Nga 1 vit e 8 muaj burg për Burim Osmanin e Ardian Xhaferin

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Kolegji i Gjykatës së Qarkut në Gjilan i kryesuar nga Rasim Rasimi ka shpallur aktgjykimin kundër Burim Osmanit e Ardian Xhaferit të cilët i ka dënuar me nga 1 vit 8 muaj burg, derisa ka liruar nga akuzat Besnik Fejzullahun.

Gjykata e Qarkut në Gjilan të hënën ka shpallur aktgjykimin kundër Burim Osmanit e Ardian Xhaferit. Duke dhënë arsyetimin kryetari i trupit gjykues Rasim Rasimi tha se Osmani dhe Xhaferi janë fajtor për veprën penale ”mbajtja në pronësi, në kontroll, në posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, për të cilën vepër kanë marrë një dënim unik prej 1 vit e 8 muaj burgim, për secilin veç e veç.

Gjykata ndërkaq ka hequr dorë për veprat penale “vrasje e rëndë në tentativë”, ”blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”. Gjykata gjithashtu ka liruar nga akuzat edhe të dyshuarin e tretë Besnik Fejzullahun.

Ndryshe ky proces gjyqësor është përcjellur me një interesim të madh për faktin se edhe Burim Osmani edhe Ardian Xhaferi i kanë takuar dy grupeve rivale muzikore në Gjilan të njohura si “Double G” dhe “E7”.

Sipas aktakuzës Ardijan Xhaferi e Besnik Fejzullahu dyshoheshin se më 15 qershor 2012 në lagjen Dardania me paramendim dhe me dashje kanë tentuar që të privojnë nga jeta Burim Osmanin.

Sipas aktakuzës Ardijani ka qenë i pajisur me revole të panjohur i cili është vërsulur në drejtim të Burim Osmanit, duke shtënë disa herë në drejtim të tij, duke vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë prezent.

Mobi Casa

Ardijan Xhaferi me profesion këngëtar i grupit muzikor “E7” dyshohet për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “mbajtja në pronësi, në kontroll, në posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve”. Kurse Besnik Fejzullahu dyshohej për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”

I pandehuri Burim Osmani me nofkën “Duda”, me profesion këngëtar i grupit muzikor “Double G”, pas konfliktit fizik që ka pasur me të pandehurin Ardijan Xhaferi e Besnik Fejzullahu ka tentuar që t`i privojë nga jeta të njëjtit.

Osmani me revolen e tij “M-57” ka shtënë disa herë në drejtim të Xhaferit e Fejzullahut, duke rrezikuar edhe jetën e personave të tjerë. Një nga predhat e Osmanit e ka goditur në gjoks shkarazi Besnik Fejzullahun.

Duda (Osmani) dyshohej për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”,”mbajtja në pronësi, në kontroll, në posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve” dhe për veprën penale tjetër ”blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”.

Pak ditë më herët trupi gjykues kishte liruar nga paraburgimi edhe Burim Osmanin edhe Ardian Xhaferin. /rajonipress/