Nis asfaltimi i rrugës Pograxhë – Llovcë

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Kompania nga Gjilani “Zuka Comerce ” ka nisur asfaltimin e rrugës Pograxhë – Llovcë. Vlera e asfaltimit të kësaj rruge e gjatë 4.7 km arrin në 470 mijë euro. Banorët e Llovcës i janë gëzuar kësaj dite meqë sipas tyre ngjallen shpresat për të jetuar më të qetë dhe për të punuar tokat e mbetura.

Të dielën ka nisur asfaltimi i shtresës së parë në rrugën Pograxhë – Llovcë. E tërë makineria e kompanisë “Zuka Comerce” tashmë është drejtuar për ta përfunduar sa më shpejt shtresën e parë dhe më pas edhe shtresën finale.

Muhadin Zuka pronar i kompanisë tha për rajonipress se është i kënaqur me rrjedhën e punimeve.”Ne kemi planifikuar që në fund të korrikut kjo rrugë të jetë e përfunduar dhe sipas dinamikës së punimeve besojmë se edhe ashtu do të përfundohet”.

Banorët e Llovcës i janë gëzuar kësaj dite pasiqë ata shohin shpresa dhe optimizëm tek rruga e asfaltuar. Ibrahim Shabani mërgimtarë në Zvicër thotë se ka katër vite që e viziton vendlindjen dhe ka bërë disa investime në kopsht dhe shtëpi. “Kur po e shoh këtë rrugë të asfaltuar mua po më ngjallen shpresat se fshati do të gjallërohet me njerëz. Ne duhet t`i kthehemi punës e arave që kanë mbetur shkretë. Rruga jam i sigurt se do të jetë një shtytje për ato familje që kanë migruar në Gjilan e që tani kanë parakushte për të jetuar edhe në Llovcë” shprehet Shabani.

KKVITI

Edhe Behxhet Mehmeti mësues në këtë fshat tha se asfaltimi i rrugës është lajmi më i mirë në jetën e tij. “S`ka gëzim më të madh dhe vërtet nuk di si ta përshkruaj. Unë kam udhëtuar më parë edhe në këmbë deri në Pograxhë , por tani janë plotësuar kushtet që të jetojmë e punojmë më lehtë dhe më mirë” tha Mehmeti.

Ndryshe vlera e investimeve në rrugën e gjatë 4.7 km dhe e gjerë 5.5 metra arrin në 470 mijë euro. Kjo rrugë dhe ajo në fshatin Bilinicë dhe Kokaj janë prioritete të Qemajl Mustafës thotë Fadil Osmani menaxher në zyrën e projekteve.

Fshati Llovcë dikur (para luftës ) i ka pasur mbi 56 shtëpi të banueshme. Por kushtet e rënda të jetesës dhe rruga e dëmtuar ka detyruar shumë familje që të braktisin fshatin dhe të vendosen në qytet. Aktualisht Llovca i ka 27 shtëpi të banueshme.

Zyrtarët komunal shpresojnë që në fazën e dytë të vazhdohet edhe me asfaltimin e rrugës Llovcë – Ranatovc sikurse që janë paraprak edhe rrugët Pograxhë – Bilinicë dhe Pograxhë – Sllubicë. /rajonipress/