Nga diabeti te kanceri i prostatës, 5 sëmundjet që kërcënojnë meshkujt

/ 6 minuta lexim

Të jesh i shëndetshëm sot është më e thjeshtë se më parë. Kjo falë përdorimit të teknologjisë moderne mjekësore dhe trajtimeve. Megjithatë ka disa gjëra që meshkujt duhet të bëjnë në përditshmërinë e tyre për të qenë të shëndetshëm dhe për të reduktuar stresin. Ata janë më të rrezikuar ndaj disa sëmundjeve dhe kjo duhet pasur parasysh kur përzgjedhin dietën ushqimore, programin stërvitor dhe trajtimin mjekësor. Në mënyrë interesante prania e disa sëmundjeve rrit mundësinë që një tjetër të ndodhë. Shumica e sëmundjeve që prekin meshkujt janë të parandalueshme, por pikë së pari duhet të njihni armiqtë tuaj“. Ashtu siç thotë edhe një proverbë e vjetër kineze: “Njih armikun dhe veten dhe mund të luftosh në qindra beteja pa katastrofa”. Më poshtë paraqiten sëmundjet më të shpeshta tek meshkujt, të shoqëruara me simptomat përkatëse.

1. PRESIONI I LARTË I GJAKUT: KUJDES PAS TË 30-VE

Jeta jonë e mbushur me stres që ndonjëherë duket si një qark i mbyllur, inaktiviteti fizik dhe zakonet e këqija në ushqyerje kanë pasoja negative. Hipertensioni ose presioni i lartë i gjakut përbën një problem serioz.

Rreth të 30-ve dhe moshës së mesme, meshkujt kanë më shumë mundësi të vuajnë nga problemet e presionit të lartë të gjakut sesa femrat. Në mënyrë më specifike meshkujt afro-amerikanë kanë tendencë të zhvillojnë më herët hipertension të një forme më të ashpër se meshkujt kaukazian.

Çfarë duhet të bëni:

Ju duhet të ushtroni aktivitet fizik, të eliminoni ushqimet e skuqura, ato me përmbajtje të lartë kripe, alkoolin dhe duhanin për të qenë më të shëndetshëm.
Konsultat e rregullta me mjekun tuaj do t‘iu ndihmojnë gjithashtu të mbani presionin e gjakut në normë.

2. DIABETI: MËSONI SIMPTOMAT

Diabeti është një sëmundje në të cilën pankreasi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë (tipi i parë i diabetit) ose organizmi nuk është në gjendje ta përdorë siç duhet insulinën (tipi i dytë i diabetit). Insulina është një hormon që prodhohet nga pankreasi dhe ruan rol thelbësor në homeostazën e glukozës. Afërsisht 7.8 milion meshkuj vuajnë nga diabeti. Pjesa më e madhe janë rreth të 40-ve ose më shumë. Më të rrezikuar janë ata që kanë histori familjare apo histori të mëparshme për diabet, ata që janë mbipeshë dhe që nuk stërviten rregullisht. Simptomat që shoqërojnë diabetin mund të ngatërrohen. Nëse ndiheni i lodhur, i etur, urinoni shpesh, humbisni papritur në peshë, vini re se plagë të vogla duan kohë të mbyllen; atëherë merrini simptomat seriozisht dhe kërkoni ndihmë mjekësore. Shpesh edhe impotenca është një simptomë e diabetit.

Çfarë duhet të bëni:

Krahas trajtimit medikamentoz ju duhet të ushtroni aktivitet fizik dhe të bini në peshë. Të gjitha këto përmirësojnë nivelin e glukozës në gjak.

3. KANCERI I PROSTATËS: MËSO ÇFARË ËSHTË PSA-JA

Eco Higjiena

Kanceri i prostates, sikurse kanceri kolorektal, ka incidencë të lartë tek meshkujt. Prostata është një gjendër me madhësinë e arrës, e lokalizuar nën fshikëzën e urinës. Përafërsisht 1 në 30 meshkuj vdes nga kanceri i prostatës, kështu që diagnostikimi në stadet e hershme është shumë i rëndësishëm. Grupmoshat 65 vjeç e sipër janë më të rrezikuarat.

