Nicole Kidman, sensuale edhe elegante

Aktorja rikthehet në skenë me filmin “The Paperboy”, ndërkohë që po xhiron në Paris një tjetër film që flet për jetën e princeshës së Monakos.
Nicole Kidman është një grua tepër aktive, si në jetë ashtu edhe në skenë: ajo numëron shumë filma, mes të cilëve “Hemingway & Gellhorn”, filmi që flet për shkrimtarin dhe gruan e tij të parë, trileri “The Paperboy”, ku ka një marrëdhënie erotike me një të burgosur (John Cusack) dhe një djalosh naiv (Zac Efron), filmi horror “Stoker” i regjisorit korean Chan-wook Park, si dhe drama e luftës “The Railway Man”. Por Kidman nuk ndalet me kaq. Ajo sapo ka nisur xhirimet e një filmi të ri të titulluar “Grace of Monaco” (“Grace e Monakos”), dhe luan rolin e princeshës Grace Kelly (Tim Roth është Ranieri), me regji të francezit Olivier Dahan.
Ish-gruaja e Tom Cruise, tani e martuar me kantautorin australian të muzikës “countryblues” Keith Urban, nënë e katër fëmijëve, dy të adoptuar me Cruise dhe dy të lindur me Urban, ka fluturuar nga Franca drejt Los Anxhelosit për prezantimin e filmit “The Paperboy”, që sapo është shfaqur nëpër kinematë amerikane.
Në filmin “The Paperboy” keni një skenë ku u është dashur të kopjonit Sharon Stone në “Basic Instinct”.
Po, është e vërtetë, por ndryshe nga kolegia ime, duhet ta theksoj se mes këmbëve të mia nuk dukej asgjë. Efektivisht ka qenë një pjesë e çuditshme, atipike për mua, të paktën për sa i përket karrierës sime në moshë madhore. Në vitin 1995 bëra diçka të ngjashme në filmin “To Die For” të regjisorit Gus Van Sant, kur kisha rolin e një shtëpiake të dëshpëruar që ëndërronte të bëhej spikere televizive dhe vriste këdo për t’ia arritur qëllimit.
Nuk ju tremb karakteri seksual i personazheve?
Asgjë nuk më tremb kur aktroj. Edhe në filmin “Eyes Wide Shut” të regjisorit Stanley Kubrick m’u desh të lija mënjanë krenarinë. Një aktore e vërtetë nuk e braktis rolin, për shkak të vështirësisë së tij. Përkundrazi, kjo gjë e bën aktrimin një punë kaq të bukur dhe interesante për mua. Nuk më pëlqen që një aktor të luajë gjithmonë brenda një formati. Përveç të tjerash nuk mund të quhesh aktor nëse interpreton gjithmonë të njëjtin rol. Është bukur të ndihesh i sfiduar dhe në siklet. Në filmin “The Paperboy”, për shembull, nuk i jam sjellë kurrë John Cusack si Nicole, në sheshxhirim. Gjithmonë kam qenë personazhi. Në fund të filmit, pas dublës së fundit, John erdhi te mua dhe m’u prezantua: “‘Përshëndetje, unë jam John’, më tha”.
A keni njohur gra që kanë lidhje me kriminelë të mbyllur në burgje?
Po, madje kam biseduar me pesë nga këto gra. Bëhen edhe kërkime në lidhje me këto figura patetike, të cilat edhe pse të mbyllura atje brenda përpiqen të marrin jetë njerëzish. Një prej grave me të cilat fola, përfundoi duke u martuar me një kriminel në qeli.
Nicole, ju punoni pa pushim dhe jeni në majë të suksesit. Në moshën tuaj, 45 vjeçe, aktoret kanë frikë se mos lihen mënjanë, për shkak të “plakjes”.
Nuk e mohoj që ndonjëherë “akuzoj” më shumë lodhjen sesa vitet që kam nën lëkurë. Kam dy fëmijë të vegjël, që pavarësisht se kërkojnë shumë angazhim dhe kujdes, më japin pafund energji dhe dëshirë për të jetuar. Ndoshta këtë rininë time të tejzgjatur ua dedikoj pikërisht atyre dhe faktit që i kam sjellë në jetë në moshë të vonë, pas të 40-ave. Për sa i përket punës, besoj se gjërat kanë ndryshuar: në qoftë se një grua di ta mbajë veten dhe është nja artiste e nderuar, kërkesat vazhdojnë të vijnë. Meryl Streep është 20 vjet më e madhe se unë dhe nuk pushon së punuari.
Prej gjashtë vjetësh ju jeni e martuar me Keith Urban, çfarë cilësish ka që e mbani të lidhur pas vetes?
Keith më pëlqen jo vetëm se ka talent, por edhe sepse është një njeri bujar dhe reflektues, di si të sillet me një grua dhe me veten. Është i gjallë dhe i thellë. Unë jam fansja e tij e parë. Ai ka shkruar disa këngë për mua, por nuk jua them se cilat janë.
Ndërkohë po punoni për filmin “Grace e Monakos”. Çdo të thotë për ju të mishëroni një ikonë kaq të madhe?
Kam bërë shumë kërkime rreth saj para se të filloja xhirimet në Paris. Dita e parë në sheshxhirim ka qenë e tmerrshme, e grimuar dhe e veshur si ajo. Nuk dua të flas, sepse jam zhytur thellë brenda saj dhe më rrëqethet mishi kur e mendoj. Kur të kthehem në Paris, do të xhiroj një skenë me Frank Langella, i cili interpreton priftin Tucker, rrëfyesi i princ Ranierit për shumë vite.
A ka ndryshuar koncepti juaj i stilit dhe modës duke u përballur me këtë rol?
Shumë. Kam kaluar një fazë të gjatë xhinsesh e bluzash dhe tani, duke interpretuar Grace, më është ngjallur dëshira për modën që kishim kur isha 20 vjeçe, gjë të cilën e kisha braktisur prej shumë kohësh. Tani vishem ndryshe, me funde dhe taka të larta. Por nuk mund t’i rezistosh gustos dhe shijes së Grace. Tashmë edhe mua më është ngjitur mikrobi i saj. Kostumet e saj në film na mundësohen nga firma të mëdha si “Cartier” dhe “Chanel”. Edhe personi që më rregullon flokët në film është djali i personit që i rregullonte flokët Grace. Ndihem tejet e privilegjuar dhe fatlume që ma besuan mua personazhin që i kushtohet asaj. Shpresoj ta nderoj bukuroshen dhe të mrekullueshmen Grace Kelly.