New Yorku, si zonë lufte

Pesë ditë pas shkatërrimit të shkaktuar nga uragani “Sandy”, një pjesë e madhe e zonave të prekura kanë probleme me sigurimin e nevojave themelore për jetën.
Shumë rrethe në New York ende janë pa rrymë, ndërsa në pompat e benzinës vështirë sigurohen karburantet për makina dhe gjeneratorë. Në rrugët e qytetit mund të shihen familje, pensionistë dhe të rinjtë që gërmojnë nëpër kazanë në kërkim të ushqimit. Sipas vlerësimeve të fundit, “Sandy” në SHBA dhe në Kanada mori jetën 102 personave, ndërsa dëmi i përgjithshëm është vlerësuar në 50 miliardë dollarë. 3.2milionë njerëz janë ende pa energji elektrike dhe pa ujë të pijshëm.
Në New York janë goditur më së shumti Lower East Side dhe East Village, të cilat me ditë të tëra janë në terr. Ndërsa, nuk dihet se kur do të rikthehet energjia elektrike. Në New York, numri i të vdekurve tejkaluar shifrën 40. Edhe tetë të tjerë janë regjistruar në gjithë shtetin e New Yorkut, derisa numri viktimave tjera në SHBA dhe Kanada është si në vijim: në New Jersey janë regjistruar 13 viktima; 11 në Maryland; 14 në Pensilvani; gjashtë në West Virginia, katër në Connecticut; dy në Virginia; tre në Carolinën Veriore dhe një në Toronto (Kanada). Së paku 71 viktima kanë rënë, si pasojë e uraganit, në Karaibe.
Një nga maratonat më famshme në botë, ajo në New York, është anuluar për shkak të “Sandyt”. Vendimin për këtë e ka marrë kryetari Michael Bloomberg. Maratona mbahet që nga viti 1970 dhe krahas asaj në Boston dhe Chicago konsiderohet si më e rëndësishmja në botë.
Rreshtat e makinave në New York janë të mëdha në pritje të karburanteve, sidomos kur dihet se është shtuar frika se tankerët dhe cisternat kanë kufizuar qarkullimin në qytet. Furnizimi me energji elektrike, për më shumë se tetë milionë shtëpi dhe biznese, bazohet kryesisht në vënien në punë të gjeneratorëve dhe sigurimit të karburanteve. Ndërsa, puna në rrjetin e furnizimit me rrymë ende është i kufizuar.
Autoritetet janë duke u përpjekur për të zgjidhur këtë çështje, por asgjë nuk mund të funksionojë pa riparimin e zinxhirit të furnizimit. Rendet para pompave të benzinës disa i kanë krahasuar me ato të krizës botërore të naftës të viteve ’70 të shekullit të kaluar. /Telegrafi/