani.
Qytetarët ndërkaq janë të tmerruar nga pamjet. Nehati një mësues që frekuenton shpesh parkun tha se era e rëndë dhe bërlloku që është shkapërderdhur i japin pamje shumë të pakëndshme zemrës së qytetit. “Më vije turp kur kalojë këtu pari, ndihem në siklet, në vend se të jetë e kundërta”.
Rrahmani një pensionist tha se s`ka as ku ulet sepse gjithkund është e zhytur dhe me kundërmim të rëndë.
Komuna duhet urgjentisht ta zgjidhë problemin e mirëmbajtjes së hapësirave publike, në të kundërtën edhe këtë vit do të ballafaqohemi me skena të rënda dhe me degradim të ambientit vlerësojnë qytetarët./rajonipress/