ARKATANA

Nga Gjilani drejt majave akademike në SHBA – Nexhi Deti doktoron në fushën e Dixhitalizimit, krenari për familjen dhe Kosovën

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Në një kohë kur të rinjtë shqiptarë po dëshmojnë gjithnjë e më shumë potencialin e tyre në arenën ndërkombëtare, një tjetër histori suksesi vjen nga Gjilani. Nexhi Deti ka përfunduar me sukses studimet e doktoraturës në fushën e Dixhitalizimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shënuar një arritje të rëndësishme akademike dhe profesionale që ka mbushur me krenari familjen, miqtë dhe gjithë komunitetin nga i cili ai vjen.

Lajmin emocionues e ka ndarë babai i tij, Hajriz Deti, përmes një mesazhi prekës dhe plot krenari prindërore, ku ka vlerësuar rrugëtimin e gjatë dhe sfidues të të birit drejt suksesit.

“Sot është një nga ato ditë që një prind i ruan gjatë në zemër. Me emocion dhe krenari të veçantë dua ta ndaj me ju lajmin se djali im, Nexhi Deti, ka përfunduar me sukses doktoraturën në fushën e Dixhitalizimit në SHBA”, ka shkruar ai.

Sipas tij, ky sukses nuk ka ardhur rastësisht, por është rezultat i viteve të tëra pune, sakrifice, përkushtimi dhe besimi të palëkundur në ëndrrat dhe synimet personale.

“Ky rrugëtim nuk ka qenë i lehtë. Pas çdo suksesi fshihen vite pune, sakrifice, durimi dhe besimi të madh në ëndrrat e veta. Pikërisht për këtë arsye, kjo arritje ka një vlerë edhe më të madhe për mua si prind”, ka theksuar Hajriz Deti.

Fundamenti

Ai ka përcjellë edhe një mesazh motivues për të rinjtë shqiptarë, duke nënvizuar se origjina apo vendi nga vjen një njeri nuk e kufizon suksesin kur ekzistojnë dija, vullneti dhe puna e ndershme.

“Njeriu mund të vijë nga vende të vogla, por me dije, vullnet dhe përkushtim mund të arrijë majat më të larta. Prandaj, dëshira ime është që historia e Nexhit t’u japë kurajë të rinjve tanë të mos dorëzohen kurrë dhe të besojnë te vetja, edhe atëherë kur rruga duket e gjatë dhe e vështirë”, ka shkruar ai.

Në fund të mesazhit të tij, babai krenar ka vlerësuar arsimin dhe karakterin si pasurinë më të madhe që një familje mund t’u lërë brezave të rinj.

“Në fund, pasuria më e madhe që mund t’u lëmë fëmijëve tanë është arsimi, karakteri dhe besimi se gjithçka arrihet me punë të ndershme. Zoti e bekoftë Nexhin në çdo hap të jetës së tij dhe ia shtoftë sukseset edhe më shumë”, përfundon mesazhi i Hajriz Detit.

Arritja e Nexhi Detit konsiderohet një sukses i rëndësishëm jo vetëm për familjen e tij, por edhe një shembull frymëzues për të rinjtë nga Kosova që synojnë avancimin akademik dhe profesional në universitetet më prestigjioze të botës./rajonipress/