Eko Higjiena

Ngopen me dhunë

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje u mblodhën sërish në Shesh. Policia i vëzhgoi nga ndërtesa e Qeverisë, nuk ndërhyri fare, e as protestuesit nuk i gjuajtën ata me gurë. Kryeministri Hashim Thaçi e quajti Albin Kurtin nxitës të dhunës dhe njeri që po përpiqet t’i zhvendosë në rrugë humbjet që po i pëson në Parlament.

Ashtu siç paralajmëruan një ditë më parë, u mblodhën sërish.

Caku ishte i njëjtë- Qeveria e Kosovës. Por, kësaj radhe aktivistët e Vetëvendosjes së Albin Kurtit nuk tentuan ta pengojnë punën e qeveritarëve.

Qëllimi i tyre të martën ishte ekspozimi i fanellave me emrat e të arrestuarve në rrethojën e ndërtesës së ekzekutivit, gjë që u bë pa asnjë pengesë.

Përkrah Kurtit u panë qindra aktivistë e qytetarë, ndër ta edhe deputetët e lënduar në protesta Visar Ymeri, Liburn Aliu dhe Albulena Haxhiu.

Emrat e 63 të arrestuarve të së hënës u lexuan më zë para turmës, e cila kërkonte lirimin e tyre.

Por, kjo kërkesë vështirë të realizohet para ditës së mërkurë, kur pritet të kalojnë edhe 48 orët e masës së ndalimit policor që ishte shqiptuar të hënën.

Policia këtë masë e ka arsyetuar me pengimin e personit në detyrën zyrtare duke u thirrur në rezistencën e protestuesve ndaj policëve, të cilët nuk kursyen as gazin lotsjellës e as shkopinjtë e gomës.

Këtij intervenimi, që u cilësua i dhunshëm, një përgjigje i dha Albin Kurti.

Sipas tij, policët nuk vepruan me dëshirë kundër protestuesve, por duke zbatuar urdhrat e Kryeministrit Hashim Thaçi dhe ministrit të tij Bajram Rexhepi. Atyre ua drejtoi edhe një porosi. ”Ne ju bëjmë thirrje gjithë policëve të Kosovës të organizohen në sindikatën e tyre dhe t’i dërgojnë letër shefit të policisë, ministrit të Brendshëm, kryeministrit, që të mos i mbërthejnë kundër Vetëvendosjes, por kundër korrupsionit, kundër kriminelëve dhe kundër strukturave ilegale të Serbisë”, tha Kurti.

GRANDEMALL

“Këta njerëz dje kanë zbatuar urdhrat e Qeverisë, të një qeverie të dhunshme, e cila shtetin e Kosovës po e bën shtet policor. Ne jemi kundër shtetit policor dhe për Republikën e Kosovës”, shtoi Lideri i Vetëvendosjes.

Por Kryeministri, të cilin Kurti e akuzoi për urdhra të kundërligjshëm, të martën tha se është i tronditur nga pamjet e protestës së një dite më parë.

Kryeministri Thaçi e ftoi Liderin e Vetëvendosjes të mos e zhvendosë debatin nga Parlamenti në rrugë.

“Jam thellësisht i tronditur nga pamjet e djeshme në kryeqytetin tonë. 13 vjet pas çlirimit të Kosovës dhe pesë vjet pas bërjes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran asnjëherë nuk kam menduar që sheshi i kryeqytetit tonë do të ishte arenë e pamjeve të tilla rrëqethëse. Protestues të lënduar, policë të lënduar, deputetë të lënduar…”, ka thënë Thaçi.

“Unë ftoj sot publikisht kryetarin e Vetëvendosjes që debatin e humbur në Parlamentin e Kosovës të mos e zhvendosë në rrugë, që idetë dialoguese të mos i zëvendësojë në veprime të dhunshme. Betejat e humbura në Parlament nuk mund dhe nuk duhet të zhvendosen në rrugë, kjo nuk është demokraci dhe veprimet e tilla e rrezikojnë lirinë tonë. E ftoj liderin e Vetëvendosjes që të jetë i përgjegjshëm politikisht dhe t’ i ndalojë manipulimet me qytetarë, të ndërpresë njollosjen e Policisë së Kosovës dhe institucioneve të rendit”, ka shtuar kreu i ekzekutivit.

Këto deklarata i ka përqeshur deputetit të VV’së Rexhep Selimi.

“Doli sot në një konferencë kreu i Qeverisë, doli Kryeministri dhe iu drejtua popullit sikur dikur Xhavit Nimani në vitin 1981, po as në vitin 1981 as në vitin 1998 e as në vitin 2012, populli nuk merr vesh nga këta njerëz. Populli nuk i merr vesh këta, sepse populli merr vesh të drejtën e tij për vetëvendosje”, tha Selimi.

Madje, ia përmendi edhe bashkëpunëtorët e tij të luftës, të cilët u vunë nën pranga të hënën, duke ia kërkuar lirimin e të arrestuarit Gani Krasniqi.

“Hashim, liroje Bacën Gani se baca Gani është ai që e ka mbajt me bukë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, baca Gani është ai që ka dhënë djalin dëshmor për lirinë e kombit e do ta bënte këtë kurdo që kërkohet…”, tha Selimi.

Ndryshe, Gani Krasniqi dhe 62 aktivistë të tjerë ishin arrestuar të hënën nga Njësia Speciale e Kosovës, pas intervenimit që kjo pati për pengimin e arritjes së aktivistëve të VV’së deri të ndërtesa e Qeverisë. Të martën u panë vetëm dhjetëra policë të rendit përreth objektit të ekzekutivit. Ndërsa protesta përfundoi e qetë pas dy orësh.(express)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.