Fatkeqësisht shumica e meshkujve me kancer të prostatës nuk manifestojnë simptoma derisa sëmundja diagnostikohet në një stad të avancuar. Shenjat përfshijnë : dhimbje gjatë urinimit apo urinim me gjak, urinim i shpeshtë (më shpesh gjatë natës), ulje e libidos, vështirësia për të arritur dhe mbajtur ereksionin.

Çfarë duhet të bëni:

Depistim i rregullt: edhe pse parandalimi është me raste i vështirë, analizat e gjakut për antigenin specifik të prostatës (i njohur si PSA-ja) dhe ekzaminimi rektal digital (ose tusheja rektale ) mund t‘ju ndihmojnë të zbuloni herët sëmundjen.

4. KANCERI KOLO-REKTAL DUHET TË SHMANGNI FAKTORËT E RREZIKUT

Kanceri kolo-rektal (i zorrës së trashë) është shkaku i dytë i vdekshmërisë ndër sëmundjet kancerogjene në Shtetet e Bashkuara. Në pjesën më të madhe të rasteve fillon me shfaqjen e polipeve beninje që rriten në zorrë. Nëse këto polipe beninje invadojnë kolonin, ashtu si edhe pjesë të tjera të organizmit ato mund të bëhen kancerogjene. Shkaqet e shfaqjes së tij nuk janë plotësisht të njohura, por ka shumë gjasa që ai të shfaqet tek meshkujt mbi 50 vjeç dhe tek ata që kanë histori familjare për kancer kolorektal. Gjithashtu dieta e pasur me yndyrna dhe e varfër ne fibra, obeziteti, konsumimi i alkoolit dhe duhanit kontribuojnë në shfaqjen e tij. Simptoma të cilave duhet t’i kushtoni vëmendje janë: dhimbje abdominale konstante, lodhje, gjak në feçe, diarre, humbje e paqëllimshme në peshë.
Çfarë duhet të bëni: Ju duhet të kryeni një ekzaminim të ashtuquajtur kolonoskopi në intervale të rregullta duke nisur që prej moshës 50 vjeç. Procedura mund të jetë e parehatshme por ka rezultate të pazëvendësueshme duke reduktuar vdekshmërinë në 18 %. Ju gjithashtu mund të kontrolloni “fatin tuaj” duke mbajtur një dietë të shëndetshme, ushtruar aktivitet fizik dhe lënë duhanin.

5. SËMUNDJET SEKSUALE

Sëmundjet seksualisht të transmetueshme (SST) janë infeksione që mund të transmetohen nga një individ tek tjetri përmes kontaktit seksual. Këtu përfshihen: sifilizi, gonorrea, HIV/AIDS, klamidia herpes simplex virus -2, hepatiti B, etj. Klamidia është sëmundja më e shpeshtë në këtë grup sëmundjesh. Është një infeksion bakterial që prek organet riprodhuese, traktin urinar dhe sytë. Një studim i vitit 2003 në meshkujt e rinj zbuloi se 8.2 % ishin të infektuar me klamidia. Çdo mashkull seksualisht aktiv që ka një partnere të re ose disa partnere njëkohësisht është më i rrezikuar. Gjithashtu edhe ata që kryejnë marrëdhënie seksuale pa përdorur masa mbrojtëse janë të rrezikuar. Shumë individë me sëmundje seksualisht të transmetueshme nuk i kushtojnë vëmendje simptomave. Nëse keni rrjedhje të pazakonshme nga uretra, ndjesinë e djegies kur urinoni, testikuj të enjtur dhe të dhimbshëm mund të keni klamidia. Nëse nuk trajtohet ju rrezikoni të mbeteni steril ndërkohë që sëmundja përhapet nga uretra drejt testikujve.

Çfarë duhet të bëni:

Ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Mjeku do t‘iu ndihmojë të zgjidhni problemin. Mos harroni gjithashtu ABC-në e parandalimit: A për “abstinencën”, B për “besnikërinë” dhe C për “Condom (prezervativin)”.