Nevzati: Sot nuk po i japim lamtumirën vetëm një profesori, po i japim lamtumirën një njeriu të madh
Gjilan – Profesor Rafet Bajrami la pas vetes jo vetëm një trashëgimi të çmuar në arsim, në shoqëri dhe në jetën publike, por edhe një pasuri të çmuar shpirtërore, një familje të mrekullueshme, të edukuar e të shkolluar mirë, që e nderon emrin e tij çdo ditë ka thënë Bujar Nevzati.
Postimi i plotë:
Fjalë rasti, në emër të Këshillit Organizativ për ceremoninë e varrimin të profesorit Rafet Bajrami.
E respektuara familja Bajrami!
Të nderuar, kolegë, miq dhe të gjithë të pranishëm,
Me lejoni që në emër të këshillit për varrim të profesor Rafetit, t`i them dy, tri fjalë.
Sot jemi mbledhur me dhimbje të thellë, por edhe me shumë respekt, për t’i dhënë lamtumirën njeriut që la gjurmë të pashlyeshme në jetën tonë dhe në rrjedhat e kohës, profesor Rafetit.
Largimi i tij në amshim na dhemb, por kujtimi, vepra dhe shembulli i tij do të mbeten të pavdekshme.
Profesori Rafet ishte shumë më tepër se një mësues dhe intelektual. Ai ishte një udhërrëfyes i vërtetë, një njeri i urtë e i mirë, një qytetar me kulturë të lartë dhe një atdhetar i devotshëm që i qëndroi çështjes kombëtare me përkushtim të pashoq. Karakteri i tij fisnik dhe fjala e tij e matur ishin udhërrëfyese për shumë prej nesh.
Për mua personalisht, ai ishte njëri nga dritat e viteve të rënda të popullit tonë, kohë të vështira, me sfida e pasiguri. Në ato vite, profesor Rafeti ishte njeriu që dinte të jepte drejtim, të jepte shpresë dhe ta ngrejë moralin tonë kur të tjerët hezitonin. Mençuria dhe qetësia e tij na mbajtën të lidhur me idealet, me punën dhe me besimin se e ardhmja mund të ndërtohet vetëm me dije dhe karakter të fortë!
Me mirësjelljen e tij të natyrshme, profesor Rafeti i qëndroi fisnikërisë deri në frymën e fundit. Ai nuk kërkoi kurrë lavdi, por lavdia e veprës së tij është ajo që sot e nderon.
Të dashur të pranishëm,
Sot nuk po i japim lamtumirën vetëm një profesori; po i japim lamtumirën një njeriu të madh, një miku, një mentori, një figure që do të kujtohet me nder e mirënjohje përherë.
Profesor Rafeti la pas vetes jo vetëm një trashëgimi të çmuar në arsim, në shoqëri dhe në jetën publike, por edhe një pasuri të çmuar shpirtërore: një familje të mrekullueshme, të edukuar e të shkolluar mirë, që e nderon emrin e tij çdo ditë. Ai u rriti fëmijëve dashurinë për dijen, për punën e ndershme dhe për vlerat njerëzore. Sot ai lë pas edhe plot nipa e mbesa, të cilët do ta trashëgojnë krenarinë, butësinë dhe urtësinë e tij. Ky është monumenti më i madh që një njeri mund të lërë pas.
I lehtë i qoftë dheu i kësaj toke që e deshi me gjithë zemër.
Qoftë i amshuar kujtimi i tij.
U prehtë në paqe profesori Rafet.
Ju faleminderit
27.11.2025 Gjilan
Bujar Nevzati


