Nga Rtanji në Kinë, njerëzit kërkojnë strehim nga apokalipsi
Derisa për shumicën e njerëzve data 21.12.2012 është një ditë sikurse të gjitha të tjerat, disa të tjerë janë të bindur se ajo do të jetë dita e fundit e ekzistencës së Tokës.
Edhe pse as vetë majanët nuk kanë qenë të bindur për tezën e “apokalipsit”, përkrahësit e këtij parashikimi tashmë kanë rezervuar vendet ku do ta kalojnë ditën e zezë dhe për të cilat besojnë se do të tejkalohen nga kiameti. E pika për të cilat besohet se lirojnë “një lloj energjie speciale” ekzistojnë kudo nëpër planet.
Rtanji i Serbisë – “një vendstrehim” nga apokalipsi
Sipas së përditshmes britanike “Telegraph”, përkrahësit e skenarit për fundin e botës besojnë se brenda malit Rtanj ndodhet një ndërtesë në formë piramide, të cilën para disa qindra e mijëra vjetësh e kishin ndërtuar jashtëtokësorët.
Të bindur se apokalipsi në të vërtetë do ta anashkalojë malin serb, të interesuarit tashmë kanë rezervuar vende nëpër hotelet në afërsi të tij.
Sipas Obrad Bleçiqit, menaxherit të etnoqendrës “Balasheviq” në Bolevac, në afërsi të Rtanjit, të gjitha kapacitetet pranuese janë mbushur për 21 dhjetor.
“Interesimi është jashtëzakonisht i madh. Njerëzit interesohen, thërrasin në telefon, gazetarë të televizioneve vijnë për të xhiruar. Brenda ditës pranojnë edhe disa qindra thirrje, mirëpo fatkeqësisht, të gjithë 80 shtretërit janë rezervuar për atë ditë”, thotë ai. E të interesuar, sipas tij, janë jo vetëm serbët, por edhe të huajt. “Kemi disa mysafirë nga Austria. Një mysafir ka rezervuar disa shtretër për të gjithë familjen, ndërsa shqetësohej se si do ta sjellë gjyshen e palëvizshme”, thotë Bleçiq.
Nuk ju përshtatet Rtanji- bën edhe Turqia
Megjithatë, atyre që nuk u pëlqen edhe aq Rtanji, mund ta provojnë fatin në fshatin Sirince, në perëndim të Turqisë, jo larg qytetit antik Efes. Ky vend i vogël me rreth 600 banorë liron po ashtu energji pozitive. Vendësit presin ardhjen e rreth 60.000 turistëve në prag të 21 dhjetorit.
“Kjo është hera e parë që mbizotëron një interesim i tillë në sezonin dimëror”, ka thënë pronari i një hoteli në Sirince, Ilkan Gulgun. Duke u mbështetur në turistët që planifikojnë të vizitojnë Turqinë, përfitime synon të nxjerrë edhe biznesmeni, Erkan Onoglu, i cili ka shpikur verën speciale “Apokalips” veçanërisht për 21 dhjetor.
Ata që e pëlqejnë kulturën franceze e që i druajnë fundit të botës mund të fshihen në fshatin Bugarash në Pirineje, ku jetojnë gjithsej 179 banorë. Mali aty fsheh në “gjirin e vet” bazën e jashtëtokësorëve, të cilët do të shpëtojnë njerëzit më të afërt.
Duke e pasur parasysh faktin se vizitorë nga e gjithë bota tashmë kanë tentuar të ngjiten në mal, prefekti i Bugarachit, Jean Pierre Delor, ka lutur ushtrinë të bëjë rojë dhe të ndalojë njerëzit të ngjiten në shkëmbinj. Rritje në shitjen e mallrave esenciale për jetën është vënë re edhe në Rusi dhe Meksikë, ku gjatë muajit të fundit janë veçanërisht popullor suvenire me simbolet e majave. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shtuar kërkesat për vendstrehime speciale nëntokësore, të cilat i ka dizajnuar Ron Habard.
“Më herët shisnim nga një vendstrehim në muaj, ndërsa tani kemi blerës për çdo ditë. Nuk e di nëse parashikimi është i saktë, por unë, për çdo rast, do të shkoj nën tokë më 19 dhjetor dhe do të dalë pas katër ditësh”, thotë Habard për “Telegraph”.
Kinezi që bëri topa gjigantë për shpëtim nga fundi i botës
Një bujk nga Kina, Liu Kijuan, planifikon po ashtu të pasurohet në llogari të fundit potencial të botës. Ai ka dizajnuar në oborrin e shtëpisë së tij dy topa gjigantë, për të cilët pretendon se do ta mbijetojnë goditjen nga katastrofa e fundit të botës.
Topat mund të lundrojnë mbi ujë dhe kanë edhe motorë për drejtim. Ato janë të mbyllura në mënyrë hermetike, ndërsa brenda ndodhen bombolat me oksigjen dhe rripat për shpëtim. Në njërin prej këtyre topave ka vende të mjaftueshme për vendosjen e 14 personave.(koha)