Mobi Casa

“Nga mesi i shtatorit votuesit mund ta ndryshojnë qendrën e votimit edhe kur s’ka zgjedhje”, thonë nga KQZ-ja

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, që duan ta ndërrojnë qendrën e tyre të votimit brenda komunës, nuk do të kenë më nevojë të presin zgjedhjet e radhës për ta bërë këtë ndryshim.

Së shpejti, ndërrimi i qendrës së votimit brenda komunës ku është i regjistruar një votues, do të mund të bëhet në çdo kohë.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka dhënë detaje se si do të funksionojë ky shërbim dhe nga kur do të jetë i qasshëm për votuesit.

Ai ka shpjeguar se ndërrimi i qendrës së votimit brenda komunës do të mund të bëhet në dy mënyra: (1) duke paraqitur kërkesën në Zyrën e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është i regjistruar votuesi apo (2) përmes platformës online që do të bëhet së shpejti e qasshme në ueb faqen e KQZ-së.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke bërë përgatitjet në mënyrë që në pjesën e dytë të muajit shtator të mund të funksionalizohet makina kërkuese, ku do të vendoset lista votuese e qytetarëve me të drejtë vote në vendin tonë. Çdo votues, vetëm duke shënuar numrin e tij të letërnjoftimit, do të mund të shoh të dhënat e tij, në këtë rast qendrën e tij të votimit. Nëse votuesi dëshiron që ta ndërrojë qendrën e votimit, do të mund ta parashtrojë këtë kërkesë në të njëjtën platformë, pra online, vetëm duke plotësuar të dhënat që kërkohen. Ndryshimi i qendrës së votimit do të mund të bëhet edhe duke paraqitur fizikisht kërkesën në Zyrat e KQZ-së në ndonjërën nga 38 komunat”, tha Elezi.

Mobi Casa

Prej disa proceseve zgjedhore, KQZ-ja u ka mundësuar votuesve ndryshimin e qendrës së votomit vetëm brenda një afati në kuadër të procesit zgjedhor. Sipas statistikave të KQZ-së shërbimi online mbetet më i shfrytëzuari.

“Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2021, KQZ-ja ka pranuar 8 439 kërkesa për ndërrimin e qendrës së votimit. Prej tyre, 6 345 apo 75% janë paraqitur përmes aplikacionit online dhe vetëm 2 094 kërkesa janë parashtruar në ndonjërën nga 38 Komisionet Komunale të Zgjedhjeve”, tha Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar në fillim të këtij viti listën me 883 qendra të votimit në Republikën e Kosovës.

Sipas të dhënave të KQZ-së, 148 qendra të votimit gjenden në zonat urbane të komunave (16.76%), në të cilat në Zgjedhjet Lokale 2021 kanë qenë të caktuar 796 256 votues (42.23%).

Ndërkaq, pjesa më e madhe e qendrave të votimit, 735 sosh (83.23%) gjenden në zonat rurale të komunave, e në të cilat kanë qenë të caktuar rreth 1 086,192 votues (57.60%